Shqiperia

“Rama po na shkatërron”/ Plotësohet sërish kuota, pala greke pezullon punën në Kapshticë, qindra emigrantë mbeten të bllokuar

Bllokohet sërish pika kufitare e Kapshticës. Mëngjesin e sotëm është plotësuar kuota prej 300 personash për të kaluar kufirin.

Menjëherë pala greke ka pezulluar sërish punën, ndërkohë qindra qytetarët janë duke pritur në radhë për të kaluar kufirin. Mësohet se në radhë janë 20 automjete dhe një autobus.

Udhëtarët shprehen për mediat se kanë bërë tamponin dhe janë brenda rregullave.

Ndërkohë, ata hedhin akuza ndaj qeverisë Rama, pasi shprehen se nuk mbështet qytetarët e saj.

“Tamponin e kam bërë pardje, mbaron sot, presim si gjithë të tjerët. Aplikimin online e kam bërë, kam marrë konfirmimin për të kaluar sot. Të shohim ca do bëhet. Unë këtu në doganë do rri.”, u shpreh një qytetar.

Ndërsa një tjetër hodhi akuza ndaj qeverisë Rama: “I paguajmë të gjitha, me tampon, me taksa, jemi me letra të rregullta. Ky është shteti i Edi Ramës. Nuk ka shtet këtu, nuk bëjnë asgjë për ne. Na shkatërruan.”

Ndërkohë nuk ka munguar edhe një njoftim nga ana e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Korçë, ku theksohet se për ditën e sotme është plotësuar kuota prej 300 personash dhe se puna rinis nesër në orën 06:00 të mëngjesit. Sakaq, Policia ka ngritur edhe një postbllok, ku nuk lejon qytetarët që të shkojnë drejt kufirit.

E njëjta situatë u krijua edhe dje në këtë pikë doganore. Mbi 60 emigrantë mbetën të bllokuar në kufi, të cilët u futën në tokën helene mëngjesin e sotëm, pasi ishte plotësuar kuota.

Për këtë situatë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se edhe për 14 ditë të tjera, nga data 1-15 shtator 2020, mbetet në fuqi kufizimi i hyrjes për shtetasit shqiptarë në tokën greke. Tashmë nga pika kufitare e Kakavijës do të futen në shtetin helen vetëm 750 persona në ditë.

Ndërsa, nga pika doganore e Kapshticës, do të kalojnë për në shtetin grek vetëm 300 persona në ditë. Çdo person duhet të ketë me vete testin e COVID-19 dhe duhet të jetë negativ, si dhe të ketë plotësuar formularin PLF./tpz

OPINIONE

INTERVISTA