Rama vetëkrahasohet me Duçen, opozita do të zhduket si në kohën e fashizmit

Nuk dihet nëse ka qenë një lapsus i pandërgjegjshëm apo një provokim i qëllimshëm, por Edi Rama sot nga Librazhdi nuk ka hezituar ta krahasojë veten me Duçen. Duke folur për djegjen e mandateve të opozitës, ai ka shkuar larg duke parathënë vdekjen e saj totale, ashtu si një parti italiane në vitet e para të shekullit që shkoi.

“‘Në vitin 2017 ata i humbën zgjedhjet duke qenë në qeveri. Ne mundëm Saliun duke qenë në pushtet dhe jo më Lulin me ‘fallxhoren’. Ata do të shkrihen si një parti në Itali në vitin 1920. Ashtu do të shkrihen edhe ata. Kjo histori duhet të marrë fund. Ata nuk e kanë kuptuar pse humbin”, tha sot Rama.

Në fakt, nuk është hera e parë që ai bën krahasime me kohën kur në Itali u vendos fazhizmi i Musolinit, pasi opozita u tërhoq në malin Aventino. Ai e përmendi këtë fabul edhe në intervistën në Rai me Bruno Vespën edhe pastaj në një intervistë në tjetër.
“Në Shqipëri opozita është jashtë parlamentit. Ata janë tërhequr në ‘malin Aventino’, siç thoni ju italianët në një shprehje e përdorur gjatë epokës së regjimit fashist në Itali ,pas largimit të disa deputetëve nga parlamenti pasi ishin kundër fashizmit, por unë nuk jam Duçja”, tha ai për të përditshmen“Libero” në një intervistë dhënë për drejtorin e kësaj gazete, Pietro Senaldi.

Por nëse në krahasimet që bën përtej Adriatikut, Rama kujdeset të thotë se ai nuk është Duçja, në Librazhd ai e harroi fare këtë detaj.
Por, çfarë fshihet pas tij dhe pse kryeministri shqiptar po e përdor gjithnjë e më tepër këtë fabul?

Në vitin 1924, opozita italiane braktisi Parlamentin në shenjë proteste kundër vrasjes së deputetit socialist Meteoti nga skuadrat fashiste. Të grupuar në një sallë tjetër të parlamentit, deputetët e opozitës e quajtën lëvizjen e tyre tërheqje në Aventino, sipas fjalimit të liderit socialist Filipo Turati.

Opozita italiane e mori shembullin e saj nga periudha e antikitetit, ku plebenjtë të cilët pasi fituan disa të drejta të ngjashme me patricët, për ti ruajtur ato sa herë që u prekeshin tërhiqeshin në njërën prej shtatë kodrave të Romës, në Aventino deri sa gjendja të ndryshonte.

Por, kjo lëvizje e opozitës antifashiste italiane shpesh është kritikuar nga historianët, sepse ajo i la Musolinit dorë të lirë të instalonte në Itali diktaturën e tij mizore, që do të merrte fund pas dy dekadash kur Duçen do ta varnin së bashku me të dashurën e tij në sheshin Loreto të Milanos.

Kur Rama e përmendi këtë histori për herë të parë në Itali, ajo u interpretua si një provokim ndaj opozitës, me faktin se, ajo ende nuk e ka prekur fundin. Por kur kjo histori përsëritet, madje duke hequr edhe frazën që tha për “Libero”: “Por unë nuk jam Duçja”, ajo nuk mund të konsiderohet më si një gafë.

Pasi vërtet opozita italiane e fillimviteve të shekullit të kaluar është kritikuar se, me tërheqjen e saj në malin Aventino e bëri më të lehtë instalimin e një prej regjimeve në kriminale të Europës, por zhdukja e saj nuk qe si pasojë e këtij gabimi, por e vendosjes së diktaturës fashiste.

Prandaj edhe krahasimi i kryeministrit është i rrezikshëm, sepse ai lë të hapur në Shqipëri, hipotezën se prej nga mund të zhduket opozita politike./Lapsi.al/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne