BE reagon për arrestimin e fëmijëve palestinezë nga Izraeli

Bashkimi Evropian (BE) ka reaguar ndaj arrestimit të palestinezëve 16-vjeçarë Ahed Tamimi dhe Fevzi el-Xhunejdit dhe vrasjen e 17-vjeçarit Musab Firas Tamimi nga ana e Izraelit.

“Misionet e BE-së dhe shteteve të saj në Kuds dhe Ramallah riafirmojnë rëndësinë për monitorimin dhe respektin ndaj të drejtave të fëmijëve veçanërisht gjatë arrestimit, paraburgimit dhe aplikimit në gjyqësor”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga zyra e BE-së në Kuds dhe Ramallah.

Në deklaratë i bëhet thirrje qeverisë izraelite të përdorë masa proporcionale ndaj protestave të organizuara nga palestinezët dhe të hapë hetim për ndërhyrjet vdekjeprurëse, të cilat përfshijnë edhe fëmijët.

“Të drejtat e fëmijëve janë të drejta të njeriut. E ftojmë qeverinë e Izraelit të veprojë sipas parimeve si forcë okupatore përgjegjëse për çështjet që kanë të bëjnë me territoret palestineze të okupuara, të cilat janë subjekt i ligjeve ushtarake të Izraelit. Arrestimi administrativ i fëmijëve pa praninë e ndonjë akuze zyrtare është shqetësues”, thuhet në deklaratë.

Shkeljet e Izraelit ndaj fëmijëve palestinezë

Më 7 dhetor të vitit 2017, Fevzi al-Xhunejdi u arrestua me sy të lidhur nga një numër i madh i ushtarëve të armatosur rëndë në El Halil (Hebron) të Bregut Perëndimor të okupuar, ndërsa pamjet gjatë arrestimit të tij shkaktuan reagime të mëdha në rrjetet sociale. Xhunejdi, i cili u shndërrua në simbol të rezistencës për Kudsin, u lirua pasi qëndroi në arrest për 21 ditë. Ai pësoi frakturë në shpatullën e djathtë si rezultat i rrahjes nga ana e ushtarëve izraelitë.

Më 19 dhjetor, forcat izraelite arrestuan Ahed Tamimin në një bastisje gjatë natës në fshatin Nabi Saleh të Bregut Perëndimor. Nëna e saj u arrestua menjëherë pas saj. Një ditë më vonë, forcat izraelite arrestuan edhe kushërirën e saj.

Së fundmi, gjykata ka shtyrë për më 15 janar seancën për Tamimin, e cila është duke u gjykuar në paraburgim.

Ndërkaq, Musab Firas Tamimi humbi jetën më 3 janar në spital, pasi u plagos rëndë si pasojë e hapjes zjarr nga ana e ushtarëve izraelitë gjatë ndërhyrjes në fshatin Dejr Nizam në veriperëndim të Ramallahut.

Sipas të dhënave të autoriteteve zyrtare palestineze, në burgjet izraelite gjenden afër shtatë mijë palestinezë, prej të cilëve 300 janë fëmijë.

Izraeli privon nga liria në periudhë prej një deri në gjashtë muaj palestinezët përmes të ashtuquajturit “arrestim administrativ”. Në rast se për të arrestuarit merret vendimi se “përbën rrezik për sigurinë e Izraelit”, atëherë gjykatësi ushtarak mund ta zgjasë kohëzgjatjen e arrestit të tij deri në pesë vite pa ndonjë akuzë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne