Reagon Rama: Shitja e detit Greqisë, shpifje!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me miratimin e dekretit nga Greqia për zgjerimin me 12 milje në Jon një ditë më parë.

Shefi i qeverisë përmes një postimi në Twitter, shkruan se shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh.

Postimi i plotë:

Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të “shitjes së detit” Greqisë! Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s’duan të dëgjojnë e as të kuptojnë!

Pas rrëzimit të marrëveshjes famëkeqe të 2009 dhe mosmarrëveshjes që pasoi, ne kemi arritur më në fund dakordësinë me palën greke që delimitimin e kufirit tonë detar ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare! Shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh!

E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra!

Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Europës,ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës,ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!

Ja edhe dokumentat e vitit 1990 kur Shqipëria bëri fiks këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB! As pala greke s’kishte çfarë kontestonte atëherë, as ne s’kemi çfarë kontestojmë sot tek vendimi i Greqisë! Lëreni llumin në batakun e vet!

/tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne