“Recetat e freskëta” të menaxhimit të sistemit kapitalist

Nga Luka Laskaj.

“Recetat e freskëta” të menaxhimit të sistemit kapitalist.
Një kritikë e shkurtër ndaj tezave dhe qëndrimeve parimore social-demokrate dhe hoxhaiste.

Edhe pse në vendin tonë ndikojnë vetëm politikat kapitaliste perëndimore, kryesisht nga SHBA dhe vendet e BE, “normaliteti” i premtuar në ekonomi dhe politikë nuk ekziston. Sigurisht që s’ka se si të ekzistojë pasi forcat politike borgjeze vendase -edhe pse betohen te eshtrat e fashistit Mit ‘at Frashëri për rrugën që duhet ndjekur-, në fakt, duan ndarje më të “barabartë të tepsisë” mes tyre dhe oligarkëve që përfaqësojnë në nivelin politik. Madje dhe vetë vendet perëndimore kanë kundërshtime me njëra tjetrën për ndarjen dhe kontrollin e tregut të Shqipërisë dhe Ballkanit mes tyre. Këto ngërçe mes fuqive perëndimore për ndarjen e “tepsisë” pasqyrohen edhe në politikën e brendshme nga forcat dhe rrymat e ndryshme politike vendase dhe të huaja. Rusia kapitaliste do edhe ajo të ketë pjesën e saj në Ballkan, por, siç la të kuptojë SHBA, Shqipëria është shumë e vështirë për tu ndikuar nga rusët. Kështu që, kjo që përjetojmë është një “normalitet” që buron nga kontradiktat brenda sistemit perëndimor, por pa lënë jashtë edhe konkurrencën që ata bëjnë me Rusinë –tashmë- kapitaliste.

Ndërsa, për sa i përket normalitetit në favor të popullit, për punë dhe të drejta sociale etj., tashmë dihet se nuk ekziston , qysh para përmbysjes së sistemit socialist nga vetë rryma Enveriste bashkë me forcat e reaksionit.

Vendi ynë, pas përmbysjes së socializmit që njohëm -me të gjitha të metat dhe devijimet e shumta tragjike që pati ky sistemi në vendin tonë-, tashmë është kthyer në “kopsht të kultivimit të rrymave të ndryshme politike të “majta” e të djathta”, në një kopsht kultivimi të forcave antikomuniste dhe nacionaliste të cilat shfaqin etje të pa shuar për pushtet.

Që nga socialdemokratët, të “majtët”, e gjer te nacionalistët e djathtë, të gjithë bashkë, me dallime jo-thelbësore mes tyre, mbeten nostalgjikë të tezave të vjetra të menaxhimit të sistemit kapitalist. Të gjithë na propozojnë “receta të freskëta” dhe betohen se sistemi aktual barbar i shfrytëzimit…. mund të bëhet një “barbarizëm human” pavarësisht se mjetet e prodhimit do ti kenë në duar monopolet dhe pronarët!! Gjithsesi, për të mos fajësuar vetëm politikën vendase, edhe në vendet e BE dhe në shtete të tjera , këto linja mbizotërojnë dhe do të ishte e pamundur të mos reflektoheshin edhe në vendin tonë, meqenëse të gjithë të lartpërmendurit, veç recetave që hedhin për një “barbarizëm human” (!) janë të betuar për të realizuar synimet e klasës borgjeze, pra të integrimit në BE dhe në strukturat e imperializmit botëror.

Integrimin në BE, popujt në shtetet e tjera po e paguajnë rëndë edhe sot. Kjo rrugë zgjidhet nga ata për interesa të kastës kapitaliste dhe kurrsesi për interesat e popullit, i cili pret të futemi në BE për të vrapuar në emigrim për një vend pune dhe jo se pret ndonjë prosperitet në Shqipëri.

Por, pa e akuzuar direkt sistemin kapitalist, dhe duke hedhur njohuri enciklopedike apo receta se si të “menaxhohet barbarizmi kapitalist për ta bërë më human” nuk jepen zgjidhje bashkëkohore për punonjësit dhe popullin në shekullin tonë. Këto receta i kanë rrënjët e tyre që nga etapa e Revolucionit demokratiko-borgjez rus të vitit 1905 deri në fitoren e revolucionit socialist gjatë Tetorit të 1917. Në këtë etapë u shënuan ndryshime të shumta thelbësore mes rrymave të asaj kohe. Ky dallim, në thelb, mbetet edhe sot pavarësisht formave të ndryshme që shfaqen në kontekstin e zhvillimeve aktuale. Thelbi i thënë prej tyre është i njëjtë , jo revolucion , por reformë brenda sistemit për ta bërë barbarizmin pak më human ,kapitalizmin social!

Për ata që lexojnë dhe kanë si kriter mbrojtjen e punëtorëve sot, -pa le më ata që kanë karakteristika komuniste e japin perspektivën e sistemit socialist-komunist-, e kuptojnë që këto që thuhen sot nga rryma të ndryshme oportuniste apo social-demokrate të Evropës dhe brenda vendit, nuk kanë asgjë të “re” apo të “freskët” që të na e paraqesin si alternativë në shekullin e 21. Nëse dikush do ti bëjë një rrezume lëvizjes komuniste dhe punëtore në Rusi dhe në botë, do ta kuptojë se në etapën e lartpërmendur u krijua hendeku midis linjës së re strategjike revolucionare pas përmbysjes së carizmit-feudalizmit, dhe, oportunizmit të menshevikëve dhe eserëve që kultivonin fatalizmin dhe iluzione parlamentarizmi në epokën kapitaliste pas-feudale, receta menaxhimi të sistemit etj. Këto forca oportuniste, e mbështetën me shumë mënyra qeverinë e përkohshme provizore borgjeze në Rusi që u themelua në shkurt të 1917.

Janë po këto forca që bllokuan dhe u munduan me shumë mënyra që të hiqnin qafe Sovietët e punëtorëve duke dashur ti shkëputnin nga ndikimi i komunistëve, duke abuzuar dhe me vetë nevojën e ekzistencës së pararojës së klasës punëtore, Partisë Komuniste. Gjithsesi këto forca, edhe sot në Evropë pas përmbysjes së socializmit, nuk duan dhe madje urrejnë ekzistencën e një pararojeje për klasën punëtore, sepse kjo e lidh direkt punëtorin me alternativën e marrjes së pushtetit. Kjo perspektivë nuk parashikohet nga këto forca “të majta” se u krijon atyre dhe padronëve të tyre ëndrra me bolshevikë dhe zgjohen të tmerruar nga gjumi.

Menshevikët dhe eserët u përpoqën të pengonin revolucionin e Tetorit dhe ta çonin atë në disfatë. Më pas, këto forca luftuan me vendosmëri kundër pushtetit të ri Punëtor, por punëtorët nuk mund të gënjehen përgjithmonë nga çirakët e borgjezëve. Menshevikët dhe eserët e minuan ndërtimin e socializmit duke hartuar plane dhe sabotime, dhe ishin po këto forca të oportunizmit që gërryen ecurinë e Partisë Komuniste në BS dhe kontribuuan me vendosmëri për kundërrevolucionin që ndodhi me restaurimin e kapitalizmit në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve 90.

Sot, gjithë këta “të majtë”, edhe pse ka kaluar një shekull, nuk kanë asnjë alternativë të “freskët” për të propozuar veç se alternativën e rreckosur të “humanizimit” të barbarisë kapitaliste!!

Nëse dikush pyet se si barbarizmi kapitalist mundet të bëhet “human” mjafton të shikojmë Greqinë e SYRIZA-s që bashkëpunon hapur me fashistë në qeveri, apo dhe në Francën e të “majtëve” dhe jelek-verdhëve për të kuptuar se këto forca, jo vetëm që mbeten nostalgjik të zellshëm të parimeve pas-feudale-kapitaliste të eserëve dhe menshevikëve, por, dhe mbështetës të gabimeve-devijimeve që bëri PKBS dhe PK të tjera në kampin socialist me vet-menaxhime të fabrikave duke devijuar nga ekonomia e centralizuar.

Në dekadat kur ekzistonte BRSS, dhe në përgjithësi “kampi socialist”, punëtorët në shtetet kapitaliste fituan shumë të drejta. Përveç luftës që zhvillonte klasa punëtore në vendet kapitaliste, ekzistonte dhe presioni i kampit socialist. Pra, BRSS, edhe pse me gabime të mëdha në ekonominë dhe politikën e saj, ndikonte POZITIVISHT në lëvizjen punëtore botërore si shtet i punëtorëve.

Qesharake duket sot fakti që PPSH e atëhershme sulmonte BRSS për faktin se në udhëheqjen e saj ishte grupi oportunist i Hrushovit etj. Arriti gjer aty sa që betohej me grushtin lartë para “Enverit të Madh” dhe ta quante BRSS…socialimperialiste (!). Sot, rryma enveriste i quan imperialistët e SHBA dhe NATO çlirimtarë të trojeve pellazgo-ilire (!) –madje dhe të gjithë kombit-, ndërsa klasat shoqërore brenda këtij kombi nuk ekzistojnë për enveristët!

Kjo rrymë , në simbiozë me social demokracinë vendase ka adoptuar teza si “bashkimi i kombit mbi të gjitha” të thëna nga Ballistët, nacionalistët dhe fashistët e atëhershëm. Tashmë këto teza janë adoptuar thellësisht në politikën aktuale të rrymës enveriste! Vetë, kasta që sot qeveris vendin përbëhet nga fëmijët e kastës së udhëheqësve të cilët kultivuan urrejtjen kundër BRSS!
Këtë urrejtje më pas e kthyen në dashuri për imperialistët, për nacionalizmin dhe irredentizmin dhe në emër të “kombit të bashkuar” kërkojnë bashkime territoriale të…Pellazgo-Ilirëve!

Nëse dikush pyet se gjer ku mund të arrijë degjenerimi nacionalist i një Partie Komuniste Heroike që udhëhoqi një popull kaq të vogël në çlirim social, le ti hedh një sy rrymës “Enveriste” sot e cila për nga idetë dhe “ideologët e shkollës së partisë” nuk dallohen aspak nga “serbomëdhenjtë”, “rusomëdhenjtë” dhe as nga “magal-ideja” e Agimit të Artë në Greqi. S’ka se si shpjegohet dhe pjesëmarrja e tyre në koalicione bashkë me parti nacionaliste Greke e Çame (!), por, për këta “pellazgë” me “shkollë partie të PPSH” do t’i analizoj me detaje në një shkrim tjetër e më të detajuar se si këta e kanë degjeneruar LANÇ-in dhe vetë Enverin duke e kthyer në fildish në tespihe pleqsh.

Sot, pas kundërrevolucionit dhe restaurimit të sistemit shfrytëzues kapitalist në vendet e ish bllokut socialist, klasat shfrytëzuese, kapitalistët, po sulmojnë pa mëshirë të drejtat e klasës punëtore jo vetëm në “ish vendet socialiste” apo “demokracitë popullore” siç quheshin atëherë, por, edhe në shtetet që nuk e kanë përjetuar ndonjëherë “socializmin”.

Anakronike mbetet gjithashtu edhe kritika që ushtrohet prej tyre kundër “enverizmit” në Shqipëri!
Këto forca të “majta” ushtrojnë kritik të “drejtë” deri diku , për sa i përket ndërtimit të mijërave bunkerëve në Shqipëri.
Kjo kritikë shoqërohet prej tyre me argumentin se kjo gjë e rrënoi ekonominë e RPSSH.
Është e vërtetë se shpenzimet ishin kolosale për ushtrinë dhe e kishin kaluar me kohë cakun e logjikës që nga kalimi me Kinën. Por kur vjen puna për bombat e sofistikuara të imperialistëve që gjakderdhin popujt dhe u përdorën edhe në Ballkan, me pasoja tragjike për të gjithë popujt, morali i “majtë” i kritikave të tyre mbron bombat milionëshe imperialiste për hir të “interesave nacionale”! Asnjë kritikë nga këto forca për milionat e dhënë nga shteti jonë për pjesëmarrje në NATO-n e imperialistëve që sulmon shtete me pasoja tragjike për popujt si në materiale ashtu dhe në të drejta popullore.

Ky sulm i egër ndaj të drejtave dhe lirive të popullit ka të bëjë edhe me faktin se, tashmë, sistemi kapitalist nuk ka më kundërshtar Pushtetin e Klasës Punëtore, kampin socialist. Rusia e tanishme është një shtet kapitalist dhe nuk përbën më armik klasor për shtetet perëndimore por një rival brenda sistemit imperialist botëror në kontekstin e antagonizmave mes tyre. Kjo mundet të sjellë edhe luftëra të përgjakshme ku faturën e dëmeve do ta paguajnë popujt. Tashmë, pothuajse 3 dekada pas restaurimit të kapitalizmit, po përjetojmë kriza ekonomike, varfërinë dhe emigrimin, papunësinë e madhe, urrejtjen nacionale dhe gjaku derdhet lum për interesat e monopoleve dhe jo të popullit. Kapitalizmi e ka në ADN luftën imperialiste për ndarjen e tregjeve, madje aty ku “nuk i kalon fjala” fillon “dajaku” me trupa ushtarake , ardhja e demokracisë me artileri dhe drone….
Kuptohet për “pavarësinë” e monopoleve në ndarjen e tregjeve….

Sot, veç borgjezëve , për  Revolucionin e Tetorit mundohen të na emancipojnë edhe rrymat oportuniste duke u përpjekur në çdo rast që ta zhveshin këtë Revolucion nga karakteri i tij socialist, mundohen me të gjitha mënyrat për të fshehur ose tjetërsuar kontributin e madh që dha ky revolucion për punëtorët e gjithë botës.

E vërteta është se forcat e oportunizmit u angazhuan në një aksion të organizuar antisovjetik e antikomunist gjatë të gjitha viteve të ndërtimit të socializmit në kampin socialist duke përdorur teza për “lirinë e fjalës e lirive demokratike” që sot vërtetohet hapur se synonin përmbysjen e sistemit socialist, heqjen e ekonomisë së centralizuar socialiste dhe pushtetin e parë të punëtorëve.

Kishin një shpresë për përmbysjen e socializmit nga Hitleri por mbetën me urrejtjen e vjetër kundër Stalinit e cila vjen e shtohet kur lexojnë kritika si këto për rolin e tyre.
Sot, popujt e ish-kampit socialist janë me barkun bosh, pa asnjë perspektivë, të rraskapitur nga shfrytëzimi i egër i kapitalit që si thua dot gjysmë fjalë, jo më pronarit por as çirakut të tij se të flak në rrugën e urisë dhe papunësisë.
Por sot, këto forca ende i ushtrojnë kritik “Stalinizmit” me terminologji bajate socialdemokrate , që pas figurës së tij , synohet sulmi ndaj vetë ndërtimit të socializmit!

Revolucioni i Tetorit vërtetoi plotësisht Leninin kur thoshte se fitorja e socializmit mund të ndodh në një shtet apo grup shtetesh, dhe jo likuidatorët e Partisë Komuniste, oportunistët.

Tetori i Kuq theksoi rolin e pazëvendësueshëm të pararojës politike revolucionare, të Partisë Komuniste, si organ udhëheqës, jo vetëm i revolucionit socialist por dhe i gjithë luftës për formimin, forcimin, dhe fitoren përfundimtare të shoqërisë së re komuniste. Këtë fakt nuk e mohon dot borgjezia dhe “haremi në oborrin e saj” sado “receta menaxhimi” të nxjerrin.

Edhe pse jetojmë në epokën e pas përmbysjes së socializmit, pa më të voglin dyshim, kushtet materiale që e përcaktojnë karakterin e epokës sonë si epokën e kalimit nga kapitalizmi në socializëm, janë pjekur.
Pra elementi objektiv është pjekur. Kjo sot është më se koherrente dhe e nevojshme për t’iu thënë klasës punëtore, shtresave popullore dhe rinisë dhe jo “recetat e menaxhimit” të barbarisë kapitaliste.
Vetëm në këtë rrugë klasa punëtore do të fitojë të drejta dhe lehtësime brenda sistemit shfrytëzues, jo si qëllime në vet-vete , por si arritje dhe fitore gjatë rrugës për të zhdukur kapitalin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne