Referendumi për emrin në Maqedoni, problem mbeten listat zgjedhore

Autoritetet në Maqedoni po bëjnë përgatitje për referendumin e 30 shtatorit, që mund të vlerësohet si historik, për shkak të pritjeve për ndryshimin e emrit të vendit. Por, vëzhguesit lokalë vërejnë se regjistri i votuesve nuk është pastruar, ndërsa paralajmërojnë për manipulime të mundshme.

Para referendumit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, të caktuar për më 30 shtator, te një pjesë e shoqërisë civile dhe analistëve janë shtuar dilemat nëse regjistri zgjedhor po vazhdon të jetë i manipuluar si në periudhën e pushtetit të kaluar.

Maqedonia, me një popullsi të vlerësuar prej pak më shumë se dy milionë banorësh, sepse nuk është bërë një census që prej vitit 2002, ka një milion e 800 mijë votues të regjistruar.

Ende ka njerëz të vdekur të cilët figurojnë në regjistrin zgjedhor, sipas shoqërisë civile. Por, Komisioni i ri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk i pranon raportet. Shifra prej një milion e 800 mijë votuesve është reale, sipas Komisionit.

Qeveria e Maqedonisë nuk ka dhënë ende hollësi mbi shpenzimet e planifikuara për fushatën, për referendumin që tashmë në realitet ka filluar, e prej nga do t’i sigurojë ato mjete financiare.

Autoritetet qeveritare, nga ana tjetër, presin nga diaspora që të marrë pjesë në referendum, por numri i atyre që janë regjistruar deri tani në diasporë mezi kalon shifrën 1.000. Shkalla e nevojshme e daljes së votuesve në referendum është 50 për qind plus një.

Opozita maqedonase nuk ka vendosur ende nëse do të bëjë thirrje për bojkot ose jo. Nëse referendumi vendos për ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, atëherë ky shtet do të bëhet anëtari i 30 i NATO-s dhe do të nisë bisedimet në qershorin e 2019-s për anëtarësim në Bashkimin Europian.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne