Reforma Zgjedhore/ Sot mblidhet Këshilli Politik, ja çfarë do të diskutohet

Këshilli Politik rikthehet sot në tryezën e Reformës Zgjedhore pas një ndërprerje dyjavore, për shkak të situatës së tensionuar politike që shkaktoi shembja e Teatrit Kombëtar mëngjesin e të dielës, më 17 maj.

Mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore sot pritet që të shënojë mbledhjen e parë ku të miratohen disa çështje.

Gazeta “Panorama”, ka zbardhur axhendën e mbledhjes ku pritet që të diskutohet dhe të ketë një vendimmarrje politike për çështjen e periudhës zgjedhore, financimin e fushatës zgjedhore, respektimin e kuotës gjinore, përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe konkretisht, vendosjen e kamerave monitoruese në ambientet e votimit, rolin e Policisë në procesin zgjedhor, aktivizimin e bilbilfryrësve dhe klasifikimin e veprave penale në korrupsion zgjedhor dhe për pasojë trajtimin e tyre nga SPAK.

Sipas burimeve, ekspertët teknikë nuk kanë ende një dakordësi sa i përket ndryshimit të periudhës zgjedhore.

Diskutimet janë që të jetë në prill, por festimi i Pashkëve, sipas ekspertëve, ul efikasitetin e fushatës. Megjithatë, sot pritet që të ketë një dakordësi politike dhe të jetë kjo pika e parë ku Këshilli Politik arrin dakordësi për çështjen e Reformës Zgjedhore.

Financimi i fushatës zgjedhore është thuajse i dakordësuar mes ekspertëve teknikë. Çështja e vetme që pritet të diskutohet janë reklamat në media.

Ndërkohë, për herë të parë në kodin zgjedhor, pritet që të përfshihet aktivizimi i bilbilfryrësve, të cilët konsiderohen punonjësit e administratës që raportojnë për parregullsitë në procesin zgjedhor./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne