“Republika e Maqedonisë Veriore”, Ivanov: 5 arsye përse nuk e dekretoj

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov nuk e ka nënshkruar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë.

Në njoftimin me shkrim të presidencës, Ivanov e arsyeton refuzimin e kësaj marrëveshjeje duke thënë:

“Në kryerje të funksionit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë gjithmonë veproj me përgjegjësi dhe të drejtat e mia dhe detyrimet i kryej brenda kornizave të Kushtetutës, ligjeve dhe interesave të Republikës së Maqedonisë.”

Ai ofron në njoftimin presidencial 5 arsye konkrete se përse nuk do ta nënshkruajë ratifikimin e ligjit.

Ai përmend si arsye të parë mos pasjen e mandatit për të nënshkruar dekretin. Ivanov vijon të thotë: “Një nga shtyllat e politikës sime nga programi i vitit 2014 është se nuk pranoj ndryshim të Kushtetutës me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues.”

Si arsye të dytë ai sjell arsyetimin se “marrëveshja del jashtë kornizave të rezolutave 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit për Siguri të Kombeve të Bashkuara.

“Marrëveshja nuk ka bazë kushtetuese dhe nuk është e ratifikuar në pajtueshmëri me Kushtetutën”, vijon së rendituri ai.

Ivanov sjell si arsye të katërt papajtueshmërinë e ligjit me nenin 51, nenin 118 dhe nenin 119 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Dhe së fundmi, ai thotë: “Marrëveshja e çon Maqedoninë në gjendje të nënshtrimit dhe varësisë nga shtete të tjera, konkretisht të Greqisë.”

Marrëveshja për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë Veriore” është nënshkruar më 17 qershor nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe homologu i tij grek, Aleksis Cipras.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne