“Rilindja” e shëndetësisë, aty ku edhe punësimet bëhen me tender

Kryeministri Edi Rama si dhe ish Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, krenohen për shëndetësinë që kanë krijuar, edhe pse janë shpenzuar miliona euro konçesione. Por në fakt, në shëndetësinë “falas” nuk mungojnë edhe çudirat nga më të ndryshmet. Përveç konçesionimit të shëndetësisë, tani po zhvillohen tendera edhe për punësimet në këtë sektor.

Rasti më i fundit është i Qëndrës Shëndetësore Nr.8 nën Tiranë, e cila ka hapur tender për punësimin e një operatori. Kjo është një shkelje e ligjit, pasi punësimet në administratë bëhen vetëm nga Departamenti i Administratës Publike (DAP), një mekanizëm i prezantuar me pompozitet nga kryeministri Rama, ku të punësuarit do të jenë vetëm sipas meritave.

Por sipas dokumenteve të Tpz.al, kjo qendër shëndetësore do të zhvillojë procedurën ne prokurimit me vlerë të vogël, me fond limit 7.774.000 lekë të vjetra.

Kjo qendër shëndetësore kërkon “operator për hedhjen e formularëve të vizitav”. “Kërkohet operator për hedhjen e formularëve të vizitave për 12 muaj, përllogaritur për 340.000 formularë vizitash për gjithë vitin” – thuhet në dokumentet e tenderit.

Mësohet se pagesa e operatorit do bëhet në varësi të formularëve të hedhur, por pa kaluar vlerën e fituar për gjithë vitin. “Operatori është i detyruar të mbylle çdo datë 20 të muajit hedhjen e formularëve të muajit paraardhës. Operatori fitues duhet të sjellë dokumentacion pranë Qendrës Shëndetësore nr.8 në Tiranë brënda 24 orëve nga shpallja e fituesit” – thuhet në dokumente.

Po sipas tyre, operatori ekonomik pjesëmarrës duhet të vërtetojë me dokumente se ka kontrata të ngjashme ose fatura të realizuara me institucione shtetërore për këtë objekt prokurimi. Operatori ekonomik duhet të paraqesë NIPT-in dhe fotokopje të pagesës së detyrimeve ndaj shtetit për 3 muaj e fundit. Mësohet se  realizimi i shërbimit do të jetë më 20 janar.

Në dokumente thuhet gjithashtu se detyrat e operatorit është që të hedhë të dhënat elektronike, të sigurojë hedhjen e të dhënave (data-entry) të Formularit të Vizitës dhe të gjitha të dhënave të tjera, brenda periudhës së përcaktuar pa lejuar mbetje dhe vonesa ndërmjet periudhave.

Pra, në këtë rast, Departamenti i Administratës Publike (DAP) rezulton të jetë një institucion fiktiv, pasi punësimet në shtet i bëjnë vetë Qendrat Shëndetësore, jo me garë por me tender.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne