Bota

Rouhani: SHBA nuk mund t’i imponojë bisedime ose luftë Iranit

SHBA-të nuk mund t’i “imponojnë bisedime ose luftë” Iranit, deklaroi të martën presidenti iranian, Hassan Rouhani përmes video-lidhjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Duke përjashtuar mundësinë e “shkrirjes së akujve” në marrëdhëniet Iran-SHBA, Rouhani në fjalimin e tij tha se qeveritë e ardhshme të SHBA-ve “përfundimisht do të dorëzohen para rezistencës” së popullit iranian.

“Asnjë administratë në histori nuk ka zhbërë 13 vjet bisedime ndërkombëtare pa shpjegim të arsyeshëm dhe duke mos respektuar rezoluta të OKB-së”, tha Rouhani, duke iu referuar vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për tërheqjen e njëanshme të SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore 2015, Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit (JCPOA).

“Jeta është e vështirë nën sanksione, por është më e vështirë pa pavarësi”, tha Rouhani, duke përjashtuar praktikisht mundësinë e “bisedimeve” derisa SHBA të kthehet në marrëveshjen e vitit 2015.

Asambleja e 75-të e Përgjithshme e OKB-së vjen në mes të tensioneve të rritura midis Iranit dhe SHBA-ve pasi Washingtoni në mënyrë të njëanshme lëvizën për të rivendosur të gjitha sanksionet e OKB-së mbi Iranin, pavarësisht se anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundërshtojnë këtë veprim.

Më herët gjatë ditës, në fjalimin e tij Trump përsëriti arsyetimin e tij për largimin nga JCPOA, duke pretenduar se ishte “i tmerrshëm”.

“Irani ka lulëzuar”

Rouhani, në vërejtjet e tij, e quajti marrëveshjen “një nga arritjet më të mëdha në historinë e diplomacisë globale” dhe tha se vendi i tij ka qëndruar “besnik” ndaj saj.

“Ata na akuzojnë në mënyrë të gabuar dhe vendosin sanksione pa asnjë bazë me pretekstin e përhapjes bërthamore”, tha Rouhani, duke iu referuar pretendimeve se Irani po kërkon të ndërtojë një bombë atomike.

Pretendimet e Trumpit me largimin nga marrëveshja se Irani e ka shkelur atë në përgjithësi gjetën një përgjigje të ftohtë.

Duke potencuar ndikimin e sanksioneve amerikane në vendin e tij, Rouhani tha se Irani i ka rezistuar fushatës së “presionit maksimal” të Amerikës dhe “lulëzoi dhe përparoi” si një “strumbullar i paqes dhe stabilitetit”.

Rouhani, mandati i të cilit në detyrë mbaron vitin e ardhshëm, ka qenë duke luftuar me çështjet ekonomike të vendit, me rritje të reja të rasteve me virusin, rritje të inflacionit dhe valutë të dobët.

Ai është përpjekur të shmangë kritikat duke fajësuar sanksionet e SHBA-ve për problemet ekonomike dhe luftën për të frenuar përhapjen e virusit.

Rouhani tha se “epoka e dominancës dhe hegjemonisë” ka mbaruar dhe është koha të “ngrihemi kundër bullizmit”, në një sulm të fshehtë ndaj administratës së Trumpit.

“Fëmijët tanë meritojnë më mirë. Tani është koha për zgjedhjen e duhur”, tha ai.

Ka patur spekulime se administrata e Trumpit po kërkon një konfrontim me Iranin për të rritur shanset e tij për rizgjedhje në nëntor.

Ka gjithashtu raporte se rivali i tij demokrat, Joe Biden mund të kërkojë të ringjallë marrëveshjen, e cila u lehtësua nga kolegu i tij demokrat Barack Obama në vitin 2015. Në Iran, mendimi mbi ri-negociimin e marrëveshjes është i ndarë./AA

OPINIONE

INTERVISTA