Rudi Xhuliani bën thirrje për ndryshimin e regjimit iranian në tubimin e grupit ekstremist

nga Arron Merat dhe Julian Borger, The Guardian

Avokati personal i Donald Trumpit, Rudi Xhuliani iu drejtua të shtunën një tubimi të organizuar nga një grup ekstremist iranian opozitar në Paris, duke bërë thirrje për ndryshim të regjimit iranian.

Xhuliani foli në Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), një koalicion ombrellë i kontrolluar kryesisht nga organizata Mujahedin-el-Khalq (MeK), e cila dikur ishte renditur si një organizatë terroriste në SHBA dhe Evropë dhe ende konsiderohet gjerësisht si një kult marksisto-islamik i ndërtuar rreth personalitetit të lideres së tij, Maryam Rajavit.

“Ne tani jemi realisht në një gjendje në të cilën mund të shohim fundin e regjimit iranian”, i tha Xhuliani turmës prej rreth 4,000 vetësh, shumica e të cilëve ishin refugjatë dhe të rinj nga evropa lindorë të cilët ishin transportuar me autobuzë për të marrë pjesë në atë tubim në këmbim të një udhëtimi falas si për fundjavë në Paris.

“Mullahët duhet të largohen, Ajatollahu duhet të ikë dhe ata duhet të zëvendësohen nga një qeveri demokratike e përfaqësuar nga zonja Rajavi,” tha Giuliani. “Liria është shumë afër … Vitin e ardhshëm e dua ta kem këtë konventë në Teheran!”

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, i cili u bë këshilltar për sigurinë kibernetike në Shtëpinë e Bardhë përpara se të emërohej avokat personal i Trumpit në prill, është njëri prej konservatorëve amerikanë të vijës së ashpër që merr pjesë në konferencën vjetore të NCRI-së. Një tjetër mysafir i spikatur i ditës së shtunë ishte Newt Gingrich, një ish-zëdhënës i Shtëpisë se Bardhë dhe një aleat i ngushtë i Trumpit.

Në fjalimin e tij, Xhuliani tha se rënia e qeverisë në Teheran do të shkaktohej nga izolimi ekonomik.

“Kur fuqia më e madhe ekonomike ndalet së bëri biznes me ty, atëherë ti rrëzohesh … dhe sanksionet do të bëhen më të forta, më të forta dhe më të forta”, tha ai.

Në maj, Trump shfuqizoi marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015 me Iranin dhe urdhëroi një fushatë të fortë presioni ekonomik, duke kërcënuar me sanksione ndaj cdo kompanie të huaj që bënte biznes me Iranin dhe bëri thirrje për përfundimin e tregtisë me naftën iraniane nga muaji nëntor e andej. Xhuliani tha se vala e tanishme e protestave në Iran po orkestrohej nga jashtë.

“Këto protesta nuk po ndodhin rastësisht,” tha Xhuliani. “Ato po ndodhin për shkakun e shumë prej njerëzve tanë që ndodhen në Shqipëri [e cila i strehon në kompleksin e MeK] dhe të shumë prej njerëzve tanë këtu dhe në të gjithë botën”.

Nuk ishte e qartë nëse fjalët “njerëzit tanë” nënkuptonin popullin amerikan apo MeK-un.

Mysafir i nderit në konferencën e vitit të kaluar të NCRI-së ishte John Boltoni, i cili që atëherë është bërë këshilltar i sigurisë kombëtare. Bolton tha në tubimin e vitit 2017 se politika e SHBA-së duhet të përpiqet që të sigurohet se Republika Islamike “nuk do ta zgjasë qeverisjen deri në 40 vjetorin e saj” -1 prill 2019.

Politika e administratës Trump nuk është zyrtarisht pro ndryshimit të regjimit, edhe pse zyrtarët e lartë shpesh kanë lënë qe ajo të kuptohet. Duke përshkruar qasjen e tij në maj, sekretari i shtetit, Mike Pompeo, tha se ishte në dorën e popullit iranian për të lehtësuar presionin mbi vendin duke ndryshuar qeverinë e tij.

Xhuliani ishte një nga 33 zyrtarët e lartë të SHBA-së në konferencën vjetore të së shtunës. Bill Richardson, ish-ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, sekretar i energjisë dhe guvernator demokrat i New Mexicos, ishte gjithashtu i pranishëm.

Stephen Harper, ish kryeministër i Kanadasë, gjithashtu mbajti një fjalim ku përkrahte ndryshimin e regjimit iranian.

Ishte e paqartë nëse folësit në konferencën e së shtunës ishin paguar. NCRI dhe MeK kanë qenë të njohur për pagesat me shuma të mëdha.

Shumica e vëzhguesve të politikës iraniane thonë se MEK ka një mbështetje shumë të ulët në Iran dhe është e urryer gjerësisht për shkak të përdorimit të dhunës dhe për shkak të lidhjeve të ngushta që mban me inteligjencën izraelite.

Në mesin e temperaturave të larta të së shtunës, rreth 4,000 njerëz arritën me autobuzë në qendrën Parc des expositions të Parisit. Shumë prej tyre mbuloheshin nga flamurët e MeK-ut, i cili fjalën “Allah” të flamurit iranian e ka zëvendësuar me një luan të verdhë. Të tjerët mbanin kapele të verdha që kishin hashtagun “#Merjem Rajavi”.

Rreth gjysma e të pranishmëve ishin iranianë. Gjysma tjetër përbëhej nga një mori polakësh, çekësh, sllovakësh, gjermanësh dhe sirianësh që dukeshin që në fytyra që ishin të mërzitur. Ata i ishin përgjigjur një lajmërimi në Facebook që u kishte premtuar udhëtim, ushqim dhe strehim në Paris për vetëm 25 euro. Aty merrnin pjesë edhe qindra refugjatë sirianë të vendosur në Gjermani. Shumë prej tyre qëndronin nën pemët e shumta gjatë kohës së fjalimeve.

“Ne e morëm vesh ofertën në Facebook dhe ramë dakord të vinim në festë”, tha një nënë e re siriane ndërsa qëndronte e ulur në dyshemenë e konferencës duke u bërë fresk dy fëmijëve të saj të vegjël. “Nuk e kam parë asnjëherë më parë Parisin. Për MEK-un nuk di asgjë.”/theguardian/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne