Bota

Rusia dhe Arabia Saudite diskutojnë vazhdimin e marrëveshjes së OPEC-ut

Zyrtarët rusë dhe të Arabisë Saudite, në një takim të përbashkët në Shën Petersburg, kanë biseduar për planet rreth zgjatjes së afatit të marrëveshjes së OPEC-ut për reduktimin e prodhimit të naftës edhe pas marsit të vitit 2018, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri rus për Energjetikën, Alexander Novak, për agjencinë e lajmeve Tass, ka konfirmuar takimin me zyrtarët sauditë në Shën Petersburg.

“Me zyrtarët e Arabisë Saudite kemi diskutuar për mundësinë (për zgjatjen e afatit pas marsit 2018) që e njëjta të bëhet brenda kornizës së marrëveshjes së nënshkruar. Jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë”, ka thënë Novak.

Më 25 maj, anëtarët e OPEC-ut u pajtuan për zgjatjen e marrëveshjes së nënshkruar më herët edhe për nëntë muaj të tjerë, më konkretisht deri në mars të vitit 2018. Në takimin në Vjenë, anëtarët ranë dakord të vazhdojnë të ulin prodhimin e naftës për 1.2 milionë fuçi në ditë, ose në 32.5 milionë fuçi në ditë.

Bashkë me shtetet jo anëtare të OPEC-ut, ulja e prodhimit të naftës do të arrijë 1.8 milion fuçi në ditë, e barabartë me 2 për qind të prodhimit global. Që nga mesi i vitit 2014 kur çmimet e naftës filluan të bien, ky është përkufizimi i dytë të cilin e bën organizata, njëherësh ndërhyrja e dytë në tregun global të naftës. / AA

OPINIONE