Saga e Unazës, të preferuarit e tenderit të dytë

Janë zbardhur kompanitë që janë në garë për Lotin e Parë të Unazës së Madhe. Tenderi u rishpall pas pezullimit të kontratës së parë me kompaninë DH Albania, e cila rezultoi se jo vetëm ishte futur në garë me letra të falsifikuara, por ka dyshime të forta se administrata shtetërore u vu në shërbim të kompanisë që drejtohej nga një 26 vjeçar receptionist, me lidhje të afërta me biznesmenin Bashkim Ulaj.

Vlera e tenderit sërish nuk ka ndryshuar (çka dhe pritej sepse në të kundërt do të shtoheshin akuzat kundrejt ARSH-së) dhe ajo që vihet re është se një pjesë e kompanive që janë pjesëmarrëse në garën e dytë janë “kliente” të qeverisë edhe në punë të tjera publike.

Vlerën më të lartë e ka dhënë kompania “A.N.K”, e pasuar nga “Geci”, “Gjoka Konstruksion”& “Shans Invest”. Në garë janë edhe “GD Granid Ad Skopje”, ndërsa më poshtë në ofertë është “Curri” &”Vellezerit Hysa” & “Agri Contruksion”. “Vëllezërit Hysa” ishin pjesëmarrës dhe në tenderin e parë si mbushës të ofertës në garën e nëntorit. Tek kjo kompani ka marrë punë si nënkontraktor edhe kompania “Geci” që është garuesi me vlerën e dytë më të lartë si dhe një prej kompanive që aktualisht po ndërton një segment të Unazës.

Madje “Geci” është përgëzuar nga kryeministri Rama për ecurinë e punimeve, duke ironizuar me faktin se emri i biznesmenit Ramë Geci ishte në listën e oligarkëve të shpallur nga PD si klientë të pushtetit.

Lidhur me këtë ritenderim të dytë të Lotit të Parë të Unazës PD denoncoi edhe sot se fituesi i tij është i paracaktuar, duke përmendur një tjetër emër. Fituesi i paracaktuar sipas demokratëve do të jetë Rrok Gjoka dhe firma e tij “Gjoka Konstruksion” i cili tashmë po operon në kantier të hapur në Rrugën e Arbrit prej disa muajsh duke mbërritur në rreth 25% të punimeve. Nga të dhënat e tenderit shihet se kjo kompani nuk ka dhënë ofertën më të shtrenjtë por as dhe më e lira mes pjesëmarrësve në tender. Fakti që PD godet kompaninë “Gjoka” pa ofruar asnjë argument ku bazohet, mund të shihet edhe si mbështetje në favor të kompanisë “Geci” e cila vijon të ketë lidhje të forta në këtë parti. Pamvarësisht emrit dyshimet kanë qenë të forta se ky tender është i paracaktuar dhe kjo humb vlerë si akuzë apo debat në momentin që në tender ka 5 ofertuesë. Për momentin mund të themi që Gener 2 nuk është prezent në këtë tender, por supriza dhe mund dhe të ketë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne