Samiti Turqi-Francë-Gjermani-Angli: Liderët dakord për lehtësimin e efekteve ekonomike të COVID-19

Takimi i nivelit të lartë u realizua me videokonferencë për arsye të masave që zbatohen në mbarë botën për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Çështja kryesore e samitit ishte situata e fundit në Siri, vend që ka hyrë tashmë në vitin e 10-të të luftës civile.

Gjatë samitit katërpalësh u diskutuan metodat e ndihmave humanitare në zonën e Idlibit të Sirisë, çështja e azilkërkuesve, situata e fundit në Libi, mundësitë për bashkëveprim në luftën me koronavirusin, gjendja e Bashkimit Evropian (BE) dhe marrëdhëniet Turqi-BE.

“Ne gjetëm shansin të bëjmë vlerësime gjithëpërfshirëse për shumë çështje, nga lufta me koronavirusin e deri tek rrugët e zgjidhjes së krizës siriane duke u ndalur veçanërisht mbi situatën humanitare në Idlib dhe nga çështja e refugjatëve e deri tek marrëdhëniet Turqi-BE. Në këtë proces të vështirë, të cilin po e kalojmë në nivelin rajonal dhe global, ne do të vazhdojmë me përkushtim e vendosmëri të vëmë në punë më aktivisht diplomacinë dhe mekanizmat e bashkëpunimit, si dhe përpjekjet tona për të zgjidhur sa më shpejt problemet tona”, deklaroi Presidenti Erdogan pas samitit përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, shoqëruar me fotografi nga videokonferenca.

Për këtë samit u prononcua gjithashtu Kryeministri britanik, Boris Johnson.

“Liderët dënuan krizën humanitare dhe zhvendosjet masive të njerëzve brenda e jashtë Sirisë, të shkaktuara nga regjimi dhe mbështetësit e tij”, u tha në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga zyra kryeministrore britanike.

Duke sqaruar se në këtë samit katërpalësh u mor në shqyrtim edhe pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), komunikata e “Numrit 10” nënvizon se liderët u pajtuan mbi rëndësinë e mbështetjes së masave globale shëndetësore dhe lehtësimit të efekteve ekonomike të pandemisë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne