Serbët kërkojnë që Vidovdani të futet në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë

Komisioni për Administratë Publike ka shqyrtuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për festat zyrtare në Kosovë. Lista Serbe ka kërkuar që në Ligjin për festat zyrtare të futet 28 qershori që njihet si festa e Vidovdanit. Mirëpo, këtë e kanë kundërshtuar anëtarët e Komisionit. Deputeti Milaim Zeka këtë kërkesë e ka quajtur fyese për shqiptarët. “Nuk kam kurrgjë kundër festave serbe. Vetëm sa nuk kemi bërë festë për syneti. VV dhe Lista Serbe nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Është shumë provokative dhe tepër fyese për shqiptarët që jetojnë në Kosovë kur bashkëqytetarët e tu vijnë në Kosovë me fotografi të Millosheviqit. Ju na i keni vra një numër të madh të qytetarëve edhe ne pak. Nuk kemi pas mujt më shumë se suxhuk iu kishim bë”, tha ai. Deputeti i VV-së, Adem Mikullovci, i ka kthyer përgjigje Zekës duke thënë se nuk është e hijshme që të bëhet krahasimi me Listën Serbe. “Nuk është aspak e hijshme me e krahasua Vetëvendosjen me Listën Serbe. Nuk e votoj i gjallë”, tha ai. Megjithatë, Milaim Zeka tha se nuk e ka krahasuar por ka thënë se as VV-ja nuk i respekton simbolet e Kosovës. “VV nuk e respekton himnin e Kosovës, nëse ti e ke marrë ashtu kërkoj falje”, tha ai. Edhe deputeti i AAK, Rasim Selmanaj, e ka kundërshtuar futjen e 28 qershorit si festë zyrtare. “Kolegia nuk ka pse të ndihet keq. Ne po e kundërshtojmë 28 qershorin se ngjall debat. Ky debat po është në suaza normale. Edhe unë personalisht nuk e përkrahu që 28 qershori të jetë festë”, tha ai. Në fund ky projektligj i është dërguar për seancë me rekomandimin që të hiqet festa e 28 qershorit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne