Rajoni

Serbia miraton udhëzues lidhur me votimin në Kosovë për zgjedhjet e 21 qershorit

Komisioni Zgjedhor i Republikës së Serbisë, të enjten në mbrëmje, ka miratuar udhëzues për zbatimin e votimeve në territorin e Kosovës.

Të enjten, gjithashtu, misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që ka arritur marrëveshje me autoritetet e Kosovës që ky mision të zbatojë aksionin “për mbledhjen e votave” në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të datës 21 qershor.

Kryetari i komisionit serb, Vladimir Dimitrijeviq, ka sqaruar që përmbajtja e udhëzimit është gati se identike sikurse në zgjedhjet presidenciale serbe të vitit 2017.

Në udhëzim thuhet që zbatimi i votimit organizohet me mbështetjen e OSBE-së, “pa të cilën nuk është e mundur të garantohet zbatimi i sigurt i procesit zgjedhor në territorin e Kosovës”.

Siç ka theksuar Dimitrijeviq, risia është që gjatë përcaktimit të rezultateve të votimeve në Rashkë dhe në Vranjë, do të jenë të pranishëm edhe anëtarët e trupit punues, anëtarët e të cilit do t’i propozojnë të gjithë bartësit e listave. Ky trup punues do të kryejë kontrollin, si një përbërje e zgjeruar e këshillit zgjedhor.

Pas mbylljes së vendvotimeve, pas përfundimit të procesit të votimeve, anëtarët e këshillit zgjedhor duhet të vulosin materialin “pa vonesë” dhe ta dërgojnë në Komunën e Rashkës, gjegjësisht në qytetin e Vranjës, për ta dorëzuar më pas materialin zgjedhor te koordinuesit e Komisionit Zgjedhor të Serbisë.

Për sigurinë e bartjes së materialit zgjedhor, para dhe pas votimit, do të përkujdeset OSBE-ja.

Sipas udhëzimit, koordinuesit e Komisionit Zgjedhor të Republikës së Serbisë, para votimit ua dorëzojnë materialin zgjedhor drejtpërdrejtë këshillave zgjedhorë në Rashkë, gjegjësisht në Vranjë, më 20 qershor. Pas dorëzimit, materiali futet në thes, i cili vuloset me një bravë sigurie dhe nuk guxon të hapet para se këshilli zgjedhor të mos mblidhet në vendvotim në ditën e zgjedhjeve. Në udhëzim shkruan që votimi në vendvotim zbatohet në përputhje me dispozitat e Ligjit për zgjedhjen e deputetëve të popullit dhe rregullave për punën e këshillave të votimit.

Organet për zbatimin e zgjedhjeve në territorin e Kosovës, sipas këtij udhëzimi, janë Komisioni Zgjedhor i Serbisë dhe këshillat zgjedhorë.

Komisioni Zgjedhor i Serbisë ka deklaruar më herët që prej 8.386 vendvotimeve, 90 prej tyre gjenden në Kosovë, aq sa kanë qenë edhe viteve të kaluara./BW

OPINIONE

INTERVISTA