SHBA dhe BE vendosin sanksione për 8 zyrtarë bjellorusë për dhunën

SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE) njoftuan vendosjen e sanksioneve të bashkërenduara të premten ndaj tetë zyrtarëve bjellorusë për shtypjen e vazhdueshme të demonstratave anti-qeveritare.

Sanksionet e SHBA-së synojnë individë të akuzuar për përfshirje “në falsifikimin e zgjedhjeve 2020 dhe shkelje të të drejtave të njeriut”, tha sekretari i shtetit Mike Pompeo në një deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kërkojnë llogari nga qeveria e Bjellorusisë për shtypjen e demokracisë, përfshirë edhe nga ata zyrtarë bjellorusë të caktuar sot dhe 16 që mbeten të sanksionuar”, tha kryediplomati amerikan.

“Veprimi i sotëm i koordinuar me Bashkimin Evropian demonstron përkushtimin tonë të fortë dhe të vazhdueshëm ndaj popullit bjellorus, i cili në mënyrë paqësore kërkon që zëri i tyre të dëgjohet, si dhe të drejtën për të zgjedhur një udhëheqës përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, shtoi ai.

Midis zyrtarëve të sanksionuar janë ministri i Brendshëm i Bjellorusisë, Yuriy Khadzymuratavich Kareau, dhe zëvendësi i tij, Alyaksandr Pyatrovich Barsukou, sipas Departamentit të Thesarit.

Katër zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme do të vendosën në listën e sanksioneve, si dhe zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Vadzim Dzmitrievich Ipatau dhe sekretarja Alena Mikalaeuna Dmukhayla./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne