SHBA dhe NATO do të mbajnë gjithmonë përgjegjësi për kaosin në Libi

nga Darius Shahtahmasebi.

Zhvillimet e fundit në Libinë e shkatërruar nga lufta janë vënë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Gjendja në të cilën ndodhet sot Libia vjen nga shumë shkaktarë thelbësorë. Libia është rikthyer përsëri në lajmet kryesore. Në fillim të kësaj jave, një avion luftarak sulmoi aeroportin civil të Tripolit, aeroportin Mitiga. Sulmi ajror thuhet se u urdhërua nga forcat besnike të kryekomandantit libian Khalifa Haftar i Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA). Koha e sulmit duket se ka koinciduar me vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres në qytet, i cili si përfundim u largua nga Libia “me një shqetësim të madh dhe me një zemër të thyer”.

Deri tani rreth 2.800 deri në 3.400 njerëz janë larguar nga luftimet përrreth Tripolit, ku të paktën 47 kanë vdekur dhe mbi 180 të tjerë janë plagosur, duke përfshirë civilë dhe luftëtarë (GNA) pro qeverisë.

Fillimisht, bisedimet e mbështetura nga OKB ishin planifikuar për në datat 14-16 prill të këtij viti, por lufta e kohëve të fundit i ka vënë të gjithë në mëdyshje. Tashmë, forcat amerikane janë tërhequr përkohësisht për shkak të “kushteve të sigurisë në terren”. Pas njoftimit se trupat amerikane do të tërhiqen përkohësisht nga një vend i Afrikës së Veriut, vijnë edhe pyetjet se “pse trupat amerikane gjenden akoma në Libi?”

Megjithatë, tërheqja e Uashingtonit nga Libia mund të hapë rrugën që lojtarë të tjerë të marrin kontrollin. Me sa duket, Libia nuk paska qenë një prioritet i madh i administratës Trump, i cili duket se u ka dhënë dritën jeshile jozyrtare lojtarëve të tjerë që të spastrojnë rrëmujën.

Është interesante se për këto luftime duhet të kishte pasur parashikime shumë kohë më parë dhe duhet të ishte dhënë edhe një paralajmërim i plotë. Në fillim të marsit, Monitoruesi i Lindjes së Mesme (MEMO) raportoi se gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti, Haftar kishte arritur të merrte kontrollin e dy të tretave të Libisë dhe njërin sy e kishte për marrjen e kryeqytetit Tripoli. Në atë fazë, ai kishte marrë pothuajse shumicën e fushave të naftës në Libi dhe qendrave të mëdha të popullsisë. Nga fillimi i vitit 2017, Haftari kishte dalë tashmë si një udhëheqës i madh në Libinë lindore, duke pasur nën kontroll rreth 60 përqind të naftës së Libisë.

Sipas MEMO-s, forcat pro-Haftarit janë përshëndetur nga vendasit e gëzuar në pothuajse çdo fshat dhe qytet në të cilin ata kishin përparuar. Vezhgimet e MEMO-s në thelb tregonin se dinamika në ndryshim e politikës lokale të Libisë mund të çonte në faktin se në një të ardhme të afërt Haftari do të kërkonte të merrte Tripolin, por që nuk do të ndodhte shpejt. Pas kësaj, zona e fundit e madhe për tu pushtuar që ka gjasa të ketë edhe rezistencë kuptimplotë do të jetë Misrata, 300 km larg nga Tripoli.

Në vend që të ketë një diskutim të hapur rreth natyrës së vërtetë të situatës në Libi, ajo që na vjen nga media janë lajmet se “Libia po shkon edhe një herë drejt kaosit”, të cilin “mund ta ndalë Amerika”, pra gjepura të llojeve pro-imperialiste. Megjithatë kemi edhe lajme të llojit tjetër që na vijnë nga the Guardia si psh: “Rezultati mund të vendosë nëse vendi do të mbetet në rrugën e gjatë dhe të udhëhequr nga OKB-ja drejt një forme të demokracisë që do bashkojë institucionet e ndara gjatë vendit, ose do vendosë që vendi të bjerë nën një formë të sundimit ushtarak të ngjashëm me atë në Egjipt.”

Kjo na çon drejt arsyetimit se me të vërtetë Shtetet e Bashkuara do të dëshirojnë që me siguri të ri-përfshihen në kombin e Afrikës së Veriut. Gjatë fillesave të konfliktit të fundit, Moska u zotua të përdorë “të gjitha mjetet e disponueshme” për të ndërmjetësuar paqen në vendin e shkatërruar nga lufta, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në dhunë “që të shmangin çdo veprim që mund të provokojë gjakderdhje dhe vdekjen e civilëve”.

Ndërsa SHBA-ja dhe fuqitë e tjera kanë fajësuar për luftimet Haftarin dhe forcat e tij. Rusia duket se nuk është dakord me këtë dhe ka bllokuar një deklaratë të këshillit të sigurimit të iniciuar nga Mbretëria e Bashkuar për të dënuar Haftarin. Ndërkohë kjo do t’i japë më shumë arsye Shteteve të Bashkuara që ta kapërcejë krizën për të ardhmen e një vendi të Afrikës së Veriut të mbushur përplot me naftë. Por e vërteta e fshehur është se SHBA dikur e pati mbështetur Haftarin për përmbysjen e Gadafit në vitin 2011. Në të vërtetë, atij iu edhe shtetësia amerikane dhe jetoi gati dy dekada në Langley (jam i sigurt se afërsia e vendbanimit të tij me selinë e CIA-s është një rastësi). Raportohet se Haftar maadje e lejoi CIA-n që të ngrinte një bazë në qytetin lindor të Bengazit, zonë nën kontrollin e tij.

Ndërsa SHBA dhe Rusia ka të ngjarë që të jenë dy fuqitë kryesore të diskutimeve dhe reagimeve ndërkombëtare në lidhje me këto luftëra të kohëve të fundit, ka edhe disa lojtarë të tjerë të rëndësishëm që nuk po marrin të njëjtën vëmendje që meritojnë. Mos prisni që të jetë lajm kryesor, por pak para fillimit të ofensivës, Haftar kishte qenë në Arabinë Saudite ku u takua me Mbretin Salman. Kjo sinjalizon se forcat e Haftarit simpatizojnë të njëjtën metodë radikale salafiste të Islamit që Mbretëria Saudite eksporton si produkt në pjesën tjetër të botës.

Ai dyshohet gjithashtu se merr mbështetje nga Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) dhe madje edhe nga Franca, e cila në mënyrë të qetë po zhvillon sulme ajrore kundër kundërshtarëve të Haftarit (luftëtarët opozitarë të Çadit). Jo vetëm që Franca është një prej shkaktarëve kryesorë të kaosit që përfshiu Libinë në vitin 2011 (në fund të fundit ishte vetëm një avion francez Rafal që goditi karvanin e Muamar Gadafit në Sirte, gjë që çoi në vrasjen e tij brutale), por është ende sot e kësaj dite vendi që qëndron prapa skenave i cili vazhdon një politikë të vazhdueshme me ndërhyrje në Libi. Pjesë e këtyre ndërhyrjeve janë operacionet e fshehta, konsulentët dhe forca speciale që ndihmojnë në synimet e Haftarit. Pra, të gjitha këto i shtohen listës së Haftarit për krimet e supozuara. Megjithatë, Franca ende mohon që të ketë pasur ndonjë paralajmërim paraprak për përparimin e fundit të LNA-së.

Politika e jashtme amerikane duket se po ndjek këtë cikël kurioz, qesharak dhe frustrues të dhunës, ndërsa mediat e korporatave vazhdojnë të veprojnë me papërgjegjshmëri. Modeli duket të jetë diçka e tillë si. Një, SHBA mbështet një grup të caktuar, grupe, apo një diktator të një lloji që vepron si ushtri në emër të saj kundër një armiku të përbashkët. Dy, në momentin që armiku të jetë rrëzuar, përfaqësuesi i saj ose do të marrë frenat e vendit ose do të vazhdojë të bëjë kërdinë në vend, ose të dyja. Kur ky grup tejkalon dobinë e tij, lidhet me grupe armiqsh të tjerë, ka kryer krime kundër njerëzimit apo çdo lloj akuze tjetër që nis një proces demonizimi ndaj tij, si përfundim bën që SHBA të rithirret për ndërhyje. Fakti që SHBA ndërhyri dikur e para dhe është kontribuesja e kaosit, nuk përmendet fare nga mediat ose thjesht shpërfillet.

“Pse në Libi nuk ka fare ligj?” Pyeti një herë BBC. Ne të gjithë e dimë psenë, por ajo thjesht nuk raportohet me saktësi. Nën Gaddafin, Libia kishte standardin më të lartë të jetesës se çdo vend tjetër i Afrikës deri në kohën kur u rrëzua nga forcat e mbështetura nga SHBA-NATO. Sistemi i saj shëndetësor dikur ishte “zilia e rajonit”. Pas largimit të Gadafit, Libinë nuk e ka zili askush, përveç xhihadistëve maniakë që kanë dalë pas luftës së vitit 2011.

Fuqizimi i xhihadistëve në Libi nuk ishte një pasojë e paparashikuar e ndërhyrjes së NATO-s, as nuk ishte për shkak të dështimit të fuqive të NATO-s për të ndihmuar në rindërtimin e vendit. Prania e elementeve xhihadiste për të përmbysur Gaddafin ishte një dredhi e veçantë e përdorur nga vendet e NATO-s të cilët madje i kanë mbikëqyrur lëvizjet e tyre në vend në mënyrë që të mund të rrëzonin udhëheqësin libian. Në fillim të vitit 2011, një komandant rebel libian pranonte se luftëtarët e tij përfshinin xhihadistë që kishin luftuar kundër trupave aleate në Irak. Këta luftëtarë më pas luftuan nën flamurin e al-Kaidës në Irak (AQI), i cili u krijua si një entitet pas pushtimit të Irakut nga SHBA në vitin 2003. (AQI më pas u bë e njohur si ISIS).

Unë mund të vazhdoj shumë gjatë në lidhje me këtë temë, por mjafton të them se çdo media e zakonshme që i bën thirrje SHBA-së ose ndonjë fuqie perëndimore që të bëjnë më shumë për Libinë dhe që bën thirrje për ndalim ndaj të qënurit në mëdyshje është pjesë mashtruese e një historie të paqënë dhe nuk duhet të trajtohet si një mjet i besueshëm në opinonet e gjeopolitikës.

Uashingtoni ka bërë shumë në Libi dhe rajonin po e mban të rrethuar me dekada të tëra. Ashtu sikurse këshilltari politik libian Mohamed Buisier dikur tha: “Historia e Libisë është historia e fuqive të huaja që sunduan Libinë”./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne