SHBA – Presidenti Trump pohon dështimin e politikave të Uashingtonit në Siri dhe Irak

Gjatë fjalimit të tij rreth 2 orë të gjatë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Merilend, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se organizata terroriste DAESH do të mposhtet “njëqind për qind” për një ose dy ditë dhe përsëriti vendosmërinë e administratës së tij për të tërhequr trupat amerikane nga Siria.

“Ne do të lëmë një grup të vogël njerëzish dhe ushtarësh, por ne duam të sjellim njerëzit tanë në shtëpi. Tani është koha ta bëjmë këtë. Do të qëndronim në Siri vetëm 4 muaj, por përfunduam 5 vjet”, deklaroi Trumpi.

Ai sulmoi politikat e ish-administratave amerikane për Lindjen e Mesme duke kujtuar vizitën e tij të parë në Irak në vitin 2017, kur për qëllime sigurie u ishte dashur të fiknin të gjitha dritat e avionit ushtarak përpara se të uleshin në pistën e aeroportit.

“Mendojeni këtë, kemi shpenzuar 7 miliardë dollarë në Lindjen e Mesme dhe 20 vjet më vonë nuk mund të ulim avionin me drita ndezur. Sa e keqe është kjo! Baza ajrore ku u ulëm është e pabesueshme. Ne kemi shpenzuar 3 miliardë dollarë për ndërtimin e saj. Kjo është edhe një prej arsyeve përse nuk dua që ne të tërhiqemi nga Iraku. E si mund ta lësh atë?”, tha Trumpi.

Lideri amerikan gjithashtu kritikoi ish-sekretarin e tij të Mbrojtjes, James Mattis dhe gjeneralët e tjerë në Siri e Irak se kanë qenë shumë të ngadalshëm në mposhtjen e DEASH-it.

“Nga ushtarët mëson më shumë për atë që po ndodh sesa nga gjeneralët”, shtoi ai.

Duke potencuar se ai nuk do të jetë president që ulet pas tavolinës së punës, Trumpi la të kuptohet përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në të gjitha politikat ushtarake dhe angazhimin për një tërheqje të madhe nga Lindja e Mesme.

Nga ana tjetër, presidenti amerikane nuk u ndal aspak mbi tensionin ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, por nënvizoi se India aplikon tarifa doganore të larta për produktet e SHBA-së, prandaj edhe vendi i tij do të zbatojë një tarifë shtesë me 25 për qind për mallrat indiane./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne