SHBA – Senatori Josh Hawley kërkon hetimin e rolit të Kinës në përhapjen e COVID-19

Ligjvënësi republikan nga shteti i Misurit akuzoi Partinë Komuniste Kineze (CCP) se e ka gënjyer qëllimisht botën për origjinën e pandemisë që nga dita e parë.

“CCP ishte në dijeni të realitetit të virusit qysh në fillim të dhjetorit (2019), por porositi laboratorët që të shkatërrojnë mostrat dhe i detyroi mjekët të heshtin”, tha Josh Hawley duke potencuar se është koha për një hetim ndërkombëtar të rolit që Kina ka luajtur në përhapjen e kësaj pandemie shkatërruese.

Hawley shtoi se Partia Komuniste Kineze duhet të mbahet përgjegjëse për atë që po vuan bota.

Ndërsa kongresistja Elise Stefanik, një republikane e Nju-Jorkut, po e prezanton të njëjtën rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke thënë se Pekini “fshehu me vetëdije informacion kritik” të nevojshëm për të luftuar përhapjen e virusit.

Rezoluta e përbashkët dënon vendimin e Kinës për të fshehur detajet e sëmundjes gjatë javëve fillestare të saj dhe bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të menaxhimit të virusit nga ana e Pekinit përpara 11 marsit.

Virusi ka infektuar më shumë se 54.900 njerëz dhe u ka marrë jetën 784 të tjerëve në SHBA, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins”.

Pas shfaqjes më 12 dhjetor në qytetin Vuhan të Kinës, COVID-19 është përhapur në të paktën 169 shtete e rajone të ndryshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur atë një pandemi globale.

Rastet e konfirmuara me koronavirus në të gjithë botën rezultojnë më shumë se 422.000, numri i vdekjeve është rreth 19.000 dhe të shëruarit janë mbi 105.000./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne