SHIFRAT/ Biznesi i vogël fundoset, të mëdhenjtë lulëzojnë!

Edhe viti 2018 shënoi një bilanc negativ për bizneset e vogla. Sipas të dhënave paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjes numri i bizneseve të vogla, me 1 deri në katër të punësuar, ishte 94,008, duke u ulur në krahasim me një vit më parë, ku operonin 94.832 biznese të vogla. Por, ndërkohë që bizneset e vogla tkurren dhe mbyllin aktivitetin, bizneset e mëdha duket se janë rritur në vitin 2018.

Kështu, sipas Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2018 numëroheshin 6.873 biznese me 5-9 të punësuar, nga 6759 që kishin qenë një vit më parë. Edhe bizneset me 10-49 punësuar kanë qenë më shumë, ku sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT ishin 5241 nga 4839.

Rritje kanë pasur edhe bizneset me mbi 50 të punësuar , ku për vitin 2018 numëroheshin 1328 ndërmarrje nga 1242.

Në vitin 2018, operuan 107.450 ndërmarrje aktive, duke u ulur me 0,2 %, krahasuar me vitin 2017. Në të dy vitet (2017-2018) numri i ndërmarrjeve aktive në vend ka shënuar rënie.

Për vitin 2018 numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 4,6 %.

Në vitin 2018, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.179 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rritje me 7,0 %, krahasuar me vitin 2017. Investimet e realizuara arritën vlerën 238 miliardë lekë nga 232 miliardë lekë në 2017, duke shënuar një rritje prej 2,8 %.

Mbi treguesit kryesorë

Bazuar në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, kontributin më të madh në rritjen prej 7,0 % të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me +4,1 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me +2,9 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2018, sektori i tregtisë zë peshën më të lartë të shitjeve neto me 45,3 %, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 11,7 %. Sektorët me peshën më të vogël janë sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,8 %) dhe sektori i industrisë nxjerrëse (3,6 %).

Situatë e ngjashme paraqitet për treguesin e punësimit. Në rritjen prej 4,6 % të punësimit, prodhuesit e shërbimeve dhanë kontributin më të madh me +3,1 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuan me +1,5 pikë përqindje. Sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2018 janë sektori i tregtisë me 24,3 % të punësimit, sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 21,6 %, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,6 % të të punësuarve gjithsej.

Gjatë vitit 2018, investimet e realizuara u rritën me 2,8 %, ku prodhuesit e shërbimeve kontribuan pozitivisht me 8,0 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuan negativisht me 5,2 pikë përqindje. Prodhuesit e shërbimeve zunë 37,9 % të investimeve, nga 30,7 % që zinin vitin e kaluar. Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2018 ka investuar 54 miliardë lekë, duke zënë 22,9 % të investimeve gjithsej. Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restorante (3,1 %) dhe transport dhe komunikacion (6,4 %).

Numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2018 u ul me 0,2 %. Në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive, prodhuesit e shërbimeve dhe të mirave kontribuan negativisht me nga 0,1 pikë përqindje. Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (41,4 %), i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (21,2 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (17,7 %). Gjatë vitit 2018, sektori i industrisë nxjerrëse pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,6 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.

Kontributin kryesor e japin ndërmarrjet e mëdha

Gjatë vitit 2018, nga vrojtimi rezulton se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar japin kontributin kryesorë në ekonomi dhe realizuan 48,5 % të shitjeve neto, 42,2 % të të punësuarve gjithsej dhe 60,5 % të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,2 % të ndërmarrjeve aktive.

Nga rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve vërehet se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë kontributin më të madh të shitjeve neto me +5,0 pikë përqindje, të ndjekura nga ndërmarrjet me 10-49 të punësuar me +2,4 pikë përqindje në ndryshimin vjetor gjithsej të shitjeve neto./Monitor/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne