Shkarkimet e drejtorëve/ PD: E kanë vendin në burg, po zëvendësohen nga hajdutë të rinj

Shkarkimet e disa drejtorëve në disa institucione kyçe të vendit këtë të martë kanë sjellë reagimin e PD.

Në një deklaratë për mediat, nga selia blu, deputetja e PD, Dhurata Çupi e cilësoi shkarkimin e krerëve të institucioneve që janë në varësinë e transporteve si një përpjekeje për të larë duart nga vjedhja.

Sipas Çupit të gjithë drejtorët e shkarkuar e kanë vendin në burg pasi, sipas selisë blu, kanë lidhje me kompaninë “DH Albania”.

“Fushata e shkarkimeve të drejtorëve hajdutë të Edi Ramës është treguesi i kalbëzimit nga korrupsioni i kësaj qeverie, e cila nuk është e aftë të bëjë reforma, por do të ndërrojë hajdutët e vjetër me hajdutët e rinj. Një qeveri që ka vullnet të luftojë korrupsionin dhe jo të ndajë me klientët e saj paratë e shqiptarëve do ta çonte sot drejt qelisë së burgut drejtorin e Rrugëve, drejtorin e OST-së, drejtorin e Portit dhe çdokënd tjetër që vjedh. Kjo nuk ka për të ndodhur me vullnetin e Edi Ramës, sepse tenderi i Unazës së Madhe, për të cilin po shkarkohen sot drejtorët e tij, u mbrojt nga vetë Edi Rama. Partia Demokratike ka denoncuar që në fillim me fakte se tenderi 40 milionë euro për 2 kilometra është abuziv, korruptiv dhe me fitues të paracaktuar. Partia Demokratike ka denoncuar e para dhe solli prova se DH Albania, ishtë kompani e dyshimte me lidhje direkte me Damian Gjiknurin dhe Edi Ramën. Shkarkimi i shërbëtorëve të oligarkëve, të cilët grabisin shqiptarët me firmën e Edi Ramës, është i pamjaftueshëm, është një përpjekje për të larë duart me vjedhjen e 40 milionë euro. Drejtorët e shkarkuar e kanë vendin në burg! Por drejtësia është e paplotë, nëse do të vazhdojë të mos hetojë Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn dhe Edi Ramën për skandalin e vjedhjes tek Unaza e Re.”

Çupi akuzoi Ramën gjithashtu edhe në lidhje me anulimin e tenderit Thumanë-Kashar dhe kalimin e fondit për arsimin.

“Sot, Edi Rama, përdori zonjën 5 milionë dollarë të doganave për të mashtruar sërish studentët. Nga anullimi i Thumanë-Kashar nuk ka asnjë qindarkë të parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë vit. Çdo fjali tjetër është mashtrim dhe gënjeshtër! Protesta dhe qëndresa është e vetmja gjuhë që njeh frikacaku Edi Rama. Dhe këtë do të marrë derisa t’ia arrijmë t’u heqim shqiptarëve nga qafa një kryeministër hajdut, arrogant, shërbëtor i krimit dhe oligarkëve.”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne