Shqiperia

Shkodra si Palermo, në 6 muaj 7 viktima, 2 të zhdukur/ Zanafilla e përplasjeve dhe skeda e atentateve

Shkodra, e cilësuar si Palermoja e Shqipërisë, për shkallën e lartë të kriminalitetit dhe familjet mafioze që veprojnë në të, vitin e fundit është shndërruar dhe në qendrën e vrasjeve mafioze. Vetëm në 6 muaj e fundit, në këtë qytet janë regjistruar 7 viktima në atentate mafioze, numri i të plagosurve disa herë më i madh, ndërsa 2 persona vijojnë ende të jenë të zhdukur. Përplasjet nisën me atentatin me tritol ndaj biznesmenit Lulzim Kulla, ky i fundit së bashku me shtatë të tjerë mbetën të plagosur.

Disa muaj më pas, në datë 18 qershor u ekzekutua me armë zjarri Mehdi Kavaja. Pronari i një servisi makinash, 60-vjeçari Kavaja u qëllua me plumb në kokë në banesën e tij, ndërsa ende nuk dihen motivet dhe autorët.

Pa kaluar ende mirë jehona nga kjo ngjarje e rëndë, qyteti verior do të tronditej dy muaj më pas nga ekzekutimi i ish-policit Boran Berçana, në një atentat ku mbeti e vdekur edhe bashkëjetuesja e tij, Silvana Ndoci. Ata u qëlluan më 15 korrik me armë zjarri automatike e llojit “M5P”, ndërsa në automjet ndodhej edhe djali I tyre dy vjeçar, I cili fatmirësisht shpëtoi pa u lënduar. Policia në vendin e ngjarjes gjeti 23 gëzhoja.

Në verën e nxehtë që lamë pas, nuk kishin të ndalur vrasjet mafioze. Më datë 10 gusht, u vra në një atentat 53-vjeçari Fatbardh Lici. Ai ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër kur u qëllua. Autorët, ende të paidentifikuar, u afruan në lokalin që po pinte kafen dhe njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Lici dyshohet se në vitin 2011 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Gushti nuk do të mbyllej me kaq në kryeqendrën e veriut, që tashmë opinion publik kishte nisur ta krahasonte me Palermon.

Me 23 gusht, familjarët thanë se kishin humbur çdo lloj kontakti me shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, dajë e nip. Që prej asaj dite, nuk dihet ende asgjë për fatin e tyre.

Në datë 27 gusht pas një konflikti u vra Prendush Fusha 55 vjeç. Autori është Alfred Pëllumbi, rreth 30 vjeç, ndërsa u arrestua 24 orë më pas. Fusha me autorin kanë qenë fqinj me njëri-tjetrin dhe prej kohësh kishin konflikte pronësie me njëri-tjetrin. Më 1 shtator, biznesmeni Arjan Ferracaku ishte duke shëtitur mbi kalë në lagjen Livade kur u qëllua për vdekje. Ngjarja u raportua si vijim i përplasjeve mes bandave, ndërsa ende nuk ka persona të ndaluar për këtë ngjarje.

Ngjarja e fundit e kësaj sage të rëndë krimesh, ndodhi sot. Kushëriri i Arjan Ferracakut, Fatos Ferracaku u ekzekutua sot teksa ne Markatën e lagjes Partizani. I plagosur në gjendje të rëndë për jetën, mbeti shoku i tij Fatmir Mehaj. 7 viktima, dy të zhdukur e dhjetëra të plagosur është bilanci i rëndë i këtij viti në qytetin e Shkodrës, që me shume se djepit të kulturës, po i ngjan Palermos së viteve 30.

OPINIONE