Shkupi dhe Beogradi promovojnë sistemin e përbashkët elektronik për pagesë (ENP) në pikë pagesa

Preshevë

Në pikë pagesën e Preshevës është promovuar sistemi i përbashkët elektronik i integruar për pagesë (ENP) në pikë pagesat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, e cila u ra dakord vitin e kaluar në samitin “Ballkani i Hapur” në Ohër, raporton Anadolu.

Ky sistem i integruar elektronik për pagesë mundëson që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të mund të blejnë kartën elektronike për pikë pagesa në cilindo nga tre vendet, pavarësisht se ku automjeti është regjistruar.

Sistemi u promovua nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, në praninë e ministrit të Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, Bllagoj Boçvarski dhe ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, Goran Vesiq.

Sipas zyrtarëve, kjo mënyrë e re e pagesave në pikë pagesa do të rrisë sigurinë e trafikut, do të reduktojë bllokimet në autostrada, si dhe do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve në pikat e pagesës dhe qytetarët nuk do të duhet të presin në radhë gjatë orëve në pikun e sezonit.

– “Ballkani i Hapur”, nismë për “përmirësimin e përditshmërisë dhe tregtisë”

Kryeministrja Brnabiq në fjalën e saj para të pranishmëve tha se qeveria serbe përmes nismës “Ballkani i Hapur” dëshiron të lehtësojë qarkullimin e mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve, me qëllim që, siç tha ajo, përmirësimin e përditshmërisë dhe tregtisë për të gjithë në vend.

“Ne po punojmë së bashku në rajon që i gjithë tranziti evropian të kalojë përmes Ballkanit. Nisma ‘Ballkani i Hapur’ është i hapur për të gjithë dhe kur keni një projekt të tillë, i cili sjell përfitime konkrete për qytetarët, atëherë sheh se të tjerët, jashtë këtij rajoni, duan të bashkohen, si Kroacia dhe Greqia… jo në të gjithë nismën, por në projekte konkrete”, tha Brnabiq.

Kryeministri Kovaçevski, nga ana e tij, vlerësoi nismën “Ballkani i Hapur” në kuadër të të cilës u mundësua edhe sistemi për pagesë të shpejtë me ndihmën e pajisjes “TAG” në pikë pagesa.

“Ky është konfirmimi më i mirë se ‘Ballkani i Hapur’ është një nismë që jep rezultate, që funksionon dhe që njerëzit e duan. ‘Ballkani i Hapur’, nëse shohim hulumtimet e opinionit publik, është e vetmja nismë rajonale që ka mbi 80 për qind mbështetje në vendet që janë pjesë e nismës dhe kjo sepse nisma jep rezultate”, tha Kovaçevski.

– Qytetarët tregojnë “interes të madh” për sistemin e përbashkët elektronik ENP

Ndërkaq, ministri Vesiq tha se ky projekt është në përputhje me politikat e vendeve pjesëmarrëse për të mundësuar qarkullimin e shpejtë të mallrave dhe kapitalit. Ai njoftoi se në Serbi këtë pagesë elektronike e kanë marrë mbi 13 mijë njerëz, gjë që sipas tij, tregon interesin e madh të qytetarëve.

“Çdo ditë në Maqedoninë e Veriut kalojnë rreth 7 mijë automjete me targa serbe. Në gjashtë muajt e parë kemi pasur pothuajse 33 milionë automjete në autostradat tona dhe presim që deri në fund të vitit të arrijnë në pothuajse 72 milionë, që është një rritje prej 4,6 për qind, ndërkohë të hyrat janë më të larta për 12,5 për qind”, tha Vesiq.

Ndërkaq, ministri Boçvarski tha se në Maqedoninë e Veriut sistemi i integruar i pagesave elektronike po përparon, me rreth 33 për qind të pagesave në pikë pagesat e rrugëve të vendit që realizohen përmes këtij sistemi.

“Më vjen mirë që një nismë burimore e dy vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, sot është kthyer në realitet… e ajo është politika e lidhjes, e transportit më të shpejtë të mallrave dhe pasagjerëve nëpër dy vendeve”, u shpreh Boçvarski.

Në promovimin e sistemit ENP të pranishëm ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne