Rajoni

Shpallja ‘non grata’ e 52 ekstremistëve grekë, Athina: Presim sqarime nga Shqipëria

Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar pasi Shqipëria shpalli sot “non grata” 52 ekstremistë pas ngjarjeve të djeshme në Bularat, gjatë ceremonisë funerale për Konstandin Kaçifa, i cili u vra 10 ditë më parë gjatë shkëmbimit të zjarrit me RENEA-n. Athina pret sqarime nga Shqipëria për vendimin, ndërsa kërkon që të mos rëndohet klima e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Në këtë moment delikat presin që Shqipëria të distancohet nga deklaratat dhe veprimet që rëndojnë klimën e marrëdhënieve tona. Ne kërkojmë sqarime thelbësore për vendimin nga ana e autoriteteve shqiptare për të shpallur, në mënyrë masive, të padëshirueshëm 52 shtetas grekë. Mbetemi të përqendruar në ndërtimin e marrëdhënieve besimplota, por kërkojmë të njëjtën gjë edhe nga fqinjët tanë”

Ministria e Jashtme greke

Ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati u shpreh sot se personat që dje shpalosën parullat dhe i shoqëruan me thirrje nacionaliste antishqiptare në Bularat të ndiqen në rrugë ligjore.

Report Tv-Ngjarja në Bularat reagon Bushati

“Besoj se nga pikëpamja e detyrave shtetërore ne i kemi kryer ato detyra nji më nji dhe për incidentin fatkeq në Bularat. Shpresoj shumë që prokuroria, policia, organet hetimore ta thonë fjalën e tyre me profesionalizëm dhe ne ti krijojmë mundësi që ata të shprehen me profesionalizëm për çka ka ndodhur në Bularat, për rrethanat e humbjes së jetës. Një gjë e dimë të gjithë që po vure dorën mbi polici,kudo qofsh nga demokracitë më të zhvilluara, vendet më problematike, dihet se cili duhet të jetë reagimi dhe përgjigja e forcave të rendit. Së dyti, nëse i referohemi ngjarjes së djeshme ku pamë një shpërfaqje të një ekstremizmi dhe parullave të cilat në thelb dëmtojnë miqësinë mes vendeve tona, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe në këtë pikë mund të them që shpresoj që policia, forcat e rendit të bëjnë punën e tyre me seriozitetin maksimal dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë konsumuar akte të kundraligjshme të ndiqet rruga ligjore. Detyra jonë është që të mos biem në kurthin që identifikojmë një grup ekstremistësh me popullin grek, i cili në ditë të vështira dhe në ditë të lumtura ka qenë aty krah për krah me ne.”

Ditmir Bushati

Ministri i Brendshëm i komanduar njoftoi sot shpalljen ‘non grata’ të 52 grekëve për shkak të thirrjeve ekstremiste antishqiptare gjatë ceremonisë mortore të Kaçifas. Sandër Lleshi u shpreh se personat e shpallur të padëshiruar nga autoritetet shqiptare, kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.

Ai theksoi se askush nuk mund të tallet me respektin dhe urtësinë e popullit shqiptar, duke shfaqur ekstremizëm të patolerueshëm, ndërsa paralajmëroi masa ligjore në rast se ata do tentojnë të hyjnë në territorin shqiptar.

Dhe pse zyrtarisht lista ende nuk është bërë publike, Report Tv ka mundur të mësojë se mes tyre ka dhe emra të përfshirë në jetën politike greke dhe figura publike.

Kjo listë e përpiluar nga agjentët e antiterrorit do t’i përcillet Ministrisë së Jashtme e më pas e trupit diplomatik grek edhe me argumentet se përse këta shtetas nuk lejohen në Shqipëri dhe përbëjnë rrezik me praninë e tyre këtu.

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte nga policia e Gjirokastrës u lanë të lirë pasi u proceduan për tubim të paligjshëm dhe kalim të paligjshëm kufiri 14 shtetas mes tyre dhe Babis-Harallambos Karathano ish-deputet dhe politikan grek, por me prindër nga Dropulli i Gjirokastrës.