Shqipëri, fillojnë punimet e projektit të banesave të financuar nga Turqia

Në Shqipëri kanë filluar punimet e projektit të financuar nga Republika e Turqisë, për ndërtimin e 524 apartamenteve për familjet që u prekën nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar.

Kantieri i ndërtimit në Njësinë Administrativë Laç, në Bashkinë e Kurbinit, është vizituar nga ministri i Rindërtimit i Qeverisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, zyrtarë vendorë dhe përfaqësues të kompanisë turke Albayrak që do të realizojë punimet ndërtuese.

Pas inspektimit të fillimit të punimeve, ministri Ahmetaj tha se sot për komunitetin e Bashkisë së Kurbinit është një ditë e shënuar dhe shtoi se “për ne si qeveri është një datë ku konfirmojmë premtimin e dhënë dhe sot të mbajtur. Për një vit do të vijmë për t’u dhënë çelësat banorëve”.

“Në krye të një viti këtu, qytetarët e familjeve që kanë humbur shtëpitë e tyre dhe që nuk kthehen dot për shkak të dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit, do të kenë shtëpitë e tyre të reja, hapësirën e re komunitare me apartamente, hapësira publike, me qendrën komerciale dhe me shkollën. Sërish dua ta falënderoj popullin turk, qeverinë turke, ministrin e Urbanizimit të qeverisë turke që ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me mua dhe kryeministrin Rama dhe sigurisht presidentin Erdoğan për premtimin e mbajtur”, u shpreh Ahmetaj.

Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, tha se pas gjithë asaj sfide që kaloi qyteti i Laçit, por edhe gjithë rrethi i Kurbinit “sot hapin themelin e parë për t’i kthyer në normalitet banorët”.

“Nga zemra falënderoj popullin turk, qeverinë turke, presidentin Erdogan dhe pa dyshim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për gjithë mbështetjen që i dha popullit të Kurbinit për t’i kthyer edhe një herë banorët në jetën normale”, u shpreh Cara.

I pranishëm në fillimin e punimeve ishte edhe Servet Birgören, përfaqësuesi i kompanisë Albayrak që realizon punimet, i cili tha se “Jemi të nderuar që jemi një shtet vëllazërimi. Për shkaqe të tërmetit që ka ndodhur, si Turqi i dimë shumë mirë problemet. Shpresoj që brenda një viti të mbarojmë këtë projekt. Kjo është fjala e dhënë nga unë dhe kompania Albayrak”.

Projekti në fjalë zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Ndërkohë, kujtojmë se pas tërmetit, ekipet e institucioneve të ndryshme nga Turqia mbërritën në Shqipëri për ndarjen e ndihmave dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.

Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri shkaktoi dhjetëra viktima, plagosi qindra të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara mijëra njerëz./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne