Shqipëria më e varfra e Ballkanit/ Shqiptarët edhe bukën e blejnë me llogari bankare. BB: Njerëzit jetojnë me 5.5 dollarë në ditë për frymë

Banka Botërore vëren se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër i Ballkanit edhe në tre vitet e ardhshme

Disa kohë më parë më duhej të merrja një informacion në një prej institucioneve financiare jo bankare në Tiranë. U detyrova të prisja në atë zyrë të vogël, sepse agjentja po komunikonte me një çift nënë e bijë, të cilat po aplikonin për kredi. Nëna ishte diku tek të 50-at, ndërsa e bija tek të 20-at. “Do doja të merrja 150 mijë lekë borxh. 100 mijë më duhen për fejesën e vajzës, 25 i kam hua dhe 25 të shtyj muajin. Jemi familje e madhe”, sqaronte në siklet zonja agjenten e kredisë, e cila pavarësisht keqardhjes, i duhej ta refuzonte shumën, sepse zonja nuk i plotësonte kriteret për të marrë shumën e kërkuar. Zonja me të ardhurat që kishte, mund të përballonte pagesën vetëm për 80 mijë lekë kredi.
Aty, nga biseda me agjenten mësova se kryesisht njerëzit interesoheshin për shuma të vogla, për të zgjidhur shpenzimet e muajit, për të bërë blerje të vogla, apo edhe pajisje kategoria e bizneseve të vogla. Nuk kaloi shumë dhe në instagram e facebook nisën të më shfaqeshin shpesh faqe të sponsorizuara moneyshop dhe institucione mikrokredie që të bindin se nëse ke nevojë emergjente për para, nuk të nevojitet as vërtetim page dhe as garantues, por shumën e kërkuar e merr në 10 minuta. Mjafton një kartë identiteti apo pasaportë. “Keni ngelur me qindarkat e fundit? Vetëm një telefonatë larg”- qe dicitura e një fotoje për reklamë e një prej “dyqaneve” që ofrojnë para hua në Tiranë. Shumat e ofruara sigurisht që janë të vogla, variojnë nga 50-75 % të shumës së sendit me vlerë që ti lë si garanci në disa raste, kurse në raste të tjera duke nisur nga 30.000 lekë. Dhe kjo e fundit, nëse e merr për herë të parë dhe e shlyen për një muaj, nuk paguan interes. Por, pasi hyn në qerthullin e kreditimit, normat e interesit janë nga më të lartat 10-17% të shumës së miratuar. “Kategoritë që përdorin këto lloj kredish janë patjetër individët dhe kryesisht ata që kanë mikro-biznese, por që u nevojiten fonde për të kryer investime apo blerje pajisjesh kryesisht shtëpiake”, më thotë eksperti në fushën e financave dhe ekonomisë Elvin Meka.
Për Mekën ky lloj kreditimi ka rrezik të lartë, pasi në përgjithësi jepen dhe hua pa kolateral dhe është e logjikshme që norma e interesit do të jetë e lartë, madje më e larta e mundshme. Megjithatë kjo kategori e shqiptarëve rrezikojnë nga nevoja. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se personat me pagë minimale zënë 30 për qind të totalit të numrit të kontribuuesve. Në të njëjtën kohë Banka Botërore në një raport të saj disa kohë më parë do të artikulonte se 31 për qind e popullsisë shqiptare është e zhytur në varfëri, pasi jeton me më pak se 5.5 dollarë për frymë në ditë. Ka rezultuar nga BB se 925 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri duke pasur një nivel të ardhurash që nuk u siguron as mbijetesën. Për më tepër familjet shqiptare i mbajnë sytë nga emigrantët për t’u ushqyer. Banka Botërore ka vlerësuar gjithashtu, se remitancat përfaqësojnë rreth 13% të buxhetit vjetor të familjeve në Shqipëri. Gjatë viteve 2008-2017, raporti i remitancave me PBB-së në Shqipëri ishte mesatarisht 9.1%. Teksa papunësia ka pësuar rritje të lehtë në tremujorin e katërt të 2018-s (12,3% është aktualisht shkalla e papunësisë) dhe të rinjtë mbeten të papunët më të mëdhenj në Shqipëri, ku paga mesatare është 52 mijë lekë, ndërsa në Rumani e Bullgari ku paga bruto mesatare prej 692$ konsiderohet më e ulëta në BE; shqiptarët do të jenë të hapur të rrezikojnë për të ushqyer familjen, qoftë edhe nëse ushqimin do ta paguajnë disafish më shtrenjtë (përmes huasë). Këtë e faktojnë edhe shifrat e Eurostat. Sipas Institutit të Statistikave Evropiane, shqiptarët janë populli që shpenzojnë më shumë për ushqime në Evropë, krahasuar me atë që prodhon ekonomia e tyre në një vit. Shqiptarët përgjatë 2017-s kanë shpenzuar për ushqime sa 31% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, teksa mesatarja Evropiane është 6%. Çdo shqiptar në vlerë absolute shpenzon për t’u ushqyer në vit 1,248 euro, nga rreth 1800 euro që është shpenzimi mesatar në BE. (Të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë vetëm sa 30% e mesatares evropiane). Kurse shpenzimet për bukë dhe drithëra në Shqipëri qenë në 2017-n sa 4.9% e PBB-së, më e larta në Evropë. Eurostat tregon se shpenzimet e shqiptarëve për të siguruar bukën janë rritur në krahasim me 10 vite më parë. Konsumi i lartë i bukës dhe brumërave është një tregues tjetër që konfirmon varfërinë ndër shqiptarë që me të ardhura të ulëta, janë të detyruar t’i blejnë ushqimet shtrenjtë. Dhe në mesin e muajit detyrohen t’u drejtohen “dyqaneve” të parave për të marrë hua për blerë bukë e drithëra për pjesën e mbetur të muajit. Dhe rritja e kredisë për individë është një tregues që e mbështet këtë fenomen.

Banka e Shqipërisë do të thoshte në fillim të vitit (2019-të) se “Pritjet e bankave për tremujorin e parë të vitit 2019 flasin për shtim të kërkesës për kredi nga ana e individëve, në të dyja kategoritë. Rritja e kredisë vijon të jetë më e shpejtë në segmentin e kredisë në lekë dhe në atë të kredisë për konsum.” Në tremujorin e katërt të 2015-ës huaja konsumatore rezultonte 21,2 mld lekë dhe në tremujorin e katërt të 2018-ës huaja konsumatore ka shkuar në 25,2 mld lekë. Edhe Banka Kombëtare e Austrisë ka publikuar një raport për vendet e Evropës Qendrore dhe Jug-lindore, me titull: “Fokusi në integrimin ekonomik evropian T1, 2019” ku norma e borxhit për familjet shqiptare rezulton mbi 11% të PBB-së së vendit. Të dhënat tregojnë se 21% të huasë e ka shtresa më e varfër e popullsisë. Të varfrit shqiptarë janë borxhlinjtë e katërt më të mëdhenj në rajon. Banka Botërore vëren se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër i Ballkanit edhe në tre vitet e ardhshme, edhe pse varfëria relative pritet të vijë në rënie. Thënë këtë, ka vend ku të lulëzojnë “dyqanet” e parave përmes të cilëve shqiptarët e blejnë bukën të paktën 10% më shtrenjtë. Nga Sabina Veizaj

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne