Shqipëria shpall 52 shtetas grekë të padëshiruar në vend

Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë ka shpallur 52 persona me shtetësi greke të padëshiruar në Shqipëri për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të vendit dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike, pas ngjarjeve dje në Gjirokastër, gjatë ceremonisë mortore për shtetasin minoritar Kostandions Kacifa.

Lajmin e bëri publik në një deklaratë për mediat zëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, i cili theksoi se këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat e sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në vend, për periudhën e parashikuar në ligj.

“Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”, deklaroi Lleshaj.

Sipas zv.ministrit, është i papranueshëm, provokimi sa “vulgar, aq edhe i rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individë e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të patolerueshme ekstremizmi”.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka njoftuar se në lidhje me thirrjet raciste dhe bllokimin e rrugëve, do të hetojë në gjendje të lirë disa shtetas nga Greqia.

Për thirrjet antishqiptare të ditës së djeshme në fshatin Bularat të Gjirokastrës ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati si dhe kryetari i Partisë Për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, Rama thekson se kritikët mediatikë në Greqi dhe në Shqipëri nuk i duhen askujt.

“Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë që s’i duhen dreqit”, shkruan Rama.

Ndërsa, Idrizi në një deklaratë për mediat bëri thirrje për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Kujtojmë se, Kostandinos Kaçifa, banor i minoritetit grek mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës më 28 tetor ndërsa kjo ngjarje shkaktoi reagime të shumta në Shqipëri dhe Greqi.

Në ceremoninë mortore të tij më 8 nëntor morën pjesë edhe qindra qytetarë grekë dhe pjesëtarë të minoritetit grek që jetojnë në qytetet jugore të Shqipërisë, ndërsa kishte simbole greke dhe thirrje ekstremiste antishqiptare.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne