Shteti i Palestinës ngre padi kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shtetit të Palestinës Dr.Riad Malki, ka njoftuar për përpilimin e një aktpadie kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me transferimin e ambasadës amerikane në qytetin e pushtuar të Jeruzalemit.

Qendra informative e Palestinës njoftoi se Riad Malki, Ministri i Jashtëm i Palestinës, ka lëshuar të shtunën një deklaratë në të cilën ka thënë se, duke marrë parasysh përgatitjet e bëra për paraqitjen e një aktpadie Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Shteti i Palestinës në muajin maj të këtij viti ka informuar Departamentin Amerikan të Shtetit që të heqë dorë nga transferimi i ambasadës së këtij vendi në Kudsin e Shenjtë (Jerusalem) sepse një veprim i tillë është shkelje e Konventës së Gjenevës dhe shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Aktpadia e diplomacisë palestineze është bazuar në anëtarësimin e Shtetit të Palestinës në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, në veçanti Protokollin Opsional të Konventës dhe pranimin e juridiksionit të detyrueshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet në lidhje me çështjet që lidhen me Konventën.

Ministri i Jashtëm, Malki shtoi se: “Për shkak se nuk është dhënë asnjë përgjigje zyrtare nga ana e qeverisë së Amerikës dhe mosrespektimi i ligjeve dhe traktateve ndërkombëtare nga ana e Amerikës, më 4 qershor të këtij viti është dërguar edhe një memorandum për Departamentin Amerikan të Shtetit dhe ata janë informuar për vendimin e Autoritetit Autonom të Palestinës paraqitjen e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Ministri i Jashtëm i Palestinës ka thënë se kjo padi është përgatitur dhe së shpejti do t’i dorëzohet në GJND.

Në përfundim, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Shtetit të Palestinës Dr. Riad Malki theksoi se, aktpadia e ngritur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë konsiston në:

A. Të deklarohet dhe të pranohet se transferimi i Ambasadës Amerikane në Jeruzalemin e pushtuar përbën shkelje të Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.

B. Të urdhërohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të tërheqin misionin e tyre diplomatik nga Qyteti i Shenjtë i Jeruzalemit dhe të përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare në përputhje me Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.

C. Të urdhërohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të marrin masat e nevojshme në përputhje me detyrimet e tyre dhe të mos ndërmarrin në të ardhmen asnjë hap që mund të shkelë detyrimet e tyre të parashikuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Burimi: Ambasada Palestineze ne Shqiperi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne