Opinion Shqiperia

Si u kthye në ‘fushatë marketingu’, programi për zhvillimin e 100 fshatrave

Pas tre vjetësh, vetëm çereku i fshatrave të përmendur në listën e qeverisë kanë përfituar projekte, ndërsa ekspertët thotë se programi “100 fshatrat” dështoi të sillte efektet që priteshin për shkak të mungesës së koordinimit dhe copëzimit të investimeve.

 

Tabela me informacionin turistik në fshatin Karpen në bregdetin e Kavajës është ngulur mes një pirgu inertesh, buzë së cilës kalon rruga e bregdetit. Pas disa gropave të mbushura me ujë, në rrugë shfaqen disa shtëpi private disakatëshe.

Këto investime, siç thonë banorët, janë të vetmet në fshatin që u zgjodh në listën e programit “100 fshatrat”, i cili synon zhvillimin e rajoneve në zonat rurale.

Njëqind fshatra nga Veriu në Jug të vendit u përzgjodhën për t’u zhvilluar mbi 3 shtylla; infrastrukturë,  zhvillimin ekonomik të aktiviteteve private dhe mbështetje për zhvillimin e kapitalit social dhe njerëzor.

Por Xhevat Hallulli, i cili prej vitit 2012 ka ngritur një hotel, bashkë me restorantin dhe shërbimin e plazhit, thotë se fshati vuan një sërë mungesash dhe përfshirja në listën e propaganduar nuk ka ndryshuar asgjë.

“Karpeni vuan për çdo gjë, fillon që nga infrastruktura, energjia elektrike, ujërat e zeza, ujërat e bardha, i përfshin të gjitha – pra nuk mund të flasim për asgjë në zonën e Karpenit,” thotë sipërmarrësi Hallulli.

Ai shton se fshati buzë detit e ka çdo gjë prej natyrës dhe Zotit, ndërsa “dora e shtetit është zero”.

Hallulli tregon se ka klientelë që e preferojnë shumë Karpenin si një plazh familjar, por infrastruktura është kthyer në shqetësim serioz. Rruga gropa-gropa mirëmbahet nga bizneset private dhe uji i pijshëm sigurohet po prej tyre.

Sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, tre vjet pas fillimit të programit, vetëm 24 nga 100 fshatrat e përzgjedhur kanë përfituar investime në infrastrukturë – përveç tabelave informuese të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit.

Ndërkohë, as institucionet e përfshira nuk ishin të qarta në ato që raportuan si punë të kryera apo të planifikuara si pjesë e programit “100 fshatrat”. Ministria e Bujqësisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, FSHZH, kthyen përgjigje të ndryshme mbi buxhetin, fshatrat dhe projektet në lidhje me këtë program, edhe pse referencat ishin të njëjta.

Specialistë të fushës i thanë BIRN se mungesa e koordinimit, financimet e copëzuara dhe zgjatja në kohë e punimeve, ishin problemet kryesore të programit.

“Duke u angazhuar shumë dikastere, pa krijuar një strukturë përgjegjëse dhe pa krijuar fonde të mjaftueshme, nuk mund të bëhej dot,” thotë Zak Topuzi, kreu i sektorit hotelier pranë Shoqatës Shqiptare të Turizmit, që sheh se projekti nuk ka sjellë ndryshimin që pritej.

Ndërkohë, ish-ministri i Financave dhe specialisti i ekonomisë, Arben Malaj theksoi se copëzimi i investimeve rrit rrezikun e keqmenaxhimit të financave dhe zgjat kohën e vënies në eficencë të tyre, duke shtyrë në kohë edhe efektet.

Një fushatë marketingu                                                                                                                   

Fshati Dhërmi në bashkinë Himarë | Geri Emiri

Programi ‘100 fshatrat’ nisi në korrik të vitit 2018 me krijimin e “Akademisë 100 fshatrat”, në përbërje të së cilës ishin 22 grupe pedagogësh dhe studentësh nga 6 universitete të vendit, që në bashkëpunim me ministritë e linjave hodhën në letër propozime konkrete për çdo fshat.

Projekti synonte përmirësimin e infrastrukturës publike, zhvillimin ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike, si zhvillim të kapitalit njerëzor. Por pas gati tre vjetësh, vetëm çereku i fshatrave kanë marrë investime nga projekti.

Pjesa më e madhe e investimeve janë përqendruar në Jug të vendit, në fshatrat bregdetare dhe kryesisht kanë të bëjnë me rijetëzimin e shesheve dhe fasadave.

Roland Iliadhi, ish-futbollist i njohur i ekipit ‘Flamurtari’ ka një shtëpi pritëse për turistët në Dhërmi. Ai rreshton në një listë, ndërhyrjet e projektit në infrastrukturë.

“Ka marrë një bukuri të veçantë dhe shëtitorja e vogël në fshat, godinat që janë riparuar, rrugicat në fshat, kishat, sheshi Petro Marko me ndriçim, të zbukuruara,” tha ai.

Pak kilometra më larg në fshatin Vuno është ndërhyrë gjithashtu për rikonstruksionin e objekteve të kultit dhe pastaj në infrastrukturën e fshatit. Filip Xhani, një prej sipërmarrësve në sektorin e akomodimit, tregon se ndërhyrja “i ka dhënë një pamje tjetër fshatit”.

Xhani thekson se rikonstruksioni ka sjellë më shumë turistë dhe investime në Vuno.

“Me çfarë ka qenë, është shumë më mirë, ka pamje tjetër fshati edhe rrugicat në pjesën e sipërme të fshatit u shtruan,” tha ai.  “Investimi në fshat është një shans, sepse tani po interesohen të gjithë për shtëpitë që u rregulluan,” shtoi Xhani.

Fshatrat piktoreskë në bregdetin e Jonit shfaqen shpesh në videot propaganduese të qeverisë për programin e integruar të zhvillimit rural. Por ekspertët e ekonomisë theksojnë se investimet në këtë zonë janë përjashtim nga rregulli dhe vlerësojnë se projekti në tërësinë e tij ka dështuar të japë efektet e pritura, për shkak se investimet kanë qenë të pakta dhe jo të harmonizuara.

“Kemi një koncept të mirë, por faza përzgjedhëse dhe sidomos mënyra e fillimi të projektit e ka cenuar,” tha ish-ministri Arben Malaj.

“Por numri i projekteve kaq i vogël të realizuara dhe i atyre në fazë zhvillimi, tregon që ka qenë një projekt jo i harmonizuar, sidomos me burimet financiare, vendase dhe të huaja,” shtoi ai.

Malaj thekson se projekti i zhvillimit ose duhej të përfshinte të gjithë fshatrat në listë, ose të fokusohej në një listë më të vogël me investime të mëdha.

“Një nga problemet që kanë vendet me institucione të dobëta dhe me një kulturë të dobët të menaxhimit të financave publike është hapja njëkohësisht e shumë projekteve, zvarritja e tyre në një kohë të gjatë,” tha ai.

“Në këtë aspekt, paratë që hidhen nuk bëhen funksionale, pasi nuk mbyllet cikli i plotë,” shtoi Malaj.

Edhe për Zak Topuzin, investimet kanë qenë jo të qenësishme.

“Investimet duhej të ishin më direkte, duke mos qenë thjesht investime fasade,” tha ai, duke theksuar se ato mund të ndihmonin në kthimin e popullsisë në zonat rurale.

Topuzi theksoi se projekti në thelb kishte dështuar të ishte më shumë sesa një fushatë marketingu.

“Mendoj se ideja për 100 fshatrat ishte e mirë, por ka mbetur më tepër si imazh dhe nuk u arrit që të futej në punë dhe të vitalizoheshin këto fshatra,” tha ai.

“Për mua, projekti 100 fshatra ka ngelur thjeshtë si imazh dhe marketing,” shtoi Topuzi.

Mungesë koordinimi dhe rrëmujë të dhënash

NJë prej shesheve të fshatit Dhërmi, gjatë rikonstruksionit në kuadër të projektit “100 fshatrat”. Foto Geri Emiri

Institucionet e përfshira në program raportojnë të dhëna të ndryshme mbi projektet e zbatuara në lidhje me “100 fshatrat”, duke e bërë të vështirë të kuptohet se sa prej investimeve ishin pjesë e programit dhe sa ishin investime infrastrukture që ishin planifikuar prej vitesh dhe që preknin një apo disa nga fshatrat e përmendur në program.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i dërgoi BIRN një listë me projekte në infrastrukturë, të përfunduara dhe në zbatim, që preknin 19 nga 100 fshatrat. Lista sipas ministrisë ishte marrë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe përfshinte 10 miliardë lekë investime nga institucione financiare ndërkombëtare dhe 857 milionë lekë nga buxheti i shtetit.

Por Fondi Shqiptar i Zhvillimit i dërgoi BIRN një tjetër listë. Në këtë të fundit investimet në total arrinin 8.5 miliardë lekë. Ndërkohë, në të dy listat, edhe pse nga i njëjti burim, ndryshonin edhe projektet që përmendeshin si pjesë e programit, edhe fshatrat që ishin prekur nga këto investime.

Ministria e Bujqësisë raportoi se investimet e FSHZH kishin prekur 19 fshatra, por vetë Fondi raportoi se investimet e kryera dhe në zbatim preknin vetëm 18 fshatra. Po ashtu, të dyja palët dhanë lista të ndryshme të fshatrave ku ishin bërë investimet.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural raportoi investime në Lepushë, Tragjas, Rrajcë, Plloç/Amantia, Zogaj, Roskovec, që nuk përmendeshin në listën e dërguar nga FSHZH. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndryshe nga Ministria Zhvillimit Rural, raportoi investime në Luar, Nivicë, Boboshticë, Fishtë dhe Kaninë.

Ministria e Bujqësisë tha po ashtu se ishin investuar 75 milionë lekë për agroturizëm, 5.6 milionë në rikonstruksion ambientesh për turizmin rural, 18 milionë lekë në kultivimin dhe tregtinë me pakicë të produkteve lokale dhe 200 mijë lekë në panele diellore për stanet. Në informacion nuk përmendeshin projekte konkrete dhe as fshatrat përfitues.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës raportoi si pjesë të programit, investimet e Komunitetit Musliman Shqiptar dhe Kishës Ortodokse për rikonstruksionin e tre objekteve të kultit. Po ashtu, ajo raportoi disa ndërhyrje që ishin financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por nuk ishin në listën e këtij të fundit, si investime të programit “100 fshatrat”.

Roli i Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit duket se ka qenë minimal. Ajo bëri me dije se kishte investuar në vendosjen e 144 tabelave me informacion turistik për 100 fshatrat. Megjithatë, edhe ky informacion nuk ishte i qartë, ndërsa ministria ka përfshirë edhe tabelat e vendosura në vende si Plazhi i Currilave, që gjendet në zemër të qytetit të Durrësit.

Numri i paqartë i projekteve dhe fondeve të përdorura për programin “100 fshatrat” lidhet sipas specialistëve me mungesën e një strukture, që duhej të përgjigjej për të. Ata thonë se kjo mungesë koordinimi i bën të dyshimta efektet e investimit dhe përfitimet e mundshme prej tij.

“Koordinimi i një sërë institucionesh për nevojat më elementare është parakusht, sepse paraja e hedhur aty me idenë se do të kthehet shpejt, pengohet nga fakti që mund të ketë probleme me energjinë elektrike, furnizimin me ujë, një sistem jofunksional të pastërtisë dhe mirëmbajtjes së tyre,” tha Malaj.

Ai vë në dukje se të ndara, investimet nuk e ndryshojnë shumë në jetën e banorëve dhe se fokusi i projektit ka qenë sipërfaqësor, ndërsa thekson se lista ka pasur edhe qëllim elektoral.

“Nëse e vëmë re, një projekt i nisur para dy vitesh, pjesa që është materializuar është një përqindje shumë e vogël,” tha Malaj. “Druaj se kemi të bëjmë me një sëmundje të vjetër të një kulture ekonomike, ku tentohet të hapen sa më shumë projekte në një moment të caktuar, kur ky moment është përputhur edhe me një proces elektoral,” shtoi ai.

Fshatra të harruar

Besnik Berisha, banor në fshatin Karpen, duke folur për vështirësitë e përditshme nga mungesa e ujit. Foto Geri Emiri

Besnik Berisha mbështetet mbi pusin e tretë që ka hapur në oborrin e shtëpisë së tij në Karpen. Renditja e Karpenit si fshat turistik nuk i tingëllon mirë.

“Çdo vit ne i ndërrojmë rubinetat dhe dushet, se në radhë të parë është uji i kripët. Sido që të bësh shpime, po uji i kripët del,” thotë ai. “Ujin e kanë lart atje [në fshatin Karpen i Vjetër], 1 kilometër është dhe nuk e sjellin ujin,” shtoi Berisha.

Përveç mungesës së rrjetit të ujësjellësit, banorët dhe bizneset përballen edhe me një mungesë tjetër jetike.

“Po u lagën telat, ikin dritat,” ankohet Xhelal Krasniqi. “E kemi sëmundje sa mbaj mend unë,” shtoi 54-vjeçari.

E ngjashme është situata edhe në verilindje të Shqipërisë. Afro 15 kilometra larg nga Bulqiza gjendet fshati Zerqan me 551 banorë, i cili rreth 90% të të ardhurave i siguron nga bujqësia. Fshati ka 6 monumente të trashëgimisë kulturore dhe 4 monumentet të natyrës, që do të mundësonin aktivitete të turizmit malor. Për shkak të këtyre pasurive, Zerqani është listuar në programin e qeverisë, por deri tani banorët nuk kanë parë asgjë më shumë se sa përmendja e emrit të fshatit.

Banorët kujtojnë se investimi i fundit që është bërë në fshatin e tyre është rruga e asfaltuar në vitin 2009. Muharrem Bardhi, mësues në pension, tregon se duke filluar që prej këtij viti, fshati nuk ka më as shkollën bazë dhe as gjimnazin, pasi u mbyllën.

“Këtu nuk ka mbetur asgjë. Na ka mbetur vetëm historia si vend i artë,” tha Muharremi, i cili jeton në fshat vetëm me bashkëshorten, ndërsa fëmijët i ka në emigracion.

Në Zerqan banorët ende përballen me mungesën e ujit të pijshëm edhe pse në fshat ka disa burime ujore.

“Ne këtu në verë rrimë duke u ngatërruar me njëri-tjetrin, se nuk kemi ujë me pi,” rrëfen Lirie Vocrri, banore e fshatit. “Disa herë gjasme e kanë rregulluar ujësjellësin, vidh e ik ia bëjnë, se ujë jo,” shtoi ajo.

Edhe në fshatin Gjepalaj të Shijakut, një prej “100 fshatrave” turistikë, banorët përballen me vështirësi të ngjashme – ujin e pijshëm dhe infrastrukturën rrugore.

Ramazani Gjepalaj tregon se që prej hapjes së një biznesi agroturizmi nga shefi i guzhinës, Fundim Gjepali, ka shumë vizitorë, por që përballen me infrastrukturën rrugore shumë të keqe.

“100 herë na kanë dhënë fjalën se do bëhet rruga, por nuk e kanë bërë,” tha ai.

“Edhe ujë të pijshëm nuk kemi, përdorim puset për t’u larë dhe për t’u shpëlarë,” shtoi ai.

E ngjashme është situata edhe në Cahan të Kukësit. Fshati është vënë në listë e programit, por që ai të përfitojë, do duhej të ndërtohej rruga.

“Nga shteti kërkohet që të ofrojë infrastrukturën e nevojshme që të bëhej turizëm,” tha Bashkim Onuzi, ekspert turizmi nga Kukësi.

“Rruga është shumë e vështirë dhe me mungesën e kësaj rruge, turizmi nuk ka mundur që të zhvillohet,” përfundoi ai.

 

reporter.al

OPINIONE