Skandali 1 mld dollarë i biznesmenëve indianë, me nënshtetësinë shqiptare i shmangen drejtësisë; Nju Delhi kërkon ekstradimin

Kompania e tyre është përfshirë në një skandal të madh mashtrimi bankar dhe pastrimi të parave në Indi, ndërkohë që autoritetet e këtij shteti po kërkojnë ekstradimin nga Shqipëria të dy biznesmenëve.

 

Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara që prej 16 shkurtit të vitit 2018-të janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Dy indianëve u është dhënë nënshtetësia shqiptare me dekret të presidentit Ilir Meta.

Dy vëllezërit Sandesara janë drejtues të kompanisë farmaceutike ‘Sterling Biotech Ltd’ (SBL), pjesë e grupit ‘Sandesara’ me bazë në Gujarat të Indisë. Kjo kompani është përfshirë në një skandal të madh mashtrimi bankar dhe pastrimi të parave në Indi, ndërkohë që autoritetet e këtij shteti po kërkojnë ekstradimin e dy biznesmenëve.

Ata akuzohen se kanë krijuar të paktën 200 kompani fiktive për të bërë të mundur fshehjen apo pastrimin e rreth 1 miliard dollarë

Gjykata në Nju Delhi ka miratuar së fundmi kërkesën për ekstradimin e Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, e cila do t’u dorëzohet autoriteteve të Shqipërisë. Autoritetet idniane akuzojnë dy biznesmenët se me qëndrimin në Shqipëri po i shmangen procesit gjyqësor që ka nisur në vendin e tyre.

Aktiviteti në Shqipëri

Ndonëse presidenti Meta ka miratuar dhënien e nënshtetësisë për Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, aktiviteti i dy biznesmenëve në vendin tonë nuk është shumë i qartë.

Ata kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit një kompani të quajtur ‘Laxmi Reale Estate & Investment’, që ushtron aktivitet në fushën e ndërtimit. Kompania është e regjistruar në rrugën ‘Hamdi Garunja’ në Farkë të Tiranës, ndërkohë që nuk ka informacion të saktë për godinën ku ndodhet.

Kompania nuk ka as faqe zyrtare në internet, ku të jenë pasqyruar investimet e saj në Shqipëri.

Sipas ekstraktit në ‘QKB’, vlera e kapitalit deklarohet thjesht ‘50,00’. Dy ortakët e vetëm janë vëllezërit Sandesara.

Politiko.al komunikoi me përfaqësues të kompanisë ‘Laxmi’, por ata deklaruan se nuk kanë ende një informacion mbi çështjen e ekstradimit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne