Shqiperia

Skënderbeu 2018 – Edi Rama, mbyll xhaminë e Et’hem Beut per NATO-n

Ka raste në historinë njerëzore ku vihen në pyetje disa realitete se cfarë janë në të vërtetë: jemi në diktaturë, fashizëm apo demokraci?  I tillë është rasti i sotëm ku policia nuk ka lejuar besimtarët muslimanë të falen në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, meqë në hotelin aty pranë ka një delegacion të NATO. Mbyllja e xhamive në Shqipëri ka ndodhur vetëm në kohën e diktaturës dhe ky është rasti i parë në këtë pseudodemokraci që jemi.

A mos vallë diktatura erdhi sërish? Apo jemi të pushtuar nga NATO dhe nuk kemi asnjë kopetencë si shtet të kundërshtojmë një akt të tillë të panevojshëm, të pajustifikueshëm dhe të paprecedent, që tejkalon kushtet e mbrojtjes dhe sigurisë së qytetarëve.

Besimtarët e kësaj xhamie nuk janë njoftuar për një vendim të tillë dhe as Komuniteti Musliman i Shqipërisë nuk ka bërë një njoftim për besimtarët, e as një njoftim për shtyp, për tu shprehur mbi këtë akt diskriminues në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Kjo Xhami me vlera historike por dhe dëshmi e një kulture dhe qytetërimi të besimtarëve të saj, e cila popullohet më së shumti nga turistë sesa besimtarë, me përjashtim të kohës së kryerjes së riteve, nuk meritonte të trajtohej si xhami ekstremiste kur nuk është e tillë. Besimtarët e kësaj xhamie nuk kanë asnjë problematikë për tu paragjykuar si ekstremistë dhe për të arritur në një masë kaq ekstreme mbrojtjeje që nuk i përgjigjet rrezikut apo kërcënimit të mundshëm.

Ky akt i turpshëm i shtetit shqiptar për mbylljen e një xhamie si ajo e Et’hem Beut,  vetëm se rrit tensionet mes besimtarëve dhe mbjell frikë e terror tek qytetarët e turistët që vizitojnë këtë xhami.

Ky akt duhet të sensibilizojë edhe ata besimtarë e imamë që në mbrojte të Atletit të Krishtit janë aq aktivë, megjithë njohuritë e tyre amatore e mediokre në këtë fushë, të cilët duhet të lobojnë e vënë në lëvizje përgjegjësit, për të kërkuar një ndjesë publike minimumi, si dhe mospërsëritjen e rasteve të tilla diskriminuese e të egzagjeruara.

Mesa duket viti i Skënderbeut do ti gjejë muslimanët shqiptarë edhe me mbyllje xhamish si rasti i xhamisë së qendrës së Tiranës, përvec burgosjes dhe vendimeve politike kundër besimtarëve muslimanë.