Snowden: Shefja e re e CIA-s mund të arrestohet në BE mbi rolin e saj në një program torturash

Ish-punonjësi NSA-së Edward Snowden ka shkruar në Twitter se drejtoresha e re e CIA-s, Gina Haspel, mund të përballet me arrestim nëse vendos këmbën e saj në Bashkimin Evropian, sepse pretendohet se është përfshirë në një program torturash në një burg sekret të CIA-s.

“Interesante: Drejtoresha e re e CIA-s, Haspel, e cila ka torturuar disa njerëz, ndoshta nuk do të mund të udhëtojë në BE për të takuar shefat e tjerë të agjensive të spiunazhit, pa u përballur më parë me arrestim për shkak të një ankese nga ECCHR Berlin drejtuar prokurorit federal të Gjermanisë”, tha Snowden. Ai publikoi një link ku tregohej një raport i Qendrës Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe për të Drejtat e Njeriut (ECCHR), i cili lidhej me një padi penale të vitit 2017 kundër Haspelit.

Ankesa penale ishte paraqitur në prokurorinë federale të Gjermanisë më 6 qershor 2017. Ajo ishte një vazhdim i një ankese të parashtruar më parë që nga viti 2014, e cila ishte ndjekur nga të tjera në vitet 2015 dhe 2016.

Në ankesën e ECCHR-së rikujtohet se Haspel ishte eprore e dy psikologëve famëkeq, James Mitchellit dhe Bruce Jessenit, përgjegjës për zhvillimin e programit të torturave i përdorur tek të dyshuarit për terrorizëm në burgjet sekrete të CIA-s dhe në burgun e Guantanamos.

Sipas ECCHR-së, vetë Haspeli mbikëqyrte torturat kundër Abu Zubejdes, të burgosurit më të famshëm të Guantanamos, i cili akuzohet për përgatitjen e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, por që asnjëherë nuk është përballur me ndonjë gjykim penal apo me akuza zyrtare. Në vitin 2002, Zubejde u mbajt në një burg sekret të CIA-s në Tajlandë, i njohur si “Syri i Maces”.

“Gjatë kohës që drejtonte burgun, Gina Haspel nënshkroi disa dokumenta (ekstrakte të shtypura me përmbledhjen ekzekutive të Raporteve të Komisionit të Inteligjencës të Senatit) në selinë e CIA-s në lidhje me torturat e Ebu Zubejdes,” thuhet në ankesë. “Një dokument i botuar zyrtarisht në 15 korrik 2002 tregonte se Gina Haspel ishte e vetmja persone me autoritetin për t’i dhënë fund torturave ndaj Ebu Zubejdes.” “Gina Haspel nuk e ka shfrytëzuar këtë kompetencë për ti dhënë fund torturave,” thuhet në raportin e ECCHR-së .

Raporti gjithashtu vë në dukje se ajo u përpoq të shkatërronte të gjitha dokumentet dhe dëshmitë e tjera të përfshirjes së saj në programin e torturave, gjë që tregon se ajo gjithnjë ka qenë plotësisht e vetëdijshme për përfshirjen e saj në kryerjen e krimeve.

Organizata i bën thirrje autoriteteve gjermane që të marrin masat e duhura, të cilat përfshijnë edhe lëshimin e një urdhër arresti për Haspelin nëse udhëton në Gjermani apo në zonën Shengen.

Snowden gjithashtu vuri në pikëpyetje Haspelin si përfaqësuese e “vlerave të promovuara nga SHBA” dhe sugjeroi që CIA duhet të fillojë nxjerrjen e uniformave të zbukuruara me “kafka dhe rrufe”.

Haspel u emerua shefe e CIA-s pasi Presidenti Donald Trump njoftoi të martën se Rex Tillerson do të linte detyrën e sekretarit të shtetit dhe do të zëvendësohej nga drejtori aktual i CIA-s, Mike Pompeo. Si Pompeo edhe Haspel do të duhet të marrin konfirmimin e Senatit të SHBA-së./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne