Spekulimet/ “Nikolla Gruevski u arratis nga Tirana?”

Autoritetet hungareze pranuan mesditën e së martës kërkesën e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski për azil politik. Një ditë më parë ai kishte deklaruar publikisht largimin nga vendi pas gjykata penale e Shkupit konfirmoi dënimin me 2 vite burg për ish-kreun e VMRO-DPMNE-së.

Ajo që të gjithë pyesin në Maqedoni është mënyra që zgjodhi Gruevski për tu arratisur. Spekulimet janë të shumta. Në opinionin publik maqedonas thuhet se ai përdori një pasaportë hungareze ose një pasaportë serbe për të dalë nga vendi. Të tjerë thonë se ai është larguar me një avion privat fillimisht në Beograd për të mbërritur në Budapset. Por ka edhe një teori tjetër të cilën e ka hedhur në publik gazeta serbe “Politika”.

Titulli kryesor i kësaj gazete në numrin e të mërkurës është: “Gruevski iku nga Shqipëria”. Në shkrim thuhet se ish-kryeministri maqedonas përdori një pasaportë të rreme dhe gjatë natës kaloi kufirin me Shqipërinë nga pikat e kalimit kufitar dhe më pas ka udhëtuar me makinë drejt Tiranës.

Gruevski është pranuar më pas në ambasadën e Hungarisë në Shqipëri dhe mëngjesin e së hënës ka udhëtuar me një avion të kompanisë “Malev” nga Tirana drejtpërdrejt në Budapest.

“Ekuipazhi i avionit nuk kishte asnjë ide se kush ishte pasagjeri me kapele dhe syze dielli, të cilën ai nuk e kishte hequr në aeroplan” – shkruhet me pak fantazi në shkrimin e gazetës serbe “Politika, citon lapsi.al. Ky version i gazetës serbe mbetet për tu verifikuar dhe ndoshta autoritetet shqiptare duhet të nisin një hetim. E përditjshmja serbe bën edhe pak ironi në fund të shkrimit pasi thotë se Gruevski përdori pikërisht Tiranën për tu arratisur e cila kishte punuar fort kundër tij për ta rrëzuar nga pushteti duke kujtuar atë që njihet si “Platforma e Tiranës”.

Sapo urdhër-arresti ndërkombëtar hyri në fuqi, Gruevski bëri një postim në Facebook ku lajmëronte se ndodhej në Budapest dhe ku kishte kërkuar azil politik për shkak të kërcënimeve për jetën që kishte marrë. Autoritetet në Shkup janë duke hetuar kush e ndihmoi Gruevskin të arratisej pasi ai duhet të ishte nën mbikëqyrje të rreptë policore për 24 orë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne