‘Srebrenica’, “virusi i mohimit” që e bën të vështirë pajtimin e popujve në Ballkan

Nga Nicole Corritore

Nuk ka pajtim pa u përballur me të gjitha faktet e së kaluarës…

Alma Mustafić ishte vetëm 14 vjeçe kur ndodhi gjenocidi në Srebrenicë në korrik 1995 nga trupat serbe të Bosnjës të drejtuara nga Ratko Mlladić, pavarësisht se që nga prilli i vitit 1993, qyteti në Bosnjën Lindore ishte shpallur “zonë e mbrojtur” me Rezolutën nr.819 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pasi mbijetoi, ajo u strehua në Holandë me nënën dhe vëllanë e saj të vogël, ku jeton edhe sot. Së bashku me familjarët e 3 të vrarëve të tjerë, që nga viti 2008 ajo po kërkon drejtësi për babain e saj Rizo Mustafić, një elektricist i punësuar nga batalioni holandez i stacionuar në Srebrenicë, dhe i dërguar drejt vdekjes bashkë me dhjetëra burra më 13 korrik 1995.

Në vitin 2011, Gjykata e Apelit në Hagë, shpalli fajtor shtetin holandez, sepse paqeruajtësit e saj, Dutchbat, nuk e penguan masakrimin e 8 mijë djemve dhe burrave boshnjakë myslimanë. Beteja e Almës ishte e rëndësishme, pasi i dha mundësinë të ngrinin padi edhe familjet e 350 burrave të tjerë që asokohe ishin strehuar në bazën e OKB-së, dhe që paqeruajtësit ia dorëzuan gjeneralit Mlladić.

Megjithatë në këtë rast rezultati ishte i hidhur:dënimi i shkallës së parë u zvogëlua nga Gjykata e Lartë në vitin 2019. “Mendova se dënimi i dhënë për vrasjen e babait, do të kishte ndikim mbi vetëdijen e holandezëve për atë që ndodhi në vitin 1995. Po kjo nuk ndodhi”- tha Alma për Al Jazeera Balkans.

Prandaj ajo vendosi të angazhohej për të promovuar kujtimin e asaj që ndodhi. “Sepse Srebrenica është një përgjegjësi evropiane dhe një pjesë e historisë sonë”- thekson gruaja boshnjake. Ndër nismat e saj, ishte krijimi i një dëshmie historiko-teatrale që bëri bujë në Holandë.

“Emra të rrezikshëm“ është një film me regji të Boy Jonkergouë, në të cilën Alma dhe Raymond Braat, në atë kohë pjesë e helmetave blu të Dutchbat në Srebrenicë, luajnë veten e tyre. Një film prekës që trajton dhimbjen dhe traumën, e cila u pasua nga dokumentari “Ti luan rolin e babait tim“, që u shfaq së fundmit si pjesë e programit të përvjetorit të 29-të të masakrës së Srebrenicës.

Që nga 11 korriku i vitit 2004, në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari, e inauguruar në vitin 2003 pranë vendit ku në vitin 1995 ndodhej baza e paqeruajtësve, varrosen çdo vit eshtrat e viktimave të gjetura në varreza masive dhe të njohura falë analizës së ADN-së. Pasditen e të mërkurës, në Potoçar mbërritën 14 tabut (arkivole të vegjël) të viktimave, familjarët e të cilëve e kishin autorizuar varrimin. Ka ende 1 mijë, ndër 8372 që njihen zyrtarisht, viktima të gjenocidit që nuk kanë ende një varr.

Disa anëtarë të familjes zgjedhin të presin ende, me shpresën e rindërtimit të sa më shumë skeleteve të të dashurve të tyre, të cilët ishin fshehur në varreza masive, dhe që ende nuk u dihet vendndodhja. Ndërsa për të tjerët ose nuk janë gjetur mbetje, ose dergjen pa emër në qendrat e identifikimit.

Ndër ata që u varrosën së fundmi kishte një të mitur:Beriz (Omera) Mujic, i lindur në Zvornik në vitin 1978. Eshtrat e tij u gjetën vitin e kaluar, 28 vjet pas vrasjes në Suçeska, disa kilometra larg Srebrenicës. “Paqen” do ta gjejë pranë vëllait të tij, Hazimit, i varrosur në vitin 2013.

Ndërkohë janë edhe dy vëllezër, Hasib dhe Ćamil Efendić, të lindur përkatësisht në vitet 1931 dhe 1928, eshtrat e të cilëve u gjetën të shpërndara në varreza masive në Kula dhe Potoçari në vitet 2011 dhe 2006. Varret e tyre do t’i shtohen atij të vëllait të tretë Edhem, të varrosur në vitin 2007.

Emra dhe histori që përveç Memorialit mbahen gjallë me kërkime, vizita studimore, konferenca, ekspozita dhe një arkiv dokumentar. Për shembull, me Shkollën Verore Ndërkombëtare për Rininë, organizuar nga Qendra e Kërkimeve pas Konfliktit, e cila i kushtohet promovimit të kulturës së paqes dhe parandalimit të konflikteve të dhunshme në Ballkanin Perëndimor.

Këtë vit u mbajt edicioni i parë i shkollës verore “Studimet e gjenocidit”. Për një javë, 25 studentë nga 18 vende – nga fakultetet e shkencave sociale, historisë, drejtësisë, politikës ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe gazetarisë – u takuan me ata që punojnë këtu.

Për shembull, me studiuesit Merima Mujičić, Zenaida Hodžić dhe Mirsada Mustafić nga arkivi i Muzeut të Kujtesës i inauguruar në vitin 2021, dhe me ata që koordinojnë projektin substancial “Historia gojore. Jeta pas fushave të vdekjes“, e cila deri më tani ka grumbulluar 600 video dëshmi nga të mbijetuarit.

“Prej 2 vitesh jam më mirë. Por për shumë kohë isha në depresion. Njëherë po shihnim një film mbi nazistët dhe i thashë gruas sime:E sheh? Kështu isha edhe unë, si SS-të… e dinim që ata burra (do të vdisnin)… Për një kohë të gjatë më vinte turp, doja të vdisja. Nuk mund ta kthej dot babanë tënd, Alma, por më thuaj se çfarë mund të bëj për ty tani”.

Kështu hyn në skenë Raymond Braat, një paqeruajtës 20-vjeçar në Srebrenicë në vitin 1995, duke filluar përballjen me Alma Mustafić. Përballjen me të kaluarën e kanë tentuar edhe ish-ushtarë të tjerë të batalionit holandez. Organizata holandeze “PAX për paqen“, i çoi disa prej tyre në vendin e gjenocidit për herë të parë në vitin 2007 për të takuar shoqatat e grave të mbijetuara.

Komuniteti ndërkombëtar është përpjekur të vendosë drejtësinë për viktimat. Gjykata e Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë, dënoi për krime lufte Radovan Karadžić e Ratko Mladić dhe komandantë të tjerë të lartë të ushtrisë serbe të Bosnjës.

Dënimet mbi këtë masakër kanë prekur 47 persona deri më tani, të dënuar me gjithsej 700 vjet burg. Pastaj, u deshën 29 vite për të arritur në miratimin e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 23 maj të këtij viti, që e përcakton 11 korrikun si një ditë reflektimi dhe përkujtimi mbi gjenocidin e Srebrenicës si dhe detyrime të tjera që lidhen me për krimin e gjenocidit.

Kjo rezolutë u kundërshtua ashpër në Serbi dhe në Republika Srpska (entiteti serb i Bosnje Hercegovinës), duke vazhduar që të mohohet çdo përgjegjësi. Shoqëri dhe autoritete që nuk pranojnë, apo që përpiqen të parandalojnë çdo formë të përballjes me të kaluarën, gjë që e kanë bërë prej vitesh aktivistë dhe shoqata të caktuara.

Midis tyre, Gratë në të Zeza (Žene U Crnom Srbija) dhe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR Srbija) e Beogradit, organizoi “Ditët në kujtim të gjenocidit të Srebrenicës“ me një debat dhe demonstratë para selisë së parlamentit serb. Konferencën e hapi drejtori i Memorialit të Potoçar, Emir Suljagic që deklaroi:“Nuk ka pajtim pa u përballur me të gjitha faktet e së kaluarës. Unë dyshoj se do të kemi sukses me këtë brez, por po punoj për të ardhmen”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne