“Strategjia e SHBA-ve për Afganistanin ka dështuar”

Ish-ministri i Jashtëm i Afganistanit, Rangin Dadfar Spanta, tha se strategjia e re e qeverisë amerikane për Afganistanin dhe Azinë Jugore ka dështuar dhe se paqëndrueshmëria në Afganistan vazhdon ende. Spanta, i cili për një kohë ka kryer edhe detyrën e këshilltarit për sigurinë kombëtare të ish-presidentit Hamid Karzai, për Anadolu Agency (AA), ka folur për situatën aktuale të sigurisë në vendin e tij.

Duke u shprehur se strategjia e re e qeverisë së SHBA-ve për Afganistanin dhe Azinë Jugore ka dështuar, Spanta tha se “Kontrolli i qeverisë për rajonet e rëndësishme në territorin e vendit ka përfunduar. Mund të themi se strategjia amerikane është mposhtur”.

“Strategjia e Presidentit të SHBA-ve (Donald Trump) nuk ka lënë një ndikim pozitiv në situatën e sigurisë në vend dhe paqëndrueshmëria në Afganistan vazhdon. Zgjerimi i rajoneve të kontrolluara nga qeveria afgane në gjeografinë e vendit është shumë e rëndësishme për zbatimin e ligjit në këto rajone, por për fat të keq sot përballemi me më shumë probleme sesa në vitet e mëparshme”, ka theksuar Spanta.

I pyetur për pretendimet se SHBA-të kanë 9 baza në Afganistan, Spanta, tha se “Situata e bazave ushtarake bazohet në marrëveshjet e nënshkruara midis Washingtonit dhe Kabulit. Këto baza u dhanë nën përdorimin e SHBA-ve. Sipas kësaj edhe Afganistani edhe SHBA-ja duhet t’i përmbahen detyrimeve”.

“Thelbi i çështjes është se SHBA nuk i përmbahet angazhimeve të saj ndaj Afganistanit dhe nuk bën atë që duhet. Për këtë arsye, ne duhet të shqyrtojmë marrëveshjen e sigurisë me Washingtonin për zbatimin më të mirë të marrëveshjes dhe përmbushjen e premtimeve të SHBA-ve”, ka theksuar ish-kryediplomati i Afganistanit.

– Negociatat e paqes midis Afganistanit dhe talebanëve

Rreth negociatave midis Afganistanit dhe talebanëve, Spanta tha se “Nuk bëhet fjalë për negociata paqësore midis Afganistanit dhe talebanëve. Si qeveria e Kabulit ashtu edhe Këshilli i Lartë i Paqes në Afganistan disa ditë më parë e pranuan. Për fat të keq, ata që formojnë dialog me talebanët janë vendet e huaja si Amerika, Rusia dhe vendet e Azisë Qendrore. Afganët vetë nuk morën pjesë në bisedimet e paqes, edhe pse ata ishin vetë pronarë të territoreve”.

Ai theksoi se e vëren pozitive që Zalmay Halilzad është emëruar si përfaqësues i posaçëm i SHBA-ve për Afganistanin, sepse sipas tij Halilzad është i mirëinformuar për Afganistanin dhe është i njohur me gjuhën e popullit afgan. Spanta tha se ai në krahasim me diplomatët që nuk e njohin Afganistanin mund të luajë një rol më të rëndësishëm në bisedimet mes Afganistanit dhe talebanëve.

Spanta, ka folur edhe për çështjet e konfliktit mes Afganistanit dhe Pakistanit. Duke rikujtuar se Turqia kryen ndërmjetësim mes dy vendeve ai tha se “Duke pasur parasysh marrëdhëniet e thella miqësore dhe vëllazërore që Turqia ka me dy vendet, besoj se edhe në të ardhmen Turqia do të luajë një rol shumë pozitiv dhe të vlefshëm në çështjen e ndërmjetësimit”.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne