Shqiperia

Studimi, ndryshojnë tendencat e emigrimit të shqiptarëve: 52% mendojnë largimin

Më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare do të donte të shkonte në vendet më të pasura dhe me shkollim më të mirë, tregoi një studim i publikuar ditën e premte.

Studimi, i udhëhequr nga Russell King i Universitetit të Sussex dhe studiuesi shqiptar Ilir Gedeshi, zbuloi se migrimi potencial i vendit ishte rritur nga 44 përqind në 2007-ën, në 52 përqind në 2018-ën.

Që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin më 1991, më shumë se 1.4 milion shqiptarë, gati gjysma e popullsisë aktuale të vendit, kanë emigruar kryesisht në Italinë dhe Greqinë fqinje, dhe më pak në Britani, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.

Studimi tregoi se motivet ekonomike ishin akoma faktori kryesor i migrimit, por me ndryshimin se tani shqiptarët preferojnë të largohen drejt Gjermanisë dhe SHBA-ve, duke mos u joshur më nga vendet fqinje.

Rreth 65,000 shqiptarë kërkuan azil në Gjermani në vitet 2015-16, por shumica e tyre u refuzuan, pasi vendi përballej edhe me fluksin e sirianëve që iknin nga lufta. Gjermania që nga fillimi ka mirëpritur gati të gjithë mjekët dhe infermierët e rinj, të sapodiplomuar, duke shprehur edhe një interes në rritje ndaj kësaj kategorie.

Ndërsa kriza globale dhe ekonomike që nga viti 2008 goditën ekonomitë e Italisë dhe të Greqisë, që ishin edhe “shtëpi” për rreth një milion shqiptarë, remitancat në Shqipëri, kyçe për lehtësimin e varfërisë, u tkurrën me një të tretën dhe 133.544 emigrantë u kthyen në atdhe.