“Synojmë të forcojmë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë”

Në Shqipëri janë mijëra të diplomuar në degë të ndryshme në Turqi, të cilët përveç angazhimeve në profesionet e tyre, kanë një rol të rëndësishëm edhe në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nesër pritet të realizohet takimi i të diplomuarve në Turqi, ndërsa synohet që të vazhdojë si takim edhe në vitet e ardhshme.

Për të forcuar lidhjet mes shtetasve shqiptarë të diplomuar në Turqi është krijuar një vit më parë edhe Shoqata e të Diplomuarve në Turqi, që drejtohet nga Egert Haxhiu.

“Kemi si mision të forcojmë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë”

Haxhiu i cili ka ndjekur studimet në Universitetin e Sakaryas, për Sisteme Kompjuterike në vitet 2009-2014, në një prononcim për Anadolu Agency (AA), shprehet se kanë si mision të forcojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe të ruajnë dhe promovojnë lidhjet mes gjithë studentëve që kanë realizuar studimet e tyre në shtetin turk.

“Në bazë të informacioneve që kemi ne si shoqatë janë afërisht 3 mijë studentë që nga viti 1992 e deri tani që kanë përfunduar studimet në Turqi, këtu përfshihen edhe ushtarakët. Aktualisht janë 800-900 studentë shqiptarë në Turqi, ku çdo vit nga këto 60 janë me bursat e shtetit turk, ku përfshihet shkolla e lartë, masteri dhe doktoratura. Ka edhe studentë që me mundësitë e tyre ndjekin studimet në Turqi”, tha Haxhiu.

Sipas tij, qëllimi i takimit të të diplomuarve në Turqi në disa breza është që të njihen nga afër me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë të dhëna për njëri-tjetrin, bashkëbisedime për çështje pune, idesh dhe për projekte të ndryshme në të ardhmen. “Mbi të gjitha do të jetë njohja që do t’i bëjë ata të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Është hera e dytë që bëhet një takim i tillë. Në planet tona është një takim vjetor me të gjithë studentët, por janë edhe takimet mujore që i realizojmë gjithmonë, ku flasim për idetë që kemi dhe që t’i realizojmë bashkërisht”, tregon ai.

Haxhiu thekson se të diplomuarit në Turqi japin kontributin e tyre në Shqipëri në çdo fushë, që nga projektet, edukimi, e deri tek çështjet e tregtisë dhe të investimeve, si dhe studimit të historisë, sidomos të periudhës që i përket Shtetit Osman. Gjithashtu ata janë më të kërkuarit në kompanitë turke në Shqipëri.

Ai iu bën thirrje të rinjve nga Shqipëria që të studiojnë në Turqi, sepse shton se bursat e Turqisë të mundësojnë çdo gjë i nevojitet një studenti për periudhën e studimeve.

“Turqia është ura lidhëse mes shumë kontinenteve. Turqishtja është një gjuhë që ka kërkesa të larta dhe që ofron mundësi për punësim. Një ndër kujtimet e bukura që kemi nga Turqia është që populli turk të gjendet pranë në të gjitha mënyrat, të kupton se çfarë është e nevojshme. Jo vetëm në qytetin ku kam studiuar unë, por e gjithë Turqia, studentëve shqiptarë na kanë bërë të ndihemi jo të huaj, përkundrazi na kanë ndihmuar në edukim, në çështjet financiare dhe në këshillim. Turqia është një vend që njeriut i jep vlerën që ka, e vlerëson njeriun për njeri”, tha kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi.

Ai në fund u shpreh se marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të mira, ndërsa thekson se gjithmonë me qytetin ku ka studiuar, me profesorët e tij, mban akoma kontaktet dhe i fton që ta vizitojnë Shqipërinë.

”Të diplomuarit shqiptarë në Turqi forcojnë lidhjet midis dy popujve”

Sot të diplomuarit në Turqi kanë arritur suksese në fusha të ndryshme, duke drejtuar edhe institucione, organizata dhe kompani të rëndësishme në Shqipëri, si në botën universitare, në biznes, në administratën publike dhe në sektorë të tjerë.

Erinda Zhupani, që aktualisht mban postin e sekretares së Përgjithshme pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), ka kryer studimet për Inxhinieri Kimike në Universitetin e Egjeut në Izmir në vitet 2004-2008.

Për AA ajo tregon se periudha e studimeve ka qenë nga periudhat më të bukura dhe Turqia për të është një vend shumë i veçantë. “Kam njohur miq dhe shokë të cilët janë bërë pjesë e pandarë e familjes time. Unë mendoj që të studiuarit në Turqi e bën njeriun njëri më të mirë nga pjesa shpirtërore dhe humane. Ajo që kam parë ndryshe ka qenë që populli turk është shumë human, është një popull që di si të ndihmojë, si të sillet me të huajit dhe di të ndodhet pranë shteteve të tjera”, shprehet Zhupani.

Ajo do të prezantojë programin e takimit të të diplomuarve në Turqi që do të mbahet nesër në Tiranë. Sipas saj, qëllimi i takimit është që të diplomuarit në Turqi jo vetëm të jenë bashkë, por edhe të shkëmbejnë eksperiencat dhe mendimet mes tyre, si dhe të kenë një ambient ku ata të ndihen mirë.

“Gjithashtu takimi i këtij viti mendojmë të kthehet në një traditë pasi mendojmë se këto lloj takimesh shërbejnë shumë për forcimin e bashkëpunimit midis studentëve. Do jetë një takim gjithëpërfshirës që të vijnë aty të shkëmbejnë eksperiencat. Ka studentë që kanë marrëdhënie shumë të mira me Turqinë ose që e vizitojnë shpesh Turqinë për shkak të punës që bëjnë. Unë shkoj shumë shpesh në Turqi për shkak të punës, ku marr pjesë në panaire, takime dhe konferenca. Marrëdhëniet e mia për shkak të punës janë të shpeshta me Turqinë, si dhe preferoj qoftë edhe pushimet t’i kaloj me shoqërinë time të vjetër në Izmir”, tha Zhupani.

Zhupani thekson se të diplomuarit shqiptarë në Turqi forcojnë lidhjet midis dy popujve, si dhe kontribuojnë edhe në forcimin lidhjeve ekonomike, tregtare dhe kulturore mes dy vendeve. Ajo thekson se “Turqia ka një eksperiencë shumë të hershme sa i përket edukimit, ka universitete shumë të vjetra dhe shumë të mira. Inkurajoj të rinjtë shqiptarë për të studiuar për mjekësi dhe inxhinieri, ku përveç dijes do të fitojnë një miqësi të mirë, një kulturë të re, dhe kur të vijnë në Shqipëri të ndihmojnë vendin tonë për të sjellë eksperiencat më të mira të Turqisë.”

Gjithashtu Zhupani shprehet se si institucion falë bashkëpunimeve të ndryshme që kanë me institucionet shqiptare dhe institucionet turke, synojnë që në databazën e tyre të kenë të sapodiplomuarit që të mund t’i integrojnë në kompani dhe institucione në Shqipëri. Ajo shton në fund se kanë konstatuar se ata që kanë mbaruar studimet në Turqi janë duke kontribuar dhe punuar në të gjitha kompanitë anëtare të ATTSO-s.

Më 2 dhjetor do të organizohet në Tiranë takimi i shqiptarëve të diplomuar në Turqi, organizuar në kujdesin e Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) në bashkëpunim me Shoqatën e të Diplomuarve në Turqi. Synohet që ky takim të kthehet në një traditë, që të mbledhë së bashku të diplomuarit në universitete të ndryshme të Turqisë me qëllim forcimin e lidhjeve mes tyre, por edhe për të dhënë kontribut për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne