Takimi Putin-Kim në Vladivostok, në fokus mundësitë e zgjidhjes së situatës në Gadishullin Korean

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi të enjten se ka biseduar me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, rreth mënyrave për mundësinë e zgjidhjes së situatës në Gadishullin Korean.

Në fund të samitit kokë më kokë me liderin koreanoverior në qytetin rus të Vladivostokut, mbajtur në ambientet e Universitetit Federal të Lindjes së Largët, shefi i Kremlinit iu përgjigj interesit të gazetarëve.

Ai siguroi Kimin se Rusia dëshiron të mbështesë qëndrimet pozitive në Gadishullin Korean, skenë e një përmirësimi të jashtëzakonshëm të marrëdhënieve që nga fillimi i vitit 2018, si dhe të forcojë marrëdhëniet ekonomike me Phenianin.

“Jam i sigurt se vizita juaj në Rusi do të na ndihmojë për të kuptuar më mirë mundësitë e zgjidhjes së situatës në Gadishullin Korean”, deklaroi Putini.

“Në planin dypalësh, ne kemi shumë punë përpara për të thelluar marrëdhëniet tona ekonomike”, shtoi presidenti rus duke e cilësuar takimin si “mjaft gjithëpërfshirës”.

Kurse lideri koreanoverior theksoi se në samitin kokë më kokë me Putinin kanë bërë një shkëmbim të gjithanshëm të pikëpamjeve në lidhje me interesat e të dyja vendeve për çështjet aktuale.

“Shpresoj që bisedimet të vazhdojnë edhe këtej e tutje në mënyrë të frytshme e konstruktive”, u shpreh Kim.

Pas fjalimeve para medias, të dy liderët drejtuan takimet ndërmjet delegacioneve./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne