Tarrantizmi singalez

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Javën e re e nisëm me një sulm të ri terrorist. Këtë herë sulmi ndodhi në Sri-Lankë, një vend i Azisë jugore, fqinj me Indinë. Në kryeqytetin Kolombo dhe tre qytete të vendit, në ditën e Pashkëve u sulmuan tre kisha dhe katër hotele, duke vrarë mbi 300 njerëz dhe plagosur më shumë se 500 të tjerë.

Sri-Lanka dhe konfliktet e brendshme

Me të drejtë populli i Sri-Lankës po kalon këto ditë një paqartësi, pasiguri dhe keqardhje të madhe. Prandaj, sot është dita e solidaritetit me qytetarët e Sri-Lankës. Deri tani në këto sulme kanë humbur jetën 39 të huaj. Në mesin e tyre ka amerikanë, anglezë, indianë dhe danezë, përshi edhe turq dhe myslimanë. Pas sulmeve qeveria shpalli shtetrrethimin dhe bllokoi qasjen në rrjetet sociale.

Sri-Lanka është një vend ishullor me një popullsi prej 22 milionë banorësh. 70% e popullsisë janë budistë, 12% janë hindu, 9% janë myslimanë dhe 6% janë të krishterë katolikë.

Në vitet 1983-2009 Sri-Lanka u përball me një luftë civile midis singalezëve budistë dhe tamilëve hindu. Kjo luftë civile përfundoi në vitin 2009 me superioritetin e forcave qeveritare.

Ende nuk dihet se kush qëndron prapa sulmeve të fundit dhe motivet për krimin janë të panjohura. Përgjegjësinë për sulmet deri të hënën nuk e ka marrë asnjë organizatë. Kohë pas kohe, budistët e Sri-Lankës sulmojnë të krishterët dhe myslimanët. Kohët e fundit, budistët kanë kryer 26 sulme ndaj kishave. Si pasojë e sulmeve nga budistët në vitin 2013, u vranë 40myslimanë.

Reagimi i komunitetit botëror

Udhëheqësit botërorë, të cilët një muaj më parë nuk guxuan ta cilësonin si një sulm terrorist sulmin ndaj një xhamie në Zelandën e Re, këtë herë i dënuan sulmet me zë të lartë duke shfaqur një reagim të fortë, ashtu siç edhe duhet bërë në të vërtetë. Ne shpresojmë se ata do të marrin të njëjtin pozicion përballë çdo lloj sulmi terrorist, gjë që do të na lejojë ta zhvillojmë më tej bashkëpunimin.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan gjithashtu e dënoi ashpër sulmin. Erdoani në deklaratën e tij tregoi se sulmi ishte drejtuar kundër të gjithë njerëzimit dhe tërhoqi vëmendjen tek rëndësia e solidaritetit dhe bashkëpunimit në nivel global kundër terrorizmit: “Unë i dënoj fuqimisht aktet e terrorizmit që ndodhën në Sri-Lankë gjatë festës së Pashkëve. Ky sulm ishte i drejtuar kundër të gjithë njerëzimit… Sulmi barbar përsëri tregoi nevojën për të luftuar terrorizmin në gjitha format e manifestimit të tij. Unë dua të shpreh solidaritetin tonë me Sri-Lankën kundër terrorizmit, armikut të përbashkët të njerëzimit dhe paqes globale”.

Tarrantizmi singalez

Vlen të përmendet se afërsisht pas një muaji nga masakrimi i myslimanëve të pafajshëm ndërsa ishin duke u falur në xhami në Zelandën e Re, u masakruan në Sri-Lanka të krishterët e pafajshëm që kryenin ritet e tyre fetare në kisha për festën e Pashkëve. Në një nga artikujt e mëparshëm mbi sulmin terrorist në Zelandën e Re, ne u vendosëm një emër të përbashkët sulmeve terroriste me motive të tilla racore – tarrantizëm, pasi terroristi Brenton Tarrant në manifestin e tij i shpalli të gjithë botës superioritetin e racës së bardhë. Sepse nëse racizmin shtetëror e vlerësojmë si fashizëm, racizmin nacionalist e quajmë nazizëm dhe racizmin fetar e shikojmë si sionizëm, atëherë racizmi i bazuar në idenë e superioritetit të racës së bardhë, kërkonte një përkufizim të veçantë.

Sulmi i urryer në Sri-Lanka, pavarësisht se me çfarë motivi dhe në emër të kujt është kryer, ai nuk dallon shumë nga sulmi terrorist i kryer nga Tarranti në Zelandën e Re. Sulmi duhet mallkuar në formën më të ashpër, kurse fajtorët duhet të vuajnë dënimin më të rëndë.

Thirrja për drejtësi

Në epokën e sotme njerëzit e përdorin dhunën në emër të fesë – Islami, Krishterimi, Judaizmi dhe Budizmi – ose në emër të besimeve dhe ideologjive të tjera. Pa dyshim, terrorizmi nuk mund të justifikohet me asgjë. Megjithatë duhet parë edhe kjo që aq sa më shumë të rritet ndjenja/perceptimi i padrejtësisë, aq më shumë përhapet edhe terrorizmi. Natyrisht, edhe nëse në Tokë do të kishte një drejtësi të plotë, disa njerëz mund ta përdorin sërish dhunën/terrorin. Por antidoti për të minimizuar këto raste është vendosja e drejtësisë. Duhet të kërkojmë mënyra për të futur drejtësinë në shoqërinë njerëzore, e cila do të shmangë forcimin e lëvizjeve radikale.

Fjalët e Oliver Roy-it se “Nuk është radikalizuar islami, por radikalizmi po islamizohet” në përgjithësi shpjegon arsyen e shtimit të sulmeve terroriste. Përhapja e ndjenjës radikale çon në faktin se njerëzit mund ta përdorin fenë dhe ideologjinë për të legjitimuar terrorizmin. Me thirrjen tonë për drejtësi në nivel global, me përpjekjet tona në këtë drejtim duhet të thajmë burimet e radikalizmit. Duhet të pengojmë radikalizimin e njerëzve, ti parandalojmë ata që të prodhojnë terror duke u nisur nga mendimet e bindjet që kanë. Me përpjekjet tona për drejtësi, të cilat ne do ti montojmë në nivel global, duhet penguar që radikalizmit ti vishet një paragjykim i krishterë, islamik, budist ose judaik.

Nëse këto përpjekje nuk kanë karakter universal dhe çdo shtet kujdeset për veten dhe popullin e tij dhe bën përpjekje që drejtësia të funksionojë vetëm në territorin e tij, druhem se bota (Toka) jonë do të jetë çdo ditë një vend gjithnjë e më i pasigurt. Në epokën moderne të globalizimit, ku komunikimi dhe informacioni përhapet shumë shpejtë, padrejtësia dhe mizoria bëhen më të dukshme, dhe njerëzit kanë gjithnjë e më pak durim.

Familja njerëzore përballet kudo me sulme terroriste – në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për shkak të sulmeve të 11 shtatorit; -në Paris, Londër dhe Ankara për shkak të sulmeve të DAESH-it, dhe më së fundi – në Zelandën e Re për shkak të sulmit të Tarrantit në xhami dhe sulmet kundër kishave në Sri-Lankë. Në cilindo vend të botës që ne jetojmë, siguria jonë po bëhet gjithnjë e më e prekshme. Prandaj, është e domosdoshme nga njëra anë të shtojmë përpjekjet për drejtësi, dhe nga ana tjetër të shfaqim një reagim të përbashkët dhe të pamëshirshëm si komunitet njerëzor kundër terrorit, pavarësisht motiveve të tij. Anashkalimi, nënvleftësimi i disa prej sulmeve terroriste nuk nënkupton asgjë tjetër përveçse na e bën jetën të gjithëve më të pasigurt./ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne