Tuberkulozi mbetet shkaku kryesor i vdekjes nga sëmundjet infektive në mbarë botën, duke vrarë rreth 1.23 milion njerëz vitin e kaluar, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke theksuar brishtësinë e progresit në luftën kundër kwsaj sëmundjeje.
Numri i vdekjeve nga tuberkulozi u ul me tre përqind në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, ndërsa numri i rasteve ra me pothuajse dy përqind, sipas raportit vjetor të OBSH-së.
Rreth 10.7 milion njerëz në të gjithë botën u infektuan me tuberkuloz në vitin 2024: 5.8 milion burra, 3.7 milion gra dhe 1.2 milion fëmijë.
Tuberkulozi është një sëmundje e parandalueshme dhe e shërueshme e shkaktuar nga një bakter që më shpesh prek mushkëritë. Ai transmetohet nëpërmjet ajrit kur personat e infektuar kolliten, teshtijnë ose pështyjnë.
“Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë COVID-19, si rastet e reja ashtu edhe vdekjet nga tuberkulozi janë në rënie,” tha Teresa Kasaeva, drejtuese e Departamentit të HIV, Tuberkulozit, Hepatitit dhe Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme të OBSH-së, në Gjenevë.
“Shkurtimet buxhetore dhe faktorët e vazhdueshëm nxitës të epidemisë kërcënojnë të fshijnë progresin e fituar me mund, por me angazhim politik, investime të qëndrueshme dhe solidaritet ndërkombëtar, ne mund ta përmbysim trendin dhe ta zhdukim këtë plagë të vjetër një herë e përgjithmonë,” shtoi ajo.
Financimi për luftën kundër tuberkulozit ka ngecur që nga viti 2020. Vitin e kaluar, 5.9 miliardë dollarë ishin në dispozicion për parandalim, diagnostikim dhe trajtim. Kjo shumë është shumë më poshtë nevojave të vlerësuara prej 22 miliardë dollarësh në vit deri në vitin 2027.
Në vitin 2024, tetë vende përbënin dy të tretat e të gjitha rasteve në mbarë botën: India (25 përqind), Indonezia (10 përqind), Filipinet (6.8 përqind), Kina (6.5 përqind), Pakistani (6.3 përqind), Nigeria (4.8 përqind), Republika Demokratike e Kongos (3.9 përqind) dhe Bangladeshi (3.6 përqind).
Pesë faktorët kryesorë të rrezikut që nxisin epideminë janë kequshqyerja, infeksioni HIV, diabeti, pirja e duhanit dhe alkoolizmi.
Tuberkulozi është shkaku kryesor i vdekjes tek njerëzit që jetojnë me HIV, me 150,000 vdekje vitin e kaluar. Në vitin 2024, 8.3 milionë njerëz u diagnostikuan dhe morën trajtim. Shkalla e suksesit të trajtimit u rrit nga 68 në 71 përqind vitin e kaluar.
OBSH vlerëson se trajtimi i hershëm për tuberkulozin ka shpëtuar gjithsej 83 milionë jetë që nga viti 2000. /tesheshi.com/


















