Kryeministri dhe kandidatët e PS shprehën bindjen për fitoren e thellë të dielën. Rama ironizoi PD-në, teksa tha se s’guxoi të futet në garë me fytyrën e saj por zgjodhi kandidatë të pavarur. Iu kërkoi kandidatëve të tij që të fokusohen te fshati.
Kandidatët e PS-së në 5 bashkitë që shkojnë në zgjedhje të pjesshme të dielën shprehen të bindur për fitoren bindëse. Parashikimit të tyre iu bashkohet edhe kryeministri Edi Rama. Brunilda Mersini, e cila kandidon në Vlorë, Gramoz Sako në Tepelenë, Ervin Ceca në Berat, Florenc Doka në Cërrik dhe Altin Bojni që kandidon në Mat, ishin të ftuar në podkastin “Flasim” të kryeministrit.
Ata do të përballen të dielën me kandidatët e pavarur të mbështetur nga opozita, por asnjë nuk ka dyshim te fitorja e thellë e PS-së. Parashikimet e tyre i shprehën edhe me përqindje. Mersini në Vlorë tha se parashikon që të marrë 80% të votave, Sako i Tepelenës shprehu bindjen se do të sigurojë 83%, kandidati Ervin Ceca i Beratit synon 75%, Altin Bojni në Mat pretendon 65% të votave, ndërsa Florenc Doka në Cërrik thotë mbi 70%.
Kryeministri nuk kurseu ironinë ndaj PD-së, për të cilën tha se nuk ka guximin që të tregojë fytyrën e vërtetë në këtë sfidë, për shkak se po mbështet kandidatë të pavarur. Sipas kreut të qeverisë, kjo është një strategji e demokratëve për t’ia lënë humbjen në derë të kandidatëve të pavarur.
“Hall i madh që një parti ka siklet t’i vërë fytyrën e vet një sfide dhe përdor fytyrat e të tjerëve dhe ndërkohë që këta që ia japin fytyrën borxh kësaj partie dhe bëjnë sikur janë të pavarur dhe ata bëjnë që sikur e mbështesin.”, tha Rama, duke shtuar më pas: “Halli i PD është, ndjesë pastë, është kujt t’ia lëmë humbjen në derë.”
Teksa prezantuan vizionin e tyre për bashkitë, kreu i qeverisë iu kërkoi që të fokusohen te fshati.
“Kryetarët tanë të bashkive duhet të jenë shumë të vëmendshëm që ta ndajnë në dysh trurin qytet dhe fshat dhe jo të ndajnë gjithë kohës nga qyteti, qyteti është i rëndësishëm, por duhet ta mbajnë 50% të mendjes tek fshati, për të qenë aktiv, për të krijuar ndërmarrje në fshat…”, tha ai.
Para të ftuarve, kryeministri Rama foli sërish për rritjen e pensioneve në bazë bonusi mujor si edhe për rritjen e pagës minimale nga 400 në 500 euro. Një koment bëri edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Veliajn, duke thënë se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë pasi qytetarët duan të zgjedhurin e tyre./shqiptarja















