“Të identifikohemi me humanizëm, racionalizëm, spiritualizëm, qytetari e respektim të ligjit”

Profesori dhe studiuesi Abdulla Rexhepi u lind në vitin 1980, në Preshevë. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Stamboll, studimet Bachellor në Universitetin e Prishtinës, në degën e Orientalistikës, ndërsa ato pasuniversitare në Teheran. Aktualisht është mësimdhënës në degën e Orientalistikës në Universitetin ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë, ku ligjëron lëndët: gjuhë dhe letërsi perse, gjuhë osmane, qytetërim islam dhe qytetërimet e lashta në orient.

Interesimet e tij nuk kufizohen vetëm tek mendimi klasik dhe bashkëkohor lindor, ose te letërsia dhe kultura orientale, por edhe te mendimi bashkëkohor perëndimor. Në studimet e tij vend të veçantë ka zënë edhe trashëgimia kulturore islame te shqiptarët.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re ai flet mbi rëndësinë e thellimit të studimeve në këto fusha dhe nevojën e madhe që e kanë studiuesit të përkrahen nga institucionet.

GeR: Z. Rexhepi, ju jeni njohës i njërës prej gjuhëve më të vjetra në botë, por që ende është e gjallë, pra ende flitet, çka do të thotë kjo për ju?

Rexhepi: Po. Persishtja identifikohet si njëra ndër gjuhët më të vjetra të botës, por edhe ajo ashtu si gjuhët tjera, ka evoluar dhe ka pësuar ndryshime të mëdha. Unë e njoh gjuhën e re perse e cila daton nga shekulli i 8-të e që aktualisht përveç në Iran, flitet edhe në Taxhikistan, Afganistan, Ozbekistan dhe në një pjesë të Indisë. Përpos lashtësisë së saj, persishten gjuhë të veçantë e bëjnë edhe poetët dhe filozofët që krijuan në këtë gjuhë, siç janë Ferdusiu, Omer Khajami, Ibn Sina, Imam Gazaliu, Saadi Shirazi, Hafizi, Mevlana Rumiu e shumë të tjerë. Gjurmët dhe influenca e shumë prej tyre akoma është tepër e madhe në mendjet dhe shpirtrat e shumë njerëzve gjithandej globit. Njohja e gjuhës së këtyre poetëve të sipërpërmendur më krijon mundësinë që të përfitojë nga nektari shumë i pasur i tyre. Përveç karakteristikave dalluese që këta mund t’i kenë midis vete, fenomeni apo arketipi kryesor që i bashkon të gjithë ata është Dashuria për ‘tjetrin’, duke filluar nga dashuria për Zotin, njeriun, gjallesat e deri te dashuria për natyrën. Ndoshta mësimet dhe predikimet e tyre për Dashurinë mbetet ndër arsyet kryesore që ata po i mban të pavdekshëm dhe gjithnjë aktual për njeriun, veçanërisht për njeriun e sotëm që më shumë ka urrejtje për tjetrin sesa dashuri. Pos filozofisë dhe letërsisë klasike, gjatë dekadave të fundit në gjuhën perse kemi edhe një kinematografi të pasur me regjisorë shumë të mëdhenj, si dhe një prodhimtari shumë të dobishme në fushën e mendimit kritik fetar. Të gjitha këto fakte për mua janë të mjaftueshme që të mos e konsideroj të kotë mundin që kam dhënë për ta mësuar dhe studiuar këtë gjuhë dhe kulturë. Ishte fati im që të studioja në degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë në UP, nga ku dhe u frymëzova dhe u orientova që t’i vazhdoja studimet për gjuhën dhe letërsinë perse, dhe për mendimin bashkëkohor iranian.

GeR: Cilat janë lidhjet e persishtes me shqipen?

Rexhepi: Për lidhjet e persishtes me shqipen dhe shqiptarët mund të flitet shumë. Por ajo që do ta veçoja këtu është se persishtja dhe shqipja që të dyja i takojnë familjes së gjuhëve indo-evropiane, si dhe fjalët e shumta perse në gjuhën shqipe, të cilat kanë ardhur nëpërmjet turqishtes gjatë Perandorisë Osmane. Fjalët perse edhe sot e kësaj dite përdoren në fusha të ndryshme të jetës sonë të përditshme. Gjithashtu duhet pohuar se përgjatë sundimit osman, nëpër medrese, teqe dhe nëpër shtëpitë private të familjeve të bejlerëve shqiptarë, krahas gjuhëve tjera, mësohej edhe gjuha perse. Kurse veprat e Saadi Shirazit, Rumiut dhe Hafizit kanë qenë pjesë e programeve mësimore të këtyre medreseve. Padyshim se këto vepra kanë pasur edhe efektin në mënyrën e kuptimit dhe interpretimit të fesë islame, kuptime dhe interpretime këto që mbështeteshin në botëkuptime mistike, e ku realizimin më të dukshëm të tyre e shohim në poemën e Mevludit. Edhe poeti shqiptar i shekullit 18-të Nezim Berati ka shkruar një përmbledhje me poezi në gjuhën perse, nga të cilat mësojmë se ai ka pasur një nivel të lartë të njohjes së gjuhës dhe poetikës perse. Naim Frashëri gjithashtu përvojat e para në poezi i ka shprehur në gjuhën perse, në përmbledhjen e tij Tehajulat (Ëndërrime), pa harruar këtu të përmend edhe gramatikën e tij për gjuhën perse të shkruar në turqishten e asaj kohe. Në këtë gjuhë kanë provuar të shkruajnë shumë poetë shqiptarë të periudhës osmane, sepse siç thuhet krijimi në persisht ka qenë kriter për t’u pranuar poet nga poetët tjerë. Nga kjo gjuhë kemi edhe përkthime shumë të vlefshme nga përkthyes kompetentë siç kanë Hafiz Ali Korca dhe Vexhih Buharaja. Pas një ndërprerjeje disa dekadëshe, tani për fat të mirë kjo gjuhë mësohet në degën e Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës dhe në atë të Filologjisë Orientale në Universitetin e Tetovës.

GeR: Studiues si Kaleshi, nëpërmjet artikujve të publikuar, sikur kanë lënë përshtypjen që ka aq shumë të punohet, për t’i ndriçuar  disa aspekte të kulturës sonë që ndërlidhen me Perandorinë Osmane. A mendoni që duhet të motivohen studiuesit më shumë dhe ta eksplorojnë më thellë këtë periudhë?

Rexhepi: Hasan Kaleshi si themelues i studimeve moderne orientale te ne, në studimet dhe shkrimet e tij ka hapur shtigje të rëndësishme studimesh në këtë drejtim. Ai kishte synuar të krijonte një shkollë të studimeve orientale e cila për dallim nga simotrat e saj në vendet tjera të botës, do të fokusohej më shumë në zbardhjen e të kaluarës sonë historike dhe kulturore që ndërlidhet me Perandorinë Osmane. Kështu, ai ka bërë studime në fushën e gjuhësisë, letërsisë, historisë, folklorit dhe kulutorologjisë dhe për shkak se ishte jetëshkurtër, shumë prej këtyre studimeve nuk arriti t’i çojë deri në fund. Andaj, u takon gjeneratave të reja të studiuesve që janë të pajisur me dijet e orientalistikës t’i vazhdojnë projektet e filluara prej tij, normalisht duke aplikuar edhe metodat e fundit shkencore. Megjithëse deri më tani sa i përket trashëgimisë sonë orientale, studiuesit dhe profesorët tanë kanë bërë punë dhe studime të vlefshme, por kemi ende shumë për të bërë. Kemi qindra-mijëra dokumente në gjuhën osmane që presin të lexohen dhe përkthehen në shqip, kemi kronika dhe raporte të luftërave në viset shqiptare. Kemi gjithashtu dorëshkrime të shumta me poezi e prozë të letrarëve shqiptarë të asaj kohe, kemi veprat e poetëve të mëdhenj shqiptarë që kanë krijuar në gjuhën turke, siç kanë qenë Prishtineli Mesihu, Jahja Bej Dukagjini, e shumë të tjerë, të cilët nuk i kemi përkthyer në shqip, e shumë punë tjera. Ne sot s’mund të qahemi për mungesë të specialistëve të këtyre fushave, por ka ankesa për mosgatishmërinë e duhur të institucioneve tona shkencore për t’i angazhuar këta specialistë që do të kryenin punët që u përmendën më lartë. Tashmë disa njohës dhe studiuese të kualifikuar në dijet orientale janë të gatshëm dhe në pritje për mu angazhuar nëpër institucione hulumtuese dhe për me dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim.

GeR: Ka si të thuash, një mani, e shprehur sidomos te klasa politike, që të “shitemi” sa më oksidental,  vërtetë, a jemi oksidental? Ç’do të thotë të jesh oriental sipas teje?

Rexhepi: Ah, kjo temë ka një shekull që diskutohet në mesin tonë, madje Krist Maloki e ka dhe një vepër me titull “Oriental apo Okcidental”. Por kur vrojtojmë nga afër zhvillimet e fundit në botë, veçanërisht në fushat e teknologjisë, informacionit dhe rrjeteve sociale, pyetjet e tilla kanë humbur më sensin. Sot bëhen pyetje se vërtetë vet Oksidenti a është më puro oksidental, apo vet Orienti a është më puro oriental. Ne historikisht kemi pasur fatin të jemi pjesë e Bizantit dhe Perandorisë Osmane, të cilat konsiderohen orientale. Në anën tjetër, modernizmi perëndimor kishte arritur të depërtojë gati se në çdo cep të botës, ashtu edhe Orient. Por për fat të keq, modernizmi në Orient ka shkuar me fytyrën më të egër të tij, atë të kolonializmit, ndërsa tek ne ka ardhur gjithashtu dhunshëm. Pas pavarësimit të Shqipërisë, atje filloi një modernizim dhe emancipim racional, por u ndërpre me instalimin e sistemit komunist, i cili ndaloi besimin fetar, dimensionin më të pasur ontologjik dhe epistemologjik të shqiptarit të atëhershëm, dhe kështu bëri një transformim të dhunshëm individual dhe shoqëror. Edhe në Kosovë, modernizimi i shoqërisë prapa kishte ideologji komuniste-jugosllave, dhe pasi që propaganduesit e tij nuk i kishin kuptuar në thelb mësimet e modernizmit, herë-herë qenë të dhunshëm dhe kështu shoqërisë tonë ia paraqitën një fytyrë shumë të egër të modernizmit. Prandaj, në vend të idealeve dhe mësimeve substanciale të modernizmit perëndimor, siç qenë racionalizmi, humanizmi dhe iluminizmi, në sistemet tona arsimore u instaluan ideologjia staliniste e Enver Hoxhës dhe ajo Titiste e Beogradit. Për atë dhe ne si shoqëri nuk jemi modernizuar (lexo: perëndimorizuar), si duhet asnjëherë, kurse sot në periudhën e “Post Truth”, ku njëri e gdhinë natën me ligjëratat e Sllavoj Zhizhekut, tjetri me të Bin Bazit (klerik në Arabinë Saudite), njëri merr pjesë në seancat e Jogas, e tjetri dëgjon live ligjëratën e një profesori amerikan, është tepër vështirë të flasësh për një orientim unik kulturor. Shqiptarët para se të identifikohen me rajone gjeografike, do të ishte mirë të identifikoheshin me humanizëm, racionalizëm, spiritualizëm, qytetari, respektim të ligjit, e kështu me radhë, sepse këto janë vlera të përjetshme dhe që përmbysin çdo rajon gjeografik. Ato kanë mbizotëruar në çdo fillim të qytetërimeve dhe kulturave të mëdha botërore. Për mua në fakt, me rëndësi është që një bashkëkombës i imi njëherë të jetë njeri i mirë, i arsyeshëm, të veprojë në kuadër të ligjit, pastaj është privatësi e tij çfarë dhe si ndjehet, orintal a oksidental, mysliman a katolik apo ateist. Megjithatë mendoj se orientimet tona shtetërore, politike, arsimore e shkencore duhet të jenë të drejtuara kah Perëndimi, sepse Lindja aktualisht nuk ka çka na jep në këtë drejtim. Por për fatin tonë të keq ne akoma kemi shumë për të bërë për me qenë pjesë e Perëndimit, sepse dija dhe nëndija e atyre që e kanë gojën plot Perëndim dhe Evropë, është shumë larg vlerave themelore perëndimore. Ata në realitet jetojnë në një “shizofreni kulturore”, siç thotë Daryush Shayegan. Për atë dhe mendoj se debatet për identitetin e shqiptarëve janë skajshmërisht të ideologjizuara, të pamenduar dhe studiuar thellë, mbi të gjitha janë ofenduese dhe nuk marrin parasysh fare të drejtat dhe liritë e tjetrit.

GeR: A hetoni një vijimësi të zhvillimit kulturor, për shembull në letërsi, poezi ose në muzikë, pavarësisht që shkrimi shqip latin ka kohë që është shkëputur nga ai arab?

Rexhepi: Në fakt poezia me alfabet arab në Kosovë ka vazhduar deri pas luftës së dytë botërore, madje flitet se ka pasur hoxhallarë dhe shehlerë që kanë krijuar deri vonë me këtë shkrim. Ndërsa fryma e poezisë alamiado ka filluar të vërehet edhe te disa poet e rinj, siç janë Imer Topanica, Fjolla Spanca, e ndonjë tjetër. Kur lexon poezitë e tyre të duket se po lexon poezitë e Nezim Frakullas, apo të ndonjë poeti tjetër të asaj kohe. Pastaj shohim grupin Jericho që interpreton këngë me tematikë të tillë. Kurse shumica dërmuese e këngëve qytetare dhe popullore që këndohen gjithandej te shqiptarët kanë tematikë të huazuar nga letërsia mistike perse-turke. Me këto këngë shumë shqiptarë të gjeneratave më të vjetra –siç do të thoshte Heideggeri – më së miri  e realizojnë qenien e tyre.

GeR: Dhe për fund, a mendoni që orientalistët, sikurse studiuesit e fushave të përafërta, duhet të shkëputen nga i ashtuquajtur “romantizëm i vonuar”, ku gjuha e shkencës, ngjanë fare pak me një gjuhë të vërtetë të shkencës?

Rexhepi: Patjetër, edhe ne orientalistët do të duhej t’i ndiqnim zhvillimet shkencore të botës. Duke parë metodat dhe studimet më të reja, sidomos ato kritike, të orientalistiëve dhe studiueseve tjerë të këtyre fushave, mund të sjellim kontribute të dobishme për vendin. Mbi të gjitha, meqë orientalistika merret kryesisht me shtetet Lindjes islame dhe kulturën islame, ne orientalistët shqiptarë duhet të mundohemi makslimalisht të ruajmë objektivitetin shkencor dhe të respektojmë kriteret e hulumtimeve shkencore, dhe kështu të mos bëhemi viktimë e animeve ideologjike. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të dobishëm për shkencën dhe mendimin në shoqërinë tonë./ gazetaere

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne