Të votosh e të mos zgjidhesh

Faik Miftari (Pjesa e dytë)

Në kuptim nenit 16 të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës: ”Pjesëtarët e Bashkësisë Islame janë besimtarë të fesë Islame. Pjesëtarët e fesë Islame kanë të drejtë: të zgjedhin organet e Bashkësisë Islame dhe të zgjidhen në to;.” nënkuptohet se të gjithë besimtarët mysliman në Kosovë kanë të drejtë të zgjedhin organet e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të zgjidhen në to. I referohem Kushtetutës së vitit 2002, teksti i spastruar, të cilën e kam në dorë, pasi që Kushtetuta e plotësuar dhe e ndryshuar e vitit 2013 akoma nuk është publikuar për opinionin e gjerë publik, e as që gjendet në portalin zyrtar “bislame.net” të Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe si e tillë është e njohur vetëm për rrethin e ngushtë brenda Bashkësisë Islame të Kosovës. Në kuptim të nenit 39, anëtarët e Këshillave të Bashkësisë Islame në përbërjen e tyre të duhej të kenë: ” së paku 1/2 e anëtarëve duhet të jenë imam”, i cili është ndryshuar në ”së paku 2/3 e anëtarëve duhet të jenë imam”, të cilin ndryshim e kam kuptuar me rastin e zgjedhjeve të mbajtura gjatë vitit 2016 për Këshillat e Bashkësive Islame.
Sipas Kushtetutës së Bashkësisë Islame të ish Jugosllavisë, pjesë përbërëse e së cilës ishte edhe Bashkësia Islame e Kosovës, gjatë periudhës komuniste, parashihej që për zgjedhjet si për Këshillat e Bashkësive Islame, Kuvendet e Bashkësive Islame si dhe Kuvendin Suprem të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë, që 2/3 anëtar të jenë pjesëtar të xhemateve , dhe vetëm sipas mundësisë 1/3 anëtarëve të jen hoxhë apo imam. Kurrë nuk do të kisha besuar, se për dallim nga sistemin monist në të cilin përfshirja e pjesëtarëve të xhematit ishte e mundshme në të gjitha organet e saj, dhe atë 2/3 anëtar të zgjedhur, tani në sistemin aktual demokratik në Bashkësinë Islame të Kosovës ku numër dalëngadalë u zvogëlua prej 2/3 në ½ dhe me Kushtetutën e vitit 2013 në vetëm 1/3, e në praktik ky proporcion tani në të gjitha organet e saja është, 100% anëtar janë hoxhallarë (imam), aty këtu me ndonjë përjashtim të vogël.
Përveç nenit 39 të ndryshuar të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovë jam në dijeni se është bërë ndryshimi edhe i nenit 49 i Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës, me ç’rast ka ndryshuar formulimi se ”Kryetari i Kryesisë nuk mund të jetë i njëjti person më shumë se dy mandate”, me të cilin iu mundësua myftiut të tanishëm të Kosovës që të rizgjidhet jo vetëm për mandatin e tretë, por tani edhe për mandatin e katërt në pozitën e kryetarit të kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Formulimin e saktë të nenit 49 nuk e di , mund të aludojë ndoshta është : “ Kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovë zgjidhet për mandat të përhershëm”, mos hyjë në gjynah, pasi me të vërtetë nuk kam njohuri se si duket jo vetëm neni 49, por edhe nenet tjera eventuale të ndryshuara. Nuk e kam të qartë , pse gjithë kjo drojë, akoma mbahet sekret nga opinioni i gjerë publik Kushtetuta e ndryshuar dhe e plotësuar e vitit 2013, dhe si e tillë, nuk publikohet në portalin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovë dhe nuk botohet në revistat e saj zyrtare, Dituria Islame, Edukata Islame dhe Takvimi.
Jemi duke jetuar në shek. XXI-të, në shekullin e internetit, në të cilin brenda minutave apo ore njoftohemi me lajmin apo ngjarjen që ka ndodhur në cilën do anë të planetit, e neve që jemi pjesëtar të Bashkësisë Islame të Kosovës, jemi të anashkaluar nga mos transparenca aktuale e Bashkësisë Islame të Kosovës, që edhe pas 5 vite të plota nga ndryshimi i Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës nuk jemi në dijeni se çfarë ka ndryshuar dhe çfarë parasheh Kushtetuta e plotësuar e vitit 2013 e cila tani është në fuqi.
Bashkësia Islame e Kosovës mirëmbahet dhe funksionon, në radhë të parë, në saje të kontributeve të rregullta të pjesëtarëve të saj, besimtarëve mysliman, duke filluar nga anëtarësia vjetore, fitrat, zekatet, kurbanet, umrat, haxhit, kontributet në ndërtimin e xhamive, si dhe donacione tjera vullnetare. Duke marr parasysh të gjitha këto në një anë, ndërsa në anën tjetër të neglizhosh dhe të shmangësh nga pjesëmarrja dhe vendimmarrja në organet e saj, besimtarët mysliman, jo që nuk është aspak morale, por as njerëzore, shoqërore, islame.
Po të ishin vetëm katër pjesëtar të xhematit të Kosovës, anëtar të kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës apo këshilltar pranë myftisë dhe kryeimamit të Kosovës, nuk do të kishte gjasa të ndodhnin shumë lëshime e gabime të bëra gjatë kësaj periudhe gati 20 vjeçare, që nga përballja jo me kohë e paraqitjes dhe influencës së shkollave tjera juridike , krahas shkollës sonë juridike tradicionale shekullore, e gjer në gafin e bërë me leximin e hytbesë së xhumasë nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës për rëndësinë e Shamit. Mos të flasim për kyçjen e numrit më të madh të xhematit në të gjitha organet e saja, së në nivelin lokal ashtu edhe atij qendror të Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe atë jo vetëm me 2/3 apo ½ por me 1/3 anëtar të organeve të saja, të cilët do të jepnin një kontribut të madh në mbarëvajtjen sa më të suksesshme të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Edhe pse është e njohur se në fenë Islam nuk ka vend për institucionin e klerit, Bashkësia Islame e Kosovës duke përjashtuar nga pjesëmarrja dhe vendimmarrja pjesëtarët e saj që vijnë nga xhemati, ajo u shndërrua në institucion tërësisht klerikal, e cila përveç organizimit dhe ushtrimit të jetës fetare- arsimore, i kryen, merreni me mend, edhe veprimtarinë në fushën ekonomike, juridike, financiare, ndërtimore, humanitare, informative, etj., por të gjitha këto sa janë të suksesshme dhe frytdhënëse këto veprimtari, e lë në dispozicion të vlerësimit të vet besimtarëve mysliman, për punën dhe aktivitetin e saj 20 vjeçar.
Qëndrimet klerikaliste të imamëve dhe përjashtuese ndaj pjesëtarëve të saj, besimtarëve mysliman të xhematit, kanë arritur gjer në atë shkallë sa që nga personat e caktuar udhëheqës, qoftë të nivelit lokal apo qendror iu mohohet tërësishtë jo vetëm pjesëmarrja dhe përfshirja e besimtarëve mysliman në organet e saja udhëheqëse, por bile as e drejta e të shprehurit dhe të shkruarit për punën e saj, pasi që, gjithnjë sipas tyre, besimtarët mysliman nuk kanë të drejtë as të flasin dhe të shkruajnë për çështjet që kanë të bëjnë me institucionet dhe organet udhëheqëse të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në ndryshimet e ardhshme të Kushtetutës së Bashkësisë Islame, kur të bëhen, propozoj që nocionet aktuale që kanë të bëjnë me organet e Bashkësisë Islame të zëvendësohen me termet: “Bashkësia Islame e Kosovës me Bashkësia e Hoxhallarëve të Kosovës, Kryesia e Bashkësisë Islame me Kryesia e Bashkësisë së Imamëve, Këshilli i Bashkësisë Islame me Këshillin e Bashkësisë së Imamëve, Kuvendi i Bashkësisë Islame me Kuvendin e Bashkësisë së Ulemave”. Neni 66 i Kushtetutës së Bashkësisë Islame të riformulohet nga ai aktual :”Pjesëtari i Bashkësisë Islame, që ka mbushur 18 vjeç, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet dhe forumet e Bashkësisë Islame” në atë : ”Çdo hoxhë(imam) i cili ka mbushur 18 vjeç ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet dhe forumet e Bashkësisë Islame”. Neni 16 aktual: ”Pjesëtarët e Bashkësisë Islame janë besimtarë të fesë Islame. Pjesëtarët e fesë Islame kanë të drejtë: të zgjedhin organet e Bashkësisë Islame dhe të zgjidhen në to”, të riformulohet në : ”Pjesëtarët e Bashkësisë islame janë hoxhallarët(imamët) e fesë islame. Imamët e fesë Islame kanë të drejtë : të zgjedhin organet e Bashkësisë së Hoxhallarëve dhe të zgjidhen në to”, si dhe neni 39 aktual: ” së paku 2/3 e anëtarëve duhet të jenë imam”, të riformulohet ”të gjithë anëtar duhet të jenë imam”.
Në fund, do të përmbyll këtë pjesë të elaborimit më të gjerë rreth punës dhe aktivitetit të Bashkësisë Islame të Kosovës gjatë periudhës së fundit 20 vjeçare, me porosinë “se besimtari i vërtetë mysliman nuk është ai i cili bashkësinë e vetë islame e ngrit mbi të tjerat, por besimtari i vërtetë është ai i cili e bën që ajo të jetë e denjë për lavdërim”.
( vazhdon)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne