‘Teatri’/ Meta: Rrezikohet sovraniteti i popullit, të mbajmë larg interesat okulte

Presidenti Ilir Meta ka qenë i pranishëm në ekspozitën “Notre Dame de Tiran” të Avni Delvinës, ku ka dhënë edhe njëherë sinjalin për dialog.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit Meta tha se vetëm dialogu mund të zgjidhte sfidat e së ardhmes, larg arbitraritetit dhe interesave okulte.

“Besoj se është e nevojshme që të gjithë të respektojnë, dialogojnë si një shoqëri e emancipuar për të zgjidhur të gjitha sfidat në mënyrë të arsyeshme, larg interesave okulte, në interes të kulturës, të qytetarëve dhe të ardhmes sepse në këtë mënyrë forcojmë të gjithë vlerat e shoqërisë sonë.

Nuk mund të ketë Shqipëri europiane pa integritetin e saj kulturor dhe kombëtar,“- tha ndër të tjera në fjalën e tij presidenti.

Ndërkohë jashtë për gazetarët e pranishëm, Meta nuk ka bërë asnjë koment për situatën në të cilën ndodhet vendi duke u shprehur se kishte shkuar vetëm për ekspozitën.

Pjesë nga fjala e Metës:

Është kënaqësi të jem në Teatrin kombëtar. Për mua ka qenë kënaqësi të takohem vetëm pak ditë më parë me zotin Delvina, nuk kam pasur njohje të drejtpërdrejtë, por kam ndjekur me shumë vëmendje reagimin e tij si artist, në rrdhë të parë si qytetar, si patriot.

Mendoj se vendosja e vlerave të tij artistike në mbrojtje të kauzave e ka bërë këtë artist gjithmonë më të dashur dhe më pranë qytetarëve sepse jetojmë në kohë të vështira edhe për artistët edhe për shoqërinë civile, jetojmë në kohë e globalizmit, i cili është në një proces që nuk mund të ndalim, pasi është një proces që na ndihmon, jemi në mbrojtje të vlerave qytetare, nëse qytetarët nuk gëzojnë sovranitetin e tyre të plotë për të vendosur rrezikohet edhe sovraniteti i popullit.

Nuk erdha ditën e shtunë pasdite, por vendosa sot për ta nisur javën dhe për të filluar një punë mjaft voluminoze për shumë arsye dhe një arsye është se sot nisën protestat që sollën rrëzimin e murit të Berlinit. Ata nisën nga artistët të cilëve iu bashkuan edhe qytetarët. E theksoj këtë sepse këtu kemi një artist të vetëbërë, të privuar nga shumë përgjegjësi, pasardhës i një familje me vlera të jashtëzakonshme që ka formimi i shtetit tonë, pasi dhe ai i takon edhe atyre artistëve që rrëzuan murin e Berlinit.

Do të ishte fundi i kapjes së kësaj shoqërie nëse rast se artistët do të koformoheshin dhe gjithë popujt që kanë dëgjuar shqetësimin e tillë të artistëve padyshim që kanë ecur drejt së ardhmes me guxim dhe kurajo. në këtë mënyrë e lexoj dhe unë këtë vepër.

Asnjë falënderim për mua nga të gjithë artistët këtu, pasi unë nuk kam bërë asgjë tjetër veçse detyrën edhe në qëndrimin për çështjen e Teatrit Kombëtar. Besoj se është e nevojshme që të gjithë të respektojnë, dialogojnë si një shoqëri e shoqëruar dhe e emancipuar për të zgjidhur të gjitha sfidat në mënyrë të arsyeshme, larg interesave okulte, në interes të kulturës, të qytetarëve dhe të ardhmes sepse në këtë mënyrë forcojmë të gjithë vlerat e shoqërisë sonë. Nuk mund të ketë Shqipëri europiane pa integritetin e saj kulturor dhe kombëtar.

Avni Delvina, artisti i njohur që jeton prej vitesh jashtë vendit ka çelur pasditen e sotme një ekspozitë të shumëpritur si shenjë mbështetjeje për të gjithë aktorët që mbështesin nismë kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Teksa ka prezantuar 40 grafika me domethënie të veçantë dhe në stilin “delvinian”, në këtë ekspozitë morën pjesë dashamirës të Teatrit, qytetarë qëndrestarë, si dhe nuk munguan figura të politikës shqiptare./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne