Tel Aviv, protestë kundër planit izraelit për aneksimin e territoreve palestineze

Në Tel Aviv u organizua protestë kundër planit të qeverisë izraelite për aneksimin e vendbanimeve ilegale hebreje në Bregun Perëndimor dhe Luginës së Jordanit.

Për protestuesit u shpërndanë maska para pjesëmarrjes në protestë për shkak të pandemisë së koronvirusit (COVID-19), ndërsa shpesh kishte paralajmërime për mbajtjen e distancës sociale.

Disa protestues shpalosën flamuj të Palestinës dhe vendosën maska me mbishkrimin “kryeministër kriminel”, duke iu referuar Benjamin Netanyahut.

Duke iu referuar edhe fjalëve të fundit të afro-amerikanit George Floyd që javën e kaluar humbi jetën si pasojë e dhunës policore, protestuesit hapën pankartë me mbishkrimin “Nuk mund të marrim frymë që nga viti 1948”.

Pankartat e tjera që u vërejtën në protestë mbanin mbishkrimet “Jeta e palestinezëve ka rëndësi” dhe “Ndaleni racizmin”.

Ndërkohë, përmes një video-mesazhi, protestën e mbështeti edhe senatori amerikan i Partisë Demokratike Bernie Sanders, i cili reagoi ndaj planit izraelit të aneksimit.

“Plani për aneksimin ilegal të cilësdo pjesë të Bregut Perëndimor duhet të ndalet. Okupimi duhet të marrë fund. Ne duhet të punojmë në drejtim që të gjithë njerëzit në Palestinë dhe Izrael të jetojnë në kushte të barabarta”, tha Sanders në mesazhin e tij.

Nga ana tjetër, Judy Benezrak, një shtetase e Izraelit që doli në mbështetje të protestës, tha se zgjidhja dyshtetërore është e nevojshme për çështjen e Palestinës, duke kundërshtuar planin e aneksimit.

“Askush nuk duhet të jetojnë nën okupim. Secili duhet të ketë shtetin e vet. Ashtu sikurse ne kemi shtetin tonë, edhe ata (palestinezët) duhet të kenë shtetin e tyre. Shteti ynë nuk duhet t’i pushtojë territoret e tyre”, tha Benezrak.

Më 28 janar, presidenti amerikan Donald Trump, në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë bashkë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, shpalli të ashtuquajturin “plan i paqes”, sipas të cilit vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor cilësohen si territor izraelit dhe legjitimohet sovraniteti mbi Luginën e Jordanit, që është territor palestinez.

Pas planit amerikan, zyrtarët nga SHBA dhe Izraeli formuan një të ashtuquajtur komision për të përgatitur hartat e Bregut Perëndimor për aneksimin e vendeve në fjalë.

Sipas marrëveshjes së koalicionit qeverisës midis Netanyahut dhe liderit të Aleancës Blu e Bardhë, Benny Gantz, kryeministri izraelit më 1 korrik mund ta paraqesë për miratim në kabinet ose kuvend “aneksimin” e vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor dhe Luginës së Jordanit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne