Tenderi 1.5 mln euro për ushqimet/ Xhaçka i përgjigjet PD: Procedura e përshpejtuar, e ligjshme!Nuk thot asnjë fjalë për akuzat e tjera

Dy ditë pas akuzave të Partisë Demokratike dhe kallëzimit në SPAK të ministres së Mbrojtjes, për ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka për tenderin me vlerë 1.5 milionë euro që iu dha kompanisë Eurovia, ka ardhur edhe qëndrimi zyrtar i MM. Përmes një video-mesazhi në Facebook, Xhaçka hodhi poshtë akuzat e PD-së duke i quajtur si ‘inskenime si lloji i Babales’. Ministrja iu përgjigj akuzës se pse tenderi u bë pa garë dhe në një kohë aq të shpejtë, dhe tha se procedura e ndjekur është ligjore, ndërkohë që nuk komentoi akuzat e tjera, sepse kjo kompani nuk ka eksperiencë në këtë fushë, apo faktin që 7 ditë para se të shpallej fituese shtoi në objektin e aktivitetit edhe “tregtimin e ushqimeve”.

Pjesë nga reagimi i Olta Xhaçkës:

Po sabotojnë me baltë rezistencën ndaj epidemisë se mos fiton pikë qeveria. Prindër jemi edhe ne, fëmijë kemi edhe ne, do të donim shumë të rrinim në shtëpi. Por jemi në punë, po bëjmë një punë, me modesti se s’po e bëjmë heroizëm. Por është e tepërt që në këtë situatë të përballesh me Babalen. Në një rast tjetër s’do të jepja sqarime, por në respekt të qytetarëve po sqaroj. I them PD të mos bëjë politikë, por ta çojë në organet e drejtësisë. Procedura është bërë në përputhje të plotë me ligjin me afate të përshpejtuara. Më datë 24 mars u bë efektiv dhe u ngrit komisioni, po më 24 mars u miratua vendimi për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë. MM në mënyrë urgjente pas 24 orësh hapi sipas ligjit procedurën për blerjen e mallrave. Në vijim dhe në përputhje, më 26 mars u hap oferta, dhe në datë 27 mars u shpall fituesi. I kujtoj Lulzim Bashës që një procedurë si kjo është bërë edhe nga ai në rastin e përmbytjes.

PD bëri me dije se ka kallëzuar në SPAK, (prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Sipas PD, MM i ka dhënë një tender në kundërshtim me procedurat kompanisë “Eurovia”. Tenderi që lidhet me ushqimet i është dhënë kësaj kompanie, e cila deri para disa ditësh kishte si objekt aktiviteti vetëm tregtinë e kompjuterave dhe aksesorëve elektronikë. Për çudi, një javë më parë, kompania ka shtuar edhe fushën e tregtimit të pijeve dhe ushqimeve, dhe më pas, ka fituar pa garë këtë tender, me vlerë 1.5 milionë euro. Një tjetër pikëpyetje për këtë tender është edhe fakti se në specifikat e tij, duhet që kompania fituese të kishte tre vite që merrej me tregtimin e ushqimeve, gjë që Eurovia nuk e ka./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne