Rajoni

Tensione në Paris – Vuçiç thotë se është përplasur me Thaçin në prani të Macronit

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka ndarë detaje nga takimi që ka pasur në Paris me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, me ndërmjetësimin e kreut të shtetit francez, Emanuel Macron, e në të cilin është diskutuar rreth rinisjes së dialogut Prishtinë-Beograd.

Vuçiç pretendon se në atë takim e ka akuzuar Thaçin se po gënjen, pasi që Kosova nuk i ka përmbushur obligimet e marra nga marrëveshja e Brukselit që ishte nënshkruar mes dy shteteve në 2013-ën.

Madje kreu i shtetit serb thotë se pas kësaj akuze ndaj Thaçit, i është drejtuar edhe Macronit duke i thënë se nuk e ka problem të thotë diçka të tillë,

“I kam thënë atij (Thaçit), nuk je duke e thënë të vërtetën. Nuk i keni përmbushur obligimet. Dhe i thash Macronit- e sheh që po ia them një gjë të tillë në fytyrë dhe që nuk e kam problem që t’ia them ”, ka thënë Vuçiq, shkruan B92, trasnmeton Gazeta Express.

Presidenti serb tutje ka treguar se i ka thënë Macronit se me këtë qasje do të jetë shumë problem që të përmbushet diçka (ndonjë marrëveshje) në të ardhmen.

Ndërkohë siç pretendon Vuçiq, ndaj kësaj situate ka ndërhyrë vetë Macron, i cili ka thënë se do shihet se çfarë mund të bëhet në të ardhmen në këtë aspekt.

Siç kanë raportuar mediat serbe, ky takim në mes të Vuçiqit dhe Thaçit në Paris, është bërë pas thirrjes telefonike që Donald Trump i ka bërë presidentit të Francës.

Dialogu ndërmjet dy palëve ka qenë temë boshte e këtij diskutimi. Thaçi ka thënë se Kosova është për një marrëveshje që si rezultat përfundimtar sjell njohjen reciproke, ndërsa Vuçiq ka treguar se Emanuel Macron është duke planifikuar një takim në janarin e 2020-ës pasi të krijohet qeveria në Kosovë./mesazhi

OPINIONE