“The New York Times”: Trumpi mbron vlerat e Arabisë Saudite

Bordi i Botuesve të gazetës “The New York Times” kritikoi të mërkurën Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se “po kapërdin tregimet e Arabisë Saudite për vrasjen e Jamal Khashoggit duke injoruar përfundimin e nxjerrë nga CIA dhe vlerat amerikane”.

Në artikullin e titulluar “Trumpi mbron vlerat e Arabisë Saudite”, Bordi i Botuesve të së përditshmes njujorkeze bëri një vlerësim të gjithanshëm të qëndrimit të liderit amerikan për vrasjen e Khashoggit.

Duke iu referuar komunikatës me shkrim të kreut të Shtëpisë së Bardhë ditën e martë, botuesit e ditores në fjalë theksoi se “në të vërtetë Trumpi ka thënë që do të mbajë anën e regjimit saudit pavarësisht se sa e gabuar është vrasja e Jamal Khashoggit dhe se kush janë përgjegjësit e saj”.

Në këtë artikull tërhiqet vëmendja mbi vijën hapëse të komunikatës së shkruar të Trumpit, ku thuhet se “bota është një vend shumë i rrezikshëm”, ndërsa theksohet se presidenti amerikan “po e bën atë shumë më të rrezikshme duke inkurajuar despotët në Mbretërinë e Arabisë Saudite apo gjetkë”.

“Krimi, i cili ka rezultuar çnjerëzor në të gjitha detajet e tij nga një regjistrim audio turk dhe është pasuar nga një rrymë gënjeshtrash që rishqyrtojnë gënjeshtrat e mëparshme të regjimit saudit, duket se reflekton arrogancën e një brezi sundimtarësh autokratë në rritje të papërshkueshëm nga turpi ose gjykimi moral”, nënvizoi Bordi i Botuesve të gazetës “The New York Times”.

Artikulli vë në pah gjithashtu se marrëdhëniet e Trumpit kanë qëllime tregtare.

Në fund, pasi këmbëngulin mbi domosdoshmërinë e zbardhjes së të gjitha detajeve të vrasjes së Jamal Khashoggit për të vendosur drejtësinë, botuesit e së përditshmes amerikane komentuan se “askush në Arabinë Saudite, duke përfshirë këtu sigurisht edhe princin trashëgimtar të fronit, nuk duhet t’i shpëtojnë llogaridhënies”.

Jamal Khashoggi u vra egërsisht më 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, ku kishte shkuar për të kryer procedurën e celebrimit me të fejuarën e tij turke, Hatice Cengiz.

“Besojmë fuqishëm se vrasja e Khashoggit është kryer me urdhër të princit trashëgimtar të fronit saudit, Mohammed bin Salman”, thuhet në raportin e CIA-s për këtë ngjarje./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne