“The Washington Times” godet sërish qeverinë shqiptare: Vettingu po i jep fuqi absolute Ramës

The Washington Times godet sërish qeverinë shqiptare. Një shkrim tjetër ka pasuar atë për ambasadorin amerikand Donald Lu, për të cilin u tha se ka punuar kundër presidentit Donald Trump dhe ka mbështetur kryeministrin Edi Rama.

Shkrimi i gazetës së njohur për linjën konservatore mban datën e djeshme, ndërsa kësaj radhe i kushtohet reformës në drejtësi dhe vettingut. Sipas The Washington Times vettingu po zhduk kundërshtarët politikë të Ramës dhe po i jep fuqi absolute duke vendosur pas gjithë kësaj miliarderin George Soros.

Në shkrim thuhet se  gjykatës të korruptuar janë mbajtur në detyrë dhe zyrtarë te ndershëm janë larguar nga detyra, nëse ata besojnë gjënë e gabuar ose mbështesin partinë e gabuar. “Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një narkoshtet, duke u zhvendosur në krye të listave të prodhimit të marijuanës që trafikohet në Itali dhe në pjesën tjetër të Europës. Drogat e forta janë gjithashtu shumë të përhapura”, shkruan opinionisti.

SHKRIMI I PLOTË
Titulli origjinal: Axhenda devijuese e Soros simbolizohet nga prishja e reformës në Shqipëri

Nga L. Todd Wood – The Washington Times

Reforma në drejtësi dukej si një ide e mirë në Shqipëri, e cila, si shumë vende ish-komuniste, po përballet me pasojat e një trashëgimie dhjetëra vjeçare korrupsioni.

Nuk ka hapësirë të mjaftueshme në këtë rubrikë për të hyrë në detajet e ndërlikuara të kësaj reforme, por ndikimi keqdashës i organizatave dhe këshilltarëve të financuar nga miliarderi liberal hungarezo-amerikan George Soros, është i qartë në Shqipëri, ndërsa zyrtarët shqiptarë përpiqen të rishikojnë sistemin gjyqësor.

“Procesi i reformës” i cili filloi në vitin 2016, i ndihmuar dhe mbështetur nga ekspertë të financuar nga Soros dhe e nxitur fort nga Ambasada e SHBA në Tiranë, në të vërtetë, ka lënë vendin pa gjykata. Në këtë mënyrë, qeveria e tanishme socialiste, e kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, ka mundur të miratojë ligje, të cilat nuk kanë thuajse asnjë mundësi kontrolli ligjor, ndërkohe që Prokuroria është mbushur me emërime politike.

Askush nuk e di se kur gjykatat do të plotësohen e do të mund të jenë funksionale si një pushtet i pavarur. Kur në fakt ky ishte i gjithë thelbi i reformës.

Problemi duket se është struktura, që “ekspertët” shtynë popullin shqiptar të besonte. Pas injorimit të shumë paralajmërimeve nga shqiptarët me përvojë në sistemin gjyqësor, u krijua një proces i rreptë verifikimi (vettingu) me supozimin se do të garantonte largimin nga sistemi te gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.

Por shumë pak kandidatë ia kanë dalë procesit të vettingut, duke i lënë gjykatat pa kuorumin e nevojshëm dhe të pamundura për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e veprimeve të qeverisë mbi ligjet e miratuara.

Sa e favorshme për qeverinë!
Procesi i vettingut është përdorur gjithashtu për të zhdukur kundërshtarët politikë nga çdo rol në të gjitha pushtetet, duke ruajtur fuqinë absolute të z. Rama. Natyrisht, gjykatës të korruptuar janë mbajtur në detyrë dhe zyrtarë te ndershëm janë larguar nga detyra, nëse ata besojnë gjënë e gabuar ose mbështesin partinë e gabuar.

Kur e gjitha kjo kombinohet me ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008, të cilat vendosën që ligjvënësit të mos zgjidheshin më drejtpërdrejt, por u zëvëndësua me një sistem me listë partie, në thelb populli shqiptar u privua nga e drejta për të zgjedhur. Sërish, e gjitha kjo duket se ka qënë rezultati i dëshiruar gjatë gjithë kohës.

Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një narkoshtet, duke u zhvendosur në krye të listave të prodhimit të marijuanës që trafikohet në Itali dhe në pjesën tjetër të Europës. Drogat e forta janë gjithashtu shumë të përhapura. Varësia dhe problemet e tjera të drogës po bëhen normë në një vend me vetëm 2.5 milionë njerëz, që është duke u stërmunduar.

Gjithashtu, Shqipëria është duke u bërë një pikë trafikimi dhe një portë për në Europë për drogat e forta që vijnë nga Amerika e Jugut dhe Azia Qendrore. Kritikët thonë se ligjet e miratuara në parlament, që nuk janë subjekt i shqyrtimit të një Gjykate Kushtetuese, pasi është jofunksionale, po ndihmojnë në pastrimin e parave të kësaj tregtie droge.

Amerikanët dhe evropianët po injorojnë të gjithë këtë situatë, ndoshta për të shmangur pranimin e dështimit te axhendës Soros/globaliste, e cila pas shumë përpjekjeve për t’u futur, nuk funksionoi në këtë rajon. Ose, ka funksionuar shumë mirë, por rezultati nuk ka qenë ai që duhej për popullin shqiptar.

Socializmi nuk është asnjëherë për njerëzit, por gjithmonë për pushtet. Në fund të fundit, ka të bëjë me marrjen e kontrollit në mënyrat që Marksi i kuptoi qartë. Z. Soros është duke u përpjekur të kopjojë një shabllon të dështuar majtist në të gjithë Ballkanin, duke promovuar një shoqëri me kufij të hapur, e ngjashme me një Jugosllavi të re dhe sigurisht të kontrolluar nga socialistët.

Bashkimi Evropian i ka dhënë shumë rëndësi natyrës së supozuar antidemokratike të reformës gjyqësore në Poloni dhe Hungari, por ka injoruar situatën shumë më të tmerrshme dhe të pandershme, që po ndodh në Shqipëri. Siç dihet, rrezet e diellit janë gjithmonë dezinfektuesi më i mirë./ lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress